Prokurori Gjergji Tako (djathtas) dhe avokati i tij, pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

KPK: Mangësitë profesionale të Gjergji Takos, të pamjaftueshme për shkarkim

Prokurori i Tiranës, Gjergji Tako u pezullua nga detyra për një periudhë njëvjeçare prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkak të probleme të konstatuara në kriterin profesional, me kusht që të plotësojë detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Gjatë seancave dëgjimore të zhvilluara në KPK në datat 27 prill dhe 15 qershor 2022, prokurori Tako dha shpjegime më së shumti për përdorimin e disa automjeteve pa dokumentcion të rregullt ligjor, si dhe për procedimet penale të pushuara pa kryer veprime hetimore.

Pas riçeljes së hetimit administrativ më 28 prill me qëllim që t’i jepej mundësia subjektit për të siguruar disa dokumente jashtë shtetit në funksion të gjetjeve për pasurinë, si dhe që të dorëzonte një vendim pushimi të një procedimi penal të hetuar prej tij, Komisioni e zgjeroi hetimin administrativ në kriterin profesional.

Në vendimin e ndërmjetëm të arsyetuar, KPK sqaron se ka përzgjedhur në mënyrë rastësore nga lista e statistikave të paraqitura nga Prokuroria e Tiranës 16 dosje penale të ndjekura nga subjekti Gjergji Tako për periudhën 2007 –2016.

Procesi i vetingut për prokurorin Tako po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me reatore Etleda Çiftjen dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Gjergji Tako përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjës. Prej vitit 2007, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Tiranë.

Ashtu si në çështjet e hetuara gjatë hetimit paraprak nga KPK, edhe nga verifikimi i dosjeve të tjera të shortuara pas riçeljes së hetimit, janë evidentuar mangësi profesionale – por që janë vlerësuar si të pamjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra.

Në çështjet e verifikuara prej Komisionit që janë më së shumti kërkesa për gjykim, vendime pushimi të procedimeve penale ose vendimi mosfillimi hetimesh, vërehet se subjekti nuk ka analizuar elementet e veprës penale për të cilët akuzohen të pandehurit duke treguar mangësi në aspektin e njohurive dhe arsyetimit ligjor, si dhe nuk ka kryer veprimet e nevojshme hetimore.

Nga verifikimi i një prej vendimeve të Takos, lidhur me mosfillimin e procedimit penal për një kallëzim të vitit 2014 për kryerjen e veprës penale “ndërtim i paligjshëm”, KPK konstaton mangësi të Takos në aspektin e njohurive ligjore, konkretisht, për të ndërmarrë logjikisht hetimin sipas kërkesave ligjore; për të mbledhur provat e kërkuara me ligj; për të interpretuar ligjin; si dhe në organizimin e punës për të kryer procedurat hetimore.

Sipas Komisionit, subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me mangësitë profesionale të konstatuara nga Komisioni, por është vlerësuar se ato mund të plotësohen me anë të programit të Shkollës së Magjistraturës.

Në përfundim, trupa e KPK me vendim të ndërmjetëm të datës 17 qershor 2022, vendosi të pezullojë Takon për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Në vendim thuhet se KPK do të përfundojë procesin e rivlerësimit bazuar mbi të tre kriteret pas administrimit të rezultateve të arritura nga subjekti gjatë rishkollimit të tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *