Gjyqtari i Elbasanit, Bujar Musta pas shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Bujar Musta

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi unanimisht të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Bujar Musta për problemet me të tre kriteret e vetingut.

Gjyqtari i Elbasanit, Bujar Musta pas shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Elbasanit, Bujar Musta.

Gjatë seancës dëgjimore të 15 shtatorit, Komisioni ngriti dyshime se gjyqtari i Elbasanit, Bujar Musta ka fshehur një apartament pas kontratave fiktive dhe se nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive. Gjithashtu u konstatuan dyshime për veprime të kundërligjshme në ushtrimin e detyrës dhe favorizim të të proceduarve. Gjithashtu, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte paraqitur në KPK një raport ku paraqiteshin informacione që ngrinin dyshime për përfshirjen e subjektit në korrupsion pasiv, veprime të kundërligjshme dhe shpërdorim detyre.

Musta i kundërshtoi gjetjet e Komisionit për të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Musta u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun.

Bujar Musta e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Elbasan. Në vitin 2014, Musta i është nënshtruar një procedimi disiplinor dhe ka marrë “vërejtje me paralajmërim” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *