Gjyqtari Dritan Banushi pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Vladimir Karaj.
Analiza KPA

KPA: Dritan Banushi nuk provoi kursimet dhe dhurimet

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Dritan Banushi u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 28 janar 2020, por institucioni i Komisionerëve Publikë e ankimoi si të pabazuar duke çmuar se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të kundërshtojë barrën e provës për pasurinë.

Ish-Komisionieri Darjel Sina kërkoi shkarkimin e Banushit për disa probleme në kriterin e pasurisë. Konkretisht, për pamundësi financiare për të mbuluar me të ardhura të ligjshme pasuritë e disponuara, shpenzimet e deklaruara dhe kursimet e krijuara në formën e likuiditeteve në depozita bankare dhe në cash, të deklaruara gjatë viteve në deklarimet periodike vjetore.

Po ashtu, u pretendua se ka pasaktësi dhe pamjaftueshmëri në deklarimin e përdorimit të një apartamenti me sipërfaqe 85.5 m2 në Gjirokastër, mosjustifikimin e vërtetësisë së deklarimeve mbi gjendjen faktike të kësaj pasurie të blerë nga babai i subjektit, si dhe të ligjshmërisë së burimit të krijimit të të ardhurave që kanë shërbyer për krijimin e kësaj prone.

Banushi i është drejtua Kolegjit me kundërankim, duke i kundërshtuar shkaqet e ngritura si të pabazuara. Por në qershor të këtij viti, Kolegji vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Analiza e pasurive

Lidhur me një depozitë në vlerën 3 milionë lekë, të krijuar në dhjetor të vitit 2014, Komisioni ka konkluduar se deklarimet e subjektit përputhen me gjendjen cash të akumuluar jashtë sistemit bankar për vitet 2007-2014, si dhe se ka pasur burime të ligjshme për krijimin e likujditeteve cash të deklaruara në vite, që kanë shërbyer si burim për krijimin e kësaj depozite.

KPK nuk ka gjetur probleme dhe për dy depozita të tjera, një me vlerë 2 milionë lekë në vitin 2015 dhe tjetra 700 mijë lekë në vitin 2016, si dhe për gjendjen cash në 2017-ën në vlerën 5000 USD – duke konkluduar se subjekti dhe bashkëshortja kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar krijimin e tyre.

Po ashtu, trupa e KPK i ka gjetur bindëse dokumentet e dorëzuara nga subjekti për mjaftueshmërinë e të ardhurave të vëllait nga punësimi në Greqi, i cili i ka dhuruar një shumë me të cilën Banushi ka çelur një depozitë në emër të vajzës.

Komisionerja Publike i kundërshtoi këto konkluzione duke e bazuar analizën financiare në deklarimet periodike të subjektit. Sipas Komisioneres Nino, deklarimet ndër vite të subjektit për të ardhurat dhe shpenzimet, nuk përputhen me pretendimet e tij.  Ajo konstaton se bazuar në analizën e deklarimeve periodike, ka rezultuar se Banushi nuk ka pasur mundësi financiare për të mbuluar me të ardhura të ligjshme kursimet e tij dhe për rrjedhojë nuk mbulon shpenzimet e deklaruara, si dhe kursimet në formën e likuiditeteve në depozitat bankare.

Banushi parashtroi në kundërankim, se në kushtet kur në ankim paraqitej asnjë tabelë, asnjë sqarim për përllogaritjet e kryera, si dhe asnjë referencë krahasuese me tabelat e analizës së Komisionit, i është bërë e pamundur paraqitja e argumenteve për kundërshtimin e shkaqeve të ankimit.

Në funksion të këtij pretendimi të subjektit, Kolegji i kërkoi Komisionerit Publik kryerjen e një analize financiare për periudhën 2003-2016, ku të reflektoheshin të gjitha pretendimet e parashtruara në ankim, për t’i dhënë mundësinë subjektit të rivlerësimit të qartësohej e të mbrohej lidhur me metodologjinë e përdorur në arritjen e rezultatit financiar të pretenduar.

Kjo analizë u debatua gjatë shqyrtimit në seanca gjyqësore dhe Kolegji e vlerëson të zgjidhur pretendimin e subjektit lidhur me cënimin e parimit të barazisë së armëve, të parashtruara në kundërankim dhe gjatë gjykimit.

KPA sqaron se ka kontrolluar analizën e Komisionerit Publik për vitin 2007, duke kryer njëkohësisht edhe përditësimin e zërave të saj, nga ka rezultuar mungesë burimesh të ligjshme të subjektit për blerjen e një automjeti tip “Audi A4”, krijimin e kursimeve cash në shumën 400 mijë lekë lekë dhe kryerjen e shpenzimeve. “Edhe nëse në një qëndrim garantist në raport me pretendimet e subjektit të rivlerësimit, në analizën financiare të kryer në Kolegj, do të përfshihej në gjendjen e kursimeve në cash shuma prej 450.000 lekësh, e përfituar nga shitja e automjetit tip ‘Nissan Patrol’ dhe shpenzimet e jetesës do të reduktoheshin në shumën 696.288 lekë, të pretenduar nga subjekti, përsëri rezultati do të ishte një balancë negative e burimeve të ligjshme”, konkludon KPA.

Ndryshe nga KPK, komisionerja konstaton balanca negative edhe për krijimin e kursimeve në vitet 2008 dhe 2009, përkatësisht në shumat 130 mijë lekë dhe 155 mijë lekë. Subjekti e kundërshtoi këtë rezultat duke pretenduar se të ardhurat e tij e të bashkëshortes nuk janë përllogaritur saktë sipas të dhënave që rezultojnë nga sistemi bankar dhe se kursimet në cash nuk janë përllogaritur sipas deklarimeve periodike përkatëse.

Por, analiza e Kolegjit e ka përkeqësuar situatën, duke konkluduar pamundësi në shumat 154 mijë lekë për vitin 2008 dhe 169 mijë lekë për 2009-ën.

Në vijim komisionerja vërejti se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2013 një dhurim nga prindërit e tij për mbulimin e shpenzimeve të vajzës në Angli në shumën 290 mijë lekë dhe për rrjedhojë nuk e ka konsideruar këtë vlerë si të ardhur në analizën financiare.

Megjithëse ky vlerësim i Ninos është rrëzuar nga Kolegji për shkak se subjekti ka dorëzuar si provë një deklaratë noteriale të vitit 2013 për dhurimin e shumën 290 mijë lekë, pamudnësia e prindërve për të dhënë këtë shumë e ka konfirmuar balancën negative.

KPA e ka verifikuar mundësinë e dhuruesve për kursimin e shumës 290 mijë lekë, duke e kryer analizën në dy versione, ku edhe në rastin kur janë konsideruar pretendimet e subjektit ka rezultuar pamundësi financiare e prindërve për dhurimin e deklaruar.

Për rrjedhojë, është konstatuar balancë negative në shumën 290 mijë lekë për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit të vajzës së subjektit në vitin 2013.

Për vitin 2014, Komisioneri Publik ka pretenduar se ka mospërputhje mes deklarimit të bërë nga vajza e subjektit të rivlerësimit në deklaratën periodike të vitit 2014 për vlerat 3500 euro dhe 100 mijë lekë – si shuma të dhuruara për fillimin e shkollës së lartë, që janë disponuar cash në fund të këtij viti. Sipas Ninos, nëse këto shuma nuk merren në konsideratë, atëherë rezulton balancë negative në shumën 564 mijë lekë.

Subjekti në kundërankim ka argumentuar se deklarimi këtyre dhuratave është kryer që në vitin 2014 kur nuk ishte iniciuar procesi i rivlerësimit dhe se shumat janë derdhur më pas nga vajza e tij në llogarinë e saj bankare.

Kolegji vëren se Banushi nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion provues lidhur me dhuruesit, konfirmimin prej tyre të dhënies së shumave dhe për burimin e krijimit, prej nga është konkluduar balancë negative në vitin 2014, në vlerën 590 mijë lekë.

Për vitet 2015 dhe 2016, Nino pretendoi se subjekti ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar krijimin e depozitave bankare, kursimeve në cash dhe shpenzimeve, duke rezultuar me balanca negative në shumat 822 mijë lekë dhe 867 mijë lekë.

Banushi e kundërshtoi analizën e komisioneres, duke argumentuar se të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes nuk janë përllogaritur saktë sipas të dhënave që rezultojnë nga sistemi bankar dhe likuiditetet nuk janë përllogaritur sipas deklarimit të tij në deklarimet periodike përkatëse.

Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se deklarimi i subjektit duhet lexuar e kuptuar në linjën logjike që ai deklaron lidhur me përshkrimin e ekzistencës së shumave të pretenduara dhe desinacionit të përdorimit. Pas korrektimit të analizës finaciare të komisioneres, Banushi ka rezultuar sërish me pamundësi për këto dy vite, përkatësisht në shumat 348 mijë lekë dhe 663 mijë lekë.

Bazuar në konstatimet për vlerat e likuiditeteve në formën e depozitave bankare të krijuara nga subjekti gjatë viteve, me burim krijimi kursimet në cash, Kolegji vlerëson se Banushi nuk mund të kishte kursime të tjera të akumuluara në cash në fund të vitit 2016. Për pasojë, është konkluduar se subjekti nuk ka pasur mundësi që në momentin e plotësimit të deklaratës “veting” në janar të vitit 2017, të kishte gjendje cash në shumat 5000 dollarë dhe 642 mijë lekë, ashtu si ai ka deklaruar.

Në përfundim, KPA vlerëson se për periudhën 2003-2016, pamjaftueshmëria e subjektit të rivlerësimit për të mbuluar me të ardhura të ligjshme blerjen e një automjeti tip “Audi A4”, kursimet e krijuara në formën e likuiditeteve në depozita bankare dhe në cash, si dhe shpenzimet e deklaruara, rezulton në vlerën negative 3.4 milionë lekë.

“Mungesa e burimeve të ligjshme qëndron edhe nëse në analizën financiare për periudhën e shqyrtuar, do të shtoheshin në zërin e të ardhurave shumat e konsideruara të krijuara nga burime jo të ligjshme dhe shpenzimet e jetesës për vitin 2007 do të konsideroheshin në vlerën e pretenduar nga subjekti i rivlerësimit, duke rezultuar në vlerën negative prej 1.780.438 lekësh, një vlerë kjo që nuk mund t’i nënshtrohet parimit të proporcionalitetit”, arsyeton KPA.

Shumica e trupës së KPA e përbërë nga relatorja Albana Shtylla dhe anëtarët Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo, e ka rrëzuar shkakun e ankimit të komisioneres për apartamentin me sipërfaqe 85.5 m2 në Gjirokastër në pronësi të babait të subjektit, të deklaruar nga ky i fundit në përdorim. Ndryshe nga KPK që ka konkluduar se babai i Banushit ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie, Nino vlerëson se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe të mungesës së burimeve të ligjshme.

Shumica vëren se Komisioni dhe komisionerja, e kanë justifikuar kontrollin dhe verifikimin e këtij apartamenti vetëm me faktin e deklarimit të subjektit se ndodhet në kushtet e përdorimit, duke mos i dhënë asnjë cilësim marrëdhënies së krijuar mes Banushit dhe prindërve tij.

“…Përdorimi i pasurisë apartament, si një marrëdhënie huapërdorjeje del jashtë kategorisë së marrëdhënieve të cilat do ta vendosnin babain e subjektit në statusin e personit tjetër të lidhur”, vlerëson KPA dhe konkludon se përdorimi i pasurisë së prindërve nga subjekti i rivlerësimit nuk përmbush kriteret e parashikuara për t’u ngarkuar me përgjegjësi disiplinore lidhur me këtë pasuri.

Megjithëse kryesuesja e trupës, Natasha Mulaj është dakordësuar për ndryshimin e vendimit të Komisionit për Banushin dhe shkarkimin e tij, ajo paraqet mendim ndryshe lidhur me konsiderimin e prindërve të subjektit në marrdhënien e përdorimit të apartamentit prej vitit 2005 e në vijim,

“…Përveç detyrimit për të evidentuar saktë marrëdhënien juridike që e lidh me pasurinë në përdorim, në drejtim të verifikimit të çdo fakti apo rrethane që mund të ngrejë dyshime për fshehjen apo paraqitjen në mënyrë të pasaktë të pasurive në përdorim të tij, subjekti i rivlerësimit ngarkohet dhe me detyrimin për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë në përdorim, i cili urdhërohet nga dispozita kushtetuese…, si dhe parashikimet e nenit 3, pika 14 e ligjit nr. 84/2016, i cili përkufizon si person tjetër të lidhur edhe atë që ka një interes pasuror me subjektin e rivlerësimit”, arsyeton Mulaj dhe çnon se babai i subjektit duhet të klasifikohet në cilësinë e personit tejtër të lidhur dhe të kalohet barra e provës për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të kësaj pasurie.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *