Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj ( në qendër me xhaketë të zezë) në KPK | Foto : LSA
KPK Lajme Vendi

ONM i kërkon Komisionerit Publik apelimin e vendimit për gjyqtaren Atalanta Zeqiraj

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon rishqyrtim të çështjes së Zeqirajt për të verifikuar nëse standardi i proporcionalitetit i përdorur nga KPK është i njëjtë me atë të vendosur nga Kolegji në vendime të ngjashme.

Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj ( në qendër me xhaketë të zezë) në KPK | Foto : LSA

Vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i kërkuan të premten Komisionerit Publik që të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj gjyqtares së Vlorës Atalanta Zeqiraj. Në rekomandim vëzhguesit kërkojnë verifikim të burimit të ligjshëm të të ardhurave të babait të Zeqirajt, kryesisht sa i përket blerjes së dy apartamenteve në të cilat gjyqtarja ka banuar dhe dy dhurimeve.

Vëzhguesit thonë se kërkojnë që në Kolegj të sqarohet standardi i proporcionalitetit i përdorur nga KPK në këtë rast. “Mbetet e paqartë nëse standardi i proporcionalitetit i aplikuar nga KPK në vendimin e konfirmimit të Atalanta Zeqiraj, është i ngjashëm me standardet e proporcionalitetit të përdorura nga Kolegji i Apelimit në vendime të mëparshme”, thuhet në rekomandim.

Zeqiraj u konfirmua nga KPK në 30 qershor dhe vendimi i konfirmimit të saj u publikua nga Komisioni po të premten. Në vendim trupa e KPK, Firdes Shuli kryesuese, Roland Ilia relator dhe Etleda Çiftja anëtare, i referohen proporcionalitetit në lidhje me mos deklarimin prej Zeqirajt në deklarimet periodike të burimit të ligjshëm që i kishte shërbyer babait në blerjen e një apartamenti në Vlorë, që gjyqtarja e përdorte pa kundërshpërblim.

Në vendim KPK thotë se Zeqiraj solli prova që babai kishte huazuar nga kompania që zotëronte shumën prej 3.8 milion lekë. Aty po ashtu vihet në dukje se paratë kishin qarkulluar në llogari bankare dhe lëvizja e tyre ishte dokumentuar në librat e kompanisë. Ngjashëm edhe se shuma kishte qenë në dispozicion në llogaritë e kësaj kompanie.

Por Komisioni vë në dukje se gjyqtarja kishte bërë deklarim të pasaktë duke mos deklaruar burimin e ligjshëm të pasurisë së babait. Trupa megjithatë arsyeton se ky veprime dhe veprime të ngjashme nuk ishin të mjaftueshme për ta penalizuar gjyqtaren, e cila nuk kishte pjesë në blerjen e kësaj pasurie.

Njësoj ONM arsyeton edhe mbi dy shuma dhuratë të marra nga babai. Komisioni thotë se edhe pse nuk kishte deklaruar më vete shumën prej 5 mijë euro, Zeqiraj kishte deklaruar makinën dhe burimin në blerjen e makinës që ishte kjo shumë. KPK gjeti se kompania e babait kishte pasur xhiro, po ashtu lëvizjet ishin regjistruar si të tilla edhe në librat e kontabilitetit të kompanisë.

Por ONM kërkon që Kolegji të rivlerësojë përfundimin e arritur nga Komisioni. Vëzhguesit këmbëngulin se provat e sjella dëshmonin mundësitë financiare të babait të Zeqiraj, por jo që burimi i këtyre mundësive ishte i ligjshëm.

Në rekomandim thuhet se Zeqiraj është kandidate për në Gjykatën e Posaçme dhe për këtë arsye çështja e saj duhej të shikohej me prioritet.

Vëzhguesit kërkojnë ndër të tjera sqarim mbi gjendjen e mundshme në konflikt interesi të Zeqirajt dhe të atit. Sipas vendimit të KPK Zeqiraj kishte pretenduar se nuk kishte dijeni për këtë gjendje dhe se në momentin që ishte njoftuar babai i saj kishte dhuruar aksionet e kompanisë. Ajo po ashtu kishte vënë në dukje se nuk kishte gjykuar çështje me institucionet nga të cilat kompania e të atit kishte marrë tenderë. Por ONM thotë se qëndrimi është kontradiktorë dhe kërkon rivlerësim të tij dhe në tërësi të qëndrimit të KPK për t’i cilësuar pasaktësitë në deklarimet e Zeqirajt si jo të mjaftueshme për masë ndaj saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *