Prokurorja Flora Reka e shoqëruar nga djali i saj pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

KPK u nda për pasurinë dhe figurën e Flora Rekës

Prokurorja e Durrësit, Flora Reka u konfirmua në detyrë më 25 mars 2022 me shumicën e votave të anëtarëve të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Sipas vendimit të arsyetuar, shumica vlerësoi se Reka kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe të figurës, si dhe nivel të mirë në vlerësimin e aftësive profesionale, ndërsa pakica vlerësoi se Reka ka cënuar besimin e publikut në kushtet e gjendura në transaksionet e tre pasurive, si dhe në kriterin e figurës lidhur me përdorimin e një automjeti në pronësi të një personi të proceduar penalisht për krim të organizuar.

Më parë më 25 shkurt 2022, bashkëshorti i prokurores Reka, gjyqtari i Durrësit Shpëtim Reka u shkarkua nga detyra, pasi KPK konkludoi se ai është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e disa çështjeve, si dhe ka kryer transaksione të blerjeve dhe shitjeve të një makine në kundërshtim me etikën dhe sjelljen e duhur për një magjistrat.

Flora Reka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1988. Ajo punon prej më shumë se dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Durrës.

Qëndrimi ndryshe për pasuritë

Prokurorja Reka ka deklaruar një pasuri truall me sipërfaqe 500 m2 të blerë nga Bashkia Himarë, në bashkëpronësi me vëllanë D.A. në gusht të vitit 2002 në vlerën 200 mijë lekë. Si burim krijimi për pjesën takuese 50% ka deklaruar të ardhurat familjare, prej nga ka rezultuar se ka pasur mundësi për pagesën e shumës 100 mijë lekë.

Për këtë pasuri, nga Bashkia Himarë është miratuar aktvlerësimi i truallit në zbatim të vendimit të KRRT-së së Prefekturës dhe vendimit të Këshillit Bashkiak Himarë të vitit 2002 për shesh-ndërtimin me sipërfaqe 500 m2 për banesë dy kate.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ASHK Vlorë ka informuar se nga verifikimi në sistemin elektronik të të dhënave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, nuk rezulton që kjo pasuri të jetë në pronësi të subjektit të rivlerësimit, si dhe nuk ka ndërtim.

E pyetur nga Komisioni lidhur me qëllimin e blerjes, Reka ka sqaruar se ka qenë dëshira për të kryer investim, por ky qëllim nuk është përmbushur dhe pasuria nuk është përdorur asnjëherë. Ajo ka shtuar se nuk di përse kjo pasuri nuk është regjistruar, pasi së bashku me vëllanë kanë depozituar dokumentet përkatëse, si dhe se vijon procedura për regjistrimin e kësaj prone.

Megjithëse Komisioni ka ngritur fillimisht dyshime se kjo pasuri duket të jetë përfituar nga subjekti në kundërshtim me ligjin, si dhe e ka zotëruar në mënyrë të padrejtë, shpjegimet e Rekës e kanë bindur shumicën. Ajo ka sqaruar se familjarisht janë nga Himara dhe se përfitimi i kësaj pasurie truall nuk është bërë vetëm prej saj, por edhe nga familjarë të tjerë.

Subjekti ka këmbëngulur se trualli është përfituar në formën e kërkuar nga ligji dhe se dokumenti i përpiluar përmban të gjitha ekstremitetet për të qenë i rregullt, si datën, nënshkrimet përkatëse dhe vulën e institucionit nga Bashkia Himarë.

KPK vëren se akti i shitblerjes është formalizuar përpara noterit në Himarë dhe se është shlyer gjithë çmimi. Në përfundim, shumica arrin në konkluzionin se Reka e ka deklaruar me vërtetësi këtë pasuri.

Komisionerja Xhensila Pine në pakicë vlerëson ndryshe. Sipas saj, subjekti nuk ka arritur të shpjegojë dhe të provojë ligjshmërinë e krijimit të kësaj pasurie, pasi nuk janë zbatuar dispozitat ligjore me karakter urdhërues të ligjit nr.7980/1995, “Për shitblerjen e trojeve”.

Pakica thekson se kjo dispozitë lejonte tjetërsimin e trojeve pronë shtetërore në pronë private vetëm në dy raste – për ndërtim banesash për të pastrehë që lirojnë banesat e ish-pronarëve, apo me vendim të Këshillit të Ministrave për investime të rëndësishme.

Në vjim të arsyetimit të saj Pine sjell në vëmendje parimin e dijenisë së ligjit si i zbatueshëm për të gjithë. “Sikurse Bashkia Himarë edhe subjekti i rivlerësimit, Flora Reka, palë në kontratën e shitblerjes së këtij trualli, kishin detyrimin të njohin dhe të zbatojnë ligjin, duke respektuar urdhërimin ndalues ligjor për të mos propozuar apo pranuar kryerjen e veprimit juridik të shitblerjes së trojeve shtetërore jashtë rasteve të parashikuara në ligj”, konstaton pakica dhe vlerëson se ky transaksion afekton drejtëpërdrejtë besimin e publikut te drejtësia.

Prokurorja Reka ka deklaruar një apartament 1+1 me sipërfaqe 70.7 m2 në Tiranë, me vlerë të shënuar në kontratë 900 mijë lekë, por me vlerë të paguar 500 mijë lekë. Si burim krijimi ka deklaruar përftimin nëpërmjet dhurimit nga babai në vitin 2000 dhe blerjen e pjesshme, të një sipërfaqe 10-12 m2.

Nga hetimi ka rezultuar se trualli ku është ndërtuar objekti ku gjendet apartamenti është përfituar nga babai i subjektit në cilësinë e trashëgimtarëve nëpërmjet vendimit të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave. Në vitin 1998, babai i subjektit i ka dhuruar të birit pjesën e tij takuese, pa kundërshpërblim. Vëllai i prokurores Reka e ka zhvilluar pronën dhe nga kontrata e sipërmarrjes ka përfituar edhe apartamentin me sipëraqe 70.7 m2, që është regjistruar në emër të tij. Apartamenti në vitin 2000 është blerë nga subjekti për vlerën 900 mijë lekë.

Prokurorja Reka ka shpjeguar se i ka paguar të vëllait vlerën 500 mijë lekë për rreth 10-12 m2 që kishte apartamenti më shumë nga pjesa që mund t’i dhuronte i ati.

Në fillim Komisioni ka konstatuar se pretendimi për dhurimin e pjesës më të madhe të apartamentit mbetet në nivel deklarativ dhe i padokumentuar. Reka u ka qëndruar shpjegimeve të saj që në përfundim shumica i ka vlerësuar bindëse.

“Fakti se kjo kontratë nuk është kontestuar dhe se vëllai i subjektit ka deklaruar se veprimet e kryera janë të vërteta dhe reale, e të pavesuara, si dhe nisur nga marrëdhënia familjare mes trashëgimtarit të truallit, investitorit dhe subjektit të rivlerësimit si përfituese e kësaj pasurie, trupi gjykues vlerëson të besueshme deklarimet e subjektit të rivlerësimit, nisur edhe nga fakti se marrëdhënia është familjare, e logjikshme, si dhe kontrata është juridikisht e vlefshme”, konkludon shumica.

Pine në pakicë thekson se ka mbetur deklarativ dhe i padokumentuar pretendimi i subjektit të rivlerësimit për dhurimin pjesërisht të kësaj pasurie nga babai i saj dhe blerjen e sipërfaqes shtesë nga kjo pasuri prej 10-12 m2 , në vlerën 500.000 lekë.

Pakica vëren se subjekti ka konfirmuar se ka hartuar një dokument noterial me deklarime për fakte ose për veprime që nuk janë kryer, lidhur me mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie apo çmimin e saj. Sipas Pines, kjo situatë afekton drejtpërdrejt besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Reka ka deklaruar një apartament tjetër me sipërfaqe 51 m2 në Plazh Durrës në emër të djalit, të dhuruar prej nënës së saj. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Reka ka deklaruar të ardhurat e nënës së saj nga dhënia me qira në vite të një shtëpie në Lion të Francës, ku ajo ka qenë bashkëpronare në cilësinë e trashëgimtares nga i ati, si dhe nga shitja e asaj pasurie në vitin 1998.

Për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë për të vërtetuar të ardhurat e nënës së subjektit nga dhënia me qira dhe shitja e shtëpisë në Lion të Francës, ka rezultuar pamundësi financiare për blerjen e apartamentit në Durrës. Nisur dhe nga fakti se nëna e subjektit jetonte në Tiranë dhe se e ka kryer këtë investim kur ishte e moshuar, Komisioni ka ngritur fillimisht dyshime se mund të ishte pasuri e fshehur e subjektit.

Reka ka pretenduar se, me të gjitha provat indirekte që kanë paraqitur nuk mund të vihej në dyshim ekzistenca e banesës së trashëguar nga e ëma dhe përdorimi prej saj gjatë muajve të verës, si dhe përfitimi kësaj pasurie nga të ardhurat nga qiraja dhe shitja e shtëpisë në Francë.

Shumica vëren se nga shpjegimet dhe provat e dorëzuara lidhur me shpenzimin e energjisë elektrike, rezulton se shtëpia është blerë fillimisht nga e ëma dhe se është përdorur prej saj për periudhat e verës. Pas vitit 2016, kur është përfituar nëpërmjet dëshmisë tetsamentare nga djali i Rekës, sipas shpenzimeve të energjisë elektrike ka rezultuar se apartamenti është përdorur rregullisht, me një rritje të konsumit mujor.

Në përfundim, KPK vlerëson se ky apartament është krijuar nga nëna e Rekës në mënyrë të ligjshme dhe se djali i subjektit e ka fituar përmes trashëgimisë.

Pine në pakicë konstaton se nga ana e subjektit të rivlerësimit nuk u provua mundësia financiare e dhurueses dhe se rrethanat e konstatuara gjatë hetimit administrativ janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin se ky apartament është pasuri e fshehur.

Kundërshtitë për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informaciomnit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar raporte pozitive për prokuroren Reka. Ndërkohë, nga sistemi TIMS ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit, gjyqtari Shpëtim Reka, në vitin 2012 ka dalë nga pika kufitare Qafë Botë me një automjet të marrë me qira, në pronësi të shtetasit Xh. T. i cili ka rezultuar i proceduar penalisht.

Reka ka shpjeguar se kontakti i bashkëshortit me këtë person ka ndodhur në kushte krejt rastësore dhe normale. Ajo ka sqaruar se do të kryenin udhëtim drejt Greqisë ku do të merrnin me vete edhe dy nipër dhe për këtë arsye nevojiteshin dy automjete. Sipas saj, për gjetjen e automjetit është interesuar shtetasi N.K., babai i dy fëmijëve që do merrnin me vete. Subjekti ka paraqitur si provë deklaratën noteriale të lëshuar nga prindërit e shtetasit T. K. për lejimin e djalit T. të udhëtojë jashtë shtetit i shoqëruar prej saj dhe bashkëshortit.

Po ashtu, Reka ka dorëzuar dhe një deklaratë notriale të N.K. që pranon se marrëdhënia e qirasë së automjetit ka qenë e tij.

Shumica arsyeton se rrethana e konstatuar nuk ka qenë e tillë që duhej deklaruar në deklaratën “veting”, pasi ka kaluar shumë kohë, si dhe nuk rezulton ndonjë kontrakt i mëvonshëm me pronarin e mjetit.

Pine në pakicë vlerëson se pretendimi i Rekës se nuk njihej me pronarin e automjetit të marrë me qira dhe të përdorur në vitin 2012, bie ndesh me qasjen e saj në kontekstin e sigurisë personale edhe të përgjegjshmërisë profesionale.

“Përdorimi i automjetit të një personi me probleme me drejtësinë nga një përfaqësuese e zyrës së prokurorisë që ka në juridiksion komunitetin, ku ky individ jeton, është përtej çdo debati një sjellje e cila ndikon në perceptimin negativ të qytetarëve në integritetin, përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e organeve të drejtësisë”, vijon Pine arsyetimin e saj dhe në vlerësimin tërësor të çështjes konkludon se prokurorja Flora Reka ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *