Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e kandidates për Gjykatën Kushtetuese
Analiza

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e kandidates për Gjykatën Kushtetuese

Komisioneri Publik kundërshton vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Regleta Panajoti, ndërsa kërkon shkarkimin e saj për pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurive.

Rivlerësimi i gjyqtares Regleta Panajoti | Foto : Vladimir Karaj

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi vendimin e marrë me shumicë votash për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Regleta Panajoti, me argumentin se ajo nuk e justifikon pasurinë dhe nuk ka bërë deklarim të mjaftueshëm në këtë kriter.

Duke përdorur arsyetimet e mëparshme të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi të ardhurat nga emigracioni dhe pasaktësitë në deklarimet vjetore, Ballhysa interpreton ndryshe gjetjet e KPK për rastin Panajoti, duke kërkuar në ankim ndryshimin e vendimit.

“Komisioneri Publik, nga shqyrtimi i vendimit nr. 169/2019, çmon se ai është i cenueshëm në tërësinë e tij,”thotë në ankim Komisioneri.

Kandidate për të qenë një nga anëtaret e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarja e Tiranës, Regleta Panajoti u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 26 qershor. Për konfirmin e saj votuan kryesuesja e treshes që hetoi çështjen, Genta Tafa Bungo dhe anëtarja Valbona Sanxhaktari, të cilat i gjetën të ligjshme burimet e pasurisë.  Shumica i cilësoi problemet e vërejtura si “fomale” dhe pa “pasur për qëllim fshehjen apo paraqitjen në mënyrë të pasaktë të pasurisë”.

Kundër konfirmimit u shpreh relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj i cili arsyetoi se gjyqtarja duhej të ishte shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Duke iu referuar vendimeve të marra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, përfshi ato për ish-gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, Gani Dizdari dhe Fatos Lulo, Hamitaj arsyeton se  Panajoti “ka pasur mungesë në vlerën prej 3.8 milionë lekëve të burimeve të ligjshme financiare”.

Regleta Panajoti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Ajo ka kandiduar në dy thirrje të hapura për të plotësuar vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese. Kandidatura e saj është miratuar edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Ngjashëm me pakicën arsyeton dhe Komisioneri Publik, edhe pse ky i fundit i ka shtuar në ankim ndër të tjera akuzën për deklarim të rremë në lidhje me përfitimet nga një kontratë shit-blerje toke në Korçë.

Ankimi mbi të ardhurat nga emigrimi

Ankimi i publikuar të mërkurën është i ndarë në 7 pjesë, që sipas komisionerit Ballhysa kanë të bëjnë me “rrethana dhe fakte ligjore” për “pasaktësi dhe pamjaftueshmëri” deklarimi për dy apartamente, “mungesë e dokumentacionit provues mbi burimin e ligjshëm të shumës prej 3.500.000 lekë, deklaruar si e ardhur nga puna në emigracion”, mungesë dokumentacioni për një shumë prej 200 mijë lekësh dhe “deklarim i rremë” për shitjen e një toke në Korçë. Sipas Ballhysës, kjo rrethanë “lidhet edhe me etikën dhe figurën e magjistratit/subjektit të rivlerësimit”.

Po ashtu, Komisioneri kundërshton mundësitë financiare të një huadhënësi, mungesë burimesh për depozitimin e 12 mijë eurove në vitin 2007 dhe deklarime të pasakta të gjendjes në cash.

I fokusuar te paratë e pretenduara të fituara në emigracion, Komisioneri Publik kundërshton në ankim edhe mundësinë e emigrimit dhe të punës në emigracion si të bashkëshortit të Panajotit edhe të kësaj të fundit. Përndryshe nga shumica në KPK që arsyetoi se emigrimi dhe puna ishte provuar, edhe pse nuk provohej pagesa e tatimeve për të ardhurat.

Komisioneri duke iu referuar faktit që bashkëshorti i gjyqtares deri në prill 1995 ishte oficer aktiv në ushtrinë shqiptare shprehet se “nuk ka ekzistuar mundësi emigracioni ekonomik apo punësimi sezonal, siç arsyeton Komisioni”.

Sipas tij, ligji ndalonte për oficerët “ushtrimin e të drejtës së punësimit jashtë territorit të Shqipërisë”. Duke iu referuar periudhës tjetër kohore të pretenduar, Komisioneri thotë se bashkëshorti i gjyqtares ishte i punësuar me kohë të plotë pranë një banke nga viti 1997 deri në vitin 2010. Po ashtu një pjesë të kohës në vitin 96’ ai ishte i angazhuar në biznes privat. Sipas llogarive të Komisionerit vetëm pak muaj mbeteshin të lira për punë në emigrim.

“Vetëm periudha nëntor 1996-janar 1997 (3 muaj) është periudha për të cilën nuk ka dokumentacion justifikues për punësimin e z. Panajoti në Republikën e Shqipërisë”, shprehet Ballhysa.

Komisioneri vë në dukje se deklarimet e Panajotit në këtë pjesë ishin kontradiktore pasi në një anë pretendonte të ardhura nga puna në emigrim, nga ana tjetër pretendon punësim të rregullt (jo sezonal) “Nga këto deklarime, subjekti i rivlerësimit është kontradiktor në lidhje me faktin nëse gjatë kësaj periudhe kohore, personi i lidhur, z. Panajoti, ka qenë në emigracion apo ka punuar/ndihmuar (të kunatin), si ortak në shoqërinë “***” sh.p.k”, thuhet në ankim.

Por ankimi në këtë pikë bazohet edhe në mungesë të dokumenteve që vërtetonin pagimin e të ardhurave nga puna në emigracion. Duke iu referuar vendimeve të Kolegjit në raste të tjera Komisioneri citon se “jo gjithmonë remitancat mund të konsistojnë në dërgesa të vlerave monetare të krijuara nga burime të ligjshme dhe të konsiderohen si të ardhura të ligjshme”.

Ballhysa citon detyrimin e përcaktuar nga Kolegji se do të konsiderojë të ligjshme vetëm ato dërgesa parash për të cilat janë përmbushur detyrimet tatimore në vendin e krijimit.

Komisioneri po ashtu gjen kontradiktor pretendimin e shumicës në vendim pasi të ardhurat nga emigrimi ishin sipas KPK “afër pragut minimal” dhe sipas Komisionerit “nuk ka se si (me to) të sigurohen kursime, që në rastin konkret janë edhe të konsiderueshme”.

Komisioneri po ashtu ankimon edhe pretendimin për pamundësi të gjetjes së dokumentacionit, duke arsyetuar si pakica në vendim se nuk ishin bërë përpjekje për të gjetur dokumentacion provues.

Duke vlerësuar në total të dhënat Komisioneri del në përfundimin se Panajoti nuk kishte të ardhura për të blerë një apartament 104 metra dhe se ka kryer “deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm”, në veting dhe në deklarimin për ILDKPKI në vitin 2003.

Kursimet në cash

Ndërsa shumica në KPK justifikoi Panajotin sa i përket mosdeklarimit të gjendjes cash në vite dhe pretendimit të pranisë së kësaj gjendje për të kryer veprime të ndryshme financiare, përfshi një depozitë 12 mijë euro, duke iu referuar mosdeklarimit si “i paqëllimtë dhe keqkuptim i ligjit”, Komisioneri e gjen këtë si shkelje shkarkuese.

“Komisioneri Publik, çmon se ky konkluzion i Komisionit nuk qëndron, pasi nuk bazohet në një vlerësim të drejtë ligjor të të gjitha provave, fakteve dhe rrethanave të vërtetuara nga aktet e administruara në dosje, si dhe me qëndrimin e mbajtur në jurisprudencën e deritanishme të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhur me elementët e dashjes apo qëllimit në deklarime”, thuhet në ankim.

Duke iu referuar vendimeve të Kolegjit, Komisioneri citon ndër të tjera: “…të mos prezumojë përdorimin nga subjektet të gjendjeve cash si burime për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve, për sa kohë një gjë e tillë nuk është deklaruar në mënyrë të qartë dhe të plotë nga vetë subjekti i rivlerësimit në deklarata periodike”.

Komisioneri thotë se pretendimet e Panajotit në këtë pikë ishin kontradiktore. Ndërsa po ashtu e gjen të pabazuar në ligj justifikimin e Komisionit, se të ardhurat ishin mjaft më të mëdha se shpenzimet e deklaruara.

Sipas Komisionerit, në vendim duhej të mbahej parasysh pretendimi i Panajotit se për deklarimin e cash nuk kishte pasur kërkesë në ligj ishte i pabazuar dhe se përtej kësaj gjyqtarja nuk kishte deklaruar një shumë prej 2000 eurosh edhe pas kohës që ajo pranonte se ky deklarim ishte bërë detyri ligjor.

Kontratat fiktive

Shumica dhe pakica në KPK u ndanë sa i përket kontratave për shitjen e një sipërfaqe toke në Korçë dhe shumën e përfituar prej saj, të përdorur më vonë për krijimin e pasurive të tjera. Në vendimin e zbardhur, shumica pranoi se një prej kontratave ishte fiktive me qëllim evazionin fiskal, por se Panajoti nuk mund të mbahej përgjegjëse, pasi ajo kishte nënshkruar atë përmes prokurës pa qenë e pranishme.

Hamitaj pretendoi se krahasimisht me shumën e deklaruar si të përfituar nga shitja, të dyja kontratat ishin fiktive dhe se Panajoti kishte firmosur njërën prej tyre personalisht.

Komisioneri Publik shkon më tej në këtë pikë, duke pretenduar se gjyqtarja ka bërë deklarim të rremë. Ballhysa sqaron në ankim, një pikë që mbetej e paqartë në vendimin e zbardhur, duke bërë me dije se një kontratë premtimi shitje e vitit 2003 dhe ajo e shitjes në vitin 2004 ishin të ndryshme sa i përket çmimit.

Sipas Komisionerit, në kontratën e parë vlera e pronës ishte 2 milionë lekë, ndërsa në të dytën 1.9 milionë. Sipas Ballhysës, të dyja këto kontrata provojnë se Panajoti nuk mund të kishte marrë shumën prej 1.7 milionë lekësh që supozohet se ishte pjesa e saj pasi pasuria ndahej me vëllezërit e nënës së saj.

“Në asnjë rast, sipas të dy kontratave të paraqitura, nuk konfirmohet përfitimi i shumës 1.755.200 lekë nga ana e subjektit të rivlerësimit, sikundër është pretenduar prej saj gjatë procesit të rivlerësimit”, thuhet në ankim.

Përndryshe nga shumica që justifikoi veprimet e Panajotit, në këtë kohë pjesë e sistemit të drejtësisë, duke ia lënë përgjegjësinë për kontratën fiktive bashkëpronarëve, Komisioneri shprehet se kjo e fundit nuk kishte paguar tatimet as për pjesën prej 560.565 lekë (pjesën takuese sipas kontratës së datës ***.5.2003).

Komisioneri thotë se të ardhurat nga kjo shitje nuk mund të konsideroheshin të ligjshme as në këtë shumë. Madje Ballhysa thotë se nga këto kontrata mbërrihet në konkluzionin “se (Panajoti) ka kryer veprime që cenojnë etikën e magjistratit dhe besimin e publikut te drejtësia, në shmangien e pagimit të drejtë të detyrimeve fiskale, si për pjesën takuese sipas kontratës, ashtu edhe sipas vlerës së pretenduar prej saj”.

Komisioneri del në përfundimin që Panajoti ka bërë në këtë rast deklarim të rremë në deklaratë veting dhe shuma e pretenduar prej saj nuk mund të pranohej si burim i ligjshëm i të ardhurave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *