Jurida Bajrakti (djathtas) duke dalë nga seanca në KPK | Foto: BIRN
Analiza KPK Veting

KPK konkludoi se ndihmësja ligjore Jurida Bajraktari kishte mangësi profesionale

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 20 korrik 2022 të pezullojë nga detyra ndihmësen ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Jurida Bajraktari, si dhe detyroi për të ndjekur programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, pasi konkludoi se ajo kishte mangësi profesionale.

Trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Lulzim Hamitajn, vlerëson se Bajraktari nuk tregon aftësi profesionale për të interpretuar ligjin, për të identifikuar konfliktin e normave, për të përdorur parime të përgjithshme të teorisë së të drejtës dhe se nuk ka aftësinë për të analizuar jurisprudencën. Po ashtu, është konkluduar mangësi dhe në angazhimin profesional.

Bajraktari ka filluar punë në Gjykatës Administrative të Apelit në prill të vitit 2016 dhe kishte plotësuar deklaratat për efekt të vetingut në janar 2017. Më herët, ajo kishte punuar si juriste në kompani private, si dhe ka deklaruar se kishte dhënë ndihmë juridike vullnetare.

Në vendimin e ndërmjetëm të arsyetuar të KPK vërehet se në tre dokumentet ligjore te paraqitura nga vetë subjekti i rivlerësimit, nuk është gjetur mendim konkret i saj për zgjidhjen e çështjes. Po ashtu, edhe në pesë dokumentet e përzgjedhura me short, konstatohet se nuk ka ndonjë akt kërkimi ligjor apo opinion me shkrim nga ndihmësja ligjore Jurida Bajraktari.

Sipas KPK, në çështjet e verifikuara gjatë hetimit parprak nuk është gjetur asnjë akt i përgatirur nga subjekti, që të mund të vlerësohej aspekti i njohurive lijgore, aftësia për të interpretuar ligjin, apo për të identifikuar konfliktin e normave.

Në vijim Komisioni ka konstatuar se nuk është gjetur ndonjë e dhënë edhe për të bërë të mundur vlerësimin e subjektit lidhur me aftësinë për të përballuar ngarkesën në punë; për të kryer procedurat gjyqësore dhe për të administruar dosjet.

Trupa vëren se edhe relacionet e përgatitura nga subjekti në vijim të punës si ndihmëse ligjore, të depozituara prej saj për të prapësuar gjetjet e Komisionit, kanë pasqyruar të njëjtën situatë të rezultuar gjatë hetimit paraprak.

“Trupi gjykues i Komisionit arrin në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka mangësi në arsyetimin ligjor dhe në aftësinë për të përgatitur opinione të karakterit procedural apo edhe material për çështjet në gjykim. Evidentohen mangësi në rolin e saj si ndihmëse ligjore dhe në aftësinë për të përmbushur detyrat sipas përcaktimeve ligjore për pozicionin e ndihmësit ligjor”, citohet në vendim.

Në vijim KPK konstaton edhe rezultatet e arritura nga Bajraktari në testimin e aftësive profesionale në cilësinë e subjektit të rivlerësimit ex officio, të zhvilluar nga Shkolla e Magjistraturës, kun ë fazën e parë ajo ka kapur 40 pikë nga 100 në total, ndërsa në fazën e dytë, 132 pikë nga 200 që ishte rezultati maksimal.

“[…]Subjekti i rivlerësimit nuk bën pjesë te subjektet që kanë marrë të paktën 60 % të pikëve në testimin e aftësive profesionale dhe nuk është kualifikuar për të ndjekur formimin fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, pasi rezulton se ka fituar 44 pikë (nga 60 pikë që nevojiteshin për t’u kualifikuar)”, vëren KPK.

Komisioni ka hetuar dhe mbi përvojën profesionale të subjektit të rivlerësimit, nga ka rezultuar se para se të emërohej si ndihmëse ligjore në vitin 2016, ajo ka qenë e punësuar vetëm për një periudhë rreth 3 vjet e gjysmë për të cilat janë derdhur kontributet shoqërore.

KPK ka konstatuar se Bajraktari nuk e përmbushte kushtin e përvojës në punë për të aplikuar në pozicionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën Administrative të Apelit dhe i ka kërkuar asaj shpjegime.

Subjekti ka shpjeguar se për periudhën nëntor 2011 – prill 2016 është angazhuar në dhënien e asistencës juridike në mënyrë vullnetare pa pagesë dhe për 6 vjet ka paguar detyrimet shoqërore dhe shëndetësore. Sipas saj, periudha gjatë së cilës është angazhuar në dhënie asistence pa pagesë përkon me periudhën kohore prej 11 vitesh në ushtrimin e profesionit të juristit dhe se është brenda kuadrit ligjor.

Shpjegimet e subjektit nuk janë gjetur bindëse nga KPK që vlerëson se “eksperienca e punës së Bajraktarit nuk është në harmoni me kërkesat ligjore që kërkojnë përvojë profesionale si jurist në organet e sistemit të drejtësisë; funksione publike në administratën e Kuvendit; administratën e institucionit të Presidentit; aparatin e Këshillit të Ministrave; ministri dhe institucione qendrore të pavarura; Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë; prokurorinë; si avokat apo si personel akademik i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Trupa e Komisionit i çmon edhe këto si pjesë të mungesës së duhur të formimit profesional.

Në vijim Komisioni shprehet se gjatë vlerësimit ka mbajtur në konsideratë edhe shpjegimet e subjektit lidhur me një konflikt që kishte mes saj dhe gjyqtares pranë së cilës kishte ushtruar detyrën. “[…]Pavarësisht rrethanave në dukje konfliktuale mes subjektit të rivlerësimit dhe gjyqtares pranë së cilës ushtronte detyrën, duhet evituar çdo fjalor joetik, pavarësisht rrethanës që e dikton, pasi duhet demonstruar sjellje që i shërben figurës së magjistratit, si dhe në zbatim të Kodit të Etikës në administratë komunikimi duhet të jetë etik, i qartë dhe i rregullt”, vëren KPK.

Komisioni vlerëson se mungesat e konstatuara në vlerësimin profesional për Bajraktarin mund të jenë ndikuar edhe nga eksperienca e saj e mëparshme dhe vëren se për këtë arsye formimi profesional ka qenë kriter ligjor kualifikues.

“Një jurist i aftë duhet të jetë në gjendje të vlerësojë faktin nëse përmbush apo jo kriteret formale të shpallura dhe të arsyetojë bindshëm se si e ka gjetur veten brenda tyre. Trupi gjykues i Komisionit vlerëson se subjekti ka shfaqur një nivel të dobët arsyetimi dhe gjykimi e me mangësi”, konstaton KPK, por çmon se problemet e evidentuara janë të tilla që të mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit për ndihmës ligjor në Shkollën e Magjistraturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *