Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Foto ilustruese nga LSA
KPK Lajme Veting

KPK ndëpret vetingun për gjyqtarin Sokol Tona

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 3 mars të ndërpresë procesin e vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Sokol Tona dhe ti ndalojë atij rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15-vitet e ardhshme pasi ka dalë në pension të parakohshëm pleqërie, duke shmangur kështu dhe procesin e rivlerësimit të filluar ndaj tij rreth dy vjet më parë.

Megjithëse Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ e ka pranuar kërkesën e gjyqtarit Tona për daljen në pension të parakohshëm pleqërie duke e konsideruar si shkak për mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt rivlerësimi, Komisioni e konsideron si dorëheqje veprimin e kryer prej tij.

Në vendimin e arsyetuar sqarohet se KPK e ka filluar hetimin për gjyqtarin Tona në dhjetor të vitit 2019. Nga verifikimi dokumenteve ka rezultuar se subjekti i ka plotësuar deklaratat e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe vetëvlerësimit profesional, duke shprehur kështu gatishmërinë për t’iu nënshtruar procesit të vetingut.

Por, në nëntor të vitit 2021 Tona ka njoftuar Komisionin se do të paraqiste kërkesë për miratimin e pensionit të parakohshëm të pleqërisë. Në vijim, në Komision është depozituar vendimi i KLGJ-së i datës 8 shkurt 2022, që ka pranuar kërkesën e gjyqtarit Sokol Tona për miratimin e pensionit të parakohshëm, si dhe ka deklaruar të mbaruar statusin e magjistratit për këtë subjekt, po për shkak të daljes në pension të parakohshëm pleqërie.

KPK vlerëson se ka humbur objekti i procesit të rivlerësimit në këtë rast dhe i ka njoftuar subjektit të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore lidhur me arsyet dhe pasojat e ndërprerjes së vetingut, por Tona ka refuzuar dhe ka shpjeguar se kishte dalë në pension të parakohshëm me vullnetin e tij dhe se nuk do ta ankimonte vendimin e KLGJ-së.

Ndryshe nga KLGJ që e ka deklaruar përfundimin e statusit të magjistratit për shkak të daljes në pension të parakohshëm pelqërie, KPK sjell në vëmendje faktin se Tona e ka shprehur vetë vullnetin për të mos vijuar detyrën, megjithëse nuk ka mbushur moshën 67 vjeç dhe bazuar në legjislacionin për vetingun e vlerëson këtë veprim si dorëheqje.

“Shprehja e vullnetit të subjektit për të ndërprerë marrëdhëniet e tij të punës, bërja prezent para Komisionit e këtij fakti dhe formalizimi me paraqitjen e kërkesës drejtuar KLGJ-së, çmohen nga trupi gjykues si ndërprerje për shkak të vullnetit të subjektit për të lënë detyrën përpara kohe, duke e konsideruar këtë si dorëheqje të tij”, citohet në vendim.

Në vijim, KPK argumenton se ndërprerja e procesit të vetingut për shkak të dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit, sjell si pasojë përfundimin e kësaj procedure administrative dhe si rrjedhojë edhe vendosjen e sanksionit që e ndalon të rikthehet në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në përfundim, trupa e KPK-së e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për Tonën dhe ti ndalojë emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *