Prokurori Julian Xhengo i Prokurorisë së Tiranës do të përballet të premten më 9 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.
Julian Xhengo përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe punoi fillimisht në prokurorinë e Vlorës dhe atë të Fierit. Prej vitit 2008, Xhengo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga prokurori Julian Xhengo nga viti 2006 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].

Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2006, prokurori Julian Xhengo deklaronte pasuri familjare me vlerë 2.5 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e tij familjare kap vlerën e 7.4 milionë lekëve.
Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 5.3 milionë lekë, automjet me vlerë 980 mijë lekë, likujditete bankare prej 694 mijë lekësh si dhe kursime në cash prej 375 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 17.1 milionë lekë, nga të cilat rreth 76% kanë si burim pagën e subjektit dhe gati 23% pagën e bashkëshortes.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 13 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, vlen të sqarohet se në vitin fillestar të deklarimit, Xhengo zotëron ¼ e një shtëpie banimi në proces legalizimi me vlerë 2.5 milionë lekë, të blerë nga prindërit në vitin 1999. Ndërsa në vitin 2016, bashkëshortja e subjektit deklaron pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 2.8 milionë lekë të përfituar nga trashëgimia familjare.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al