Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe vëzhguesi i ONM, Theo Jacobs në seancën e KPK. Foto: LSA
Artikull kryesor ! KPA Lajme Veting

KPA shtyn seancën për prokuroren Elizabeta Imeraj, për arsye shëndetësore

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj nuk u paraqit në seancën e parë publike që ishte caktuar të zhvillohej të martën në orën 10:00 në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit që e konfirmoi në detyrë këtë subjekt rivlerësimi.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama shpjegoi se të hënën në orën 15:54, prokurorja Imeraj kishte kërkuar shtyrjen e seancës pasi nuk kishte mundësi të paraqitej për shkaqe shëndetësore, duke bashkëngjitur dhe dokumentet provuese.

I pyetur nga Kolegji, Komisioneri Publik Florian Ballhysa u shpreh se nuk kishte ndonjë qëndrim lidhur me kërkesën e subjektit dhe trupa gjykuese vendosi të shtyjë seancën për më datë 21 mars, në orën 09:00.

Komisioneri Ballhysa vendosi ankimimin e konfirmimit në detyrë të drejtueses së prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj duke argumentuar se provat të dëm të saj duhej të kishin sjellë shkarkimin. Ballhysa e dorëzoi ankimim në limitet e afatit ligjor, konfirmimi i së cilës nga KPK në prill u pasua nga shqetësime të mëdha mes ndërkombëtarëve, të cilët argumentuan se rasti i saj vë në rrezik “integritetin, pavarësinë dhe tërësinë e procesit të vetingut”.

Komisioneri Publik “çmon se ai [vendimi] është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit,” thuhet në dokumentin e ankimimit.

Imeraj arriti të kalojë shkallën e parë të vetingut pasi paraqiti një kontratë paramartesore të vitit 2007, sipas të cilës, pronat e bashkëshortit, me të cilin u divorcua në vitin 2019, i përkasin bashkëshortit dhe ajo nuk është përgjegjëse, një argumentim që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e pranoi si të vlefshëm.

Vleftësia e kontratës paramartesore është vënë në dyshim nga ONM si dhe nga Komisioneri Publik. Sipas këtij të fundit, subjekti ka deklaruar pasuri të përbashkët në deklaratat vjetore periodike të pasurisë si dhe në deklaratën për veting, gjë që duhet ta bëjë atë përgjegjëse për justifikimin me burime të ligjshme të kësaj pasurie.

Trupa e KPA-së që do të shqyrtojë ankimin e Komisionerit ndaj konfirimimit të Imerajt kryesohet nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *