Prokurorja Edlira Cudi | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

Prokurorja Edlira Cufi përballet me vetingun

Prokurorja e Shkodrës Edlira Cufi u përball të martën më 15 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime më së shumti lidhur me gjetje për kontakte të papërshtatshme dhe për kryerjen e hetimeve në konflikt interesi. 

Procesi i vetingut për Cufin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Etleda Çiftja. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier. 

Edlira Cufi e ka nisur karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht në Prokurorinë e Malësisë së Madhe dhe prej më shumë se dy dekadash si prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Shkodër.

Pasuria 

Seanca dëgjimore për prokuroren e Shkodrës, Edlira Cufi filloi me gjetje që kishin të bënin më së shumti me pasaktësi në deklarime për pasurinë, por pa probleme në burimet e krijimit të tyre që nga sa u deklarua ishin një shtëpi në bashkëpronësi me familjarët e përfituar nga privatizimi dhe një makinë e blerë në vitin 2019 në shumën 2000 euro. 

Në vijim relatorja Alma Faskaj evidentoi se nga analiza e përgjithshme financiare rezultonte balancë negative në shumën 4 milionë lekë, që më së shumti përfaqësohej nga vlera e shpenzimeve të udhëtimeve të prindërve në Itali. 

Megjithëse Cufi deklaroi dhe në seancë se prindërit kishin qëndruar tek motra që jeton atje prej vitit 2000 dhe se ajo u kishte paguar dhe udhëtimet, kur u pyet nëse mundej të dorëzonte qoftë edhe një provë të vetme për të vërtetuar se e motra jeton në Itali, nuk dha përgjigje konkrete po ripërsëriti se e kishte shpjeguar këtë situatë.

“Nuk kam pasur kurr pasuri dhe nuk e dija se duhej të deklaroja për prindërit”, vijoi Cufi.

Kontaktet e papërshtatshme

Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar fillimisht raport pozitiv për prokuroren Edlira Cufi. Por pasi Komisioni i ka kërkuar informacion për një gjetje, si dhe ka kërkuar rifreskimin e raportit, DSIK ka ngritur dyshime për përfshirje të subjektit në veprimatri korruptive si dhe për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Në funksion të pyetjeve të KPK-së gjatë hetimit administrativ, lidhur me përdorimin e ndonjë pasurie të zotërim të personave të tjerë, Cufi ka sqaruar se prej vitit 2012 ka përdorur një autoveturë tip “Volksëagen Golf” të marrë në një pikë shitjesh makinash në Shkodër, në administrim të shtetasit A.H.. 

Faskaj vërejti se subjekti nuk e ka pasqyruar në deklaratën “veting” përdorimin e këtij mjeti që rezulton se e ka blerë në 2019-ën kundrejt shumës 2000 euro. “Subjekti ka deklaruar se e ka marrë automjetin në një pikë shitje dhe se nuk e njihte pronarin”, tha Faksaj dhe shtoi se subjekti kishte shpjeguar se pronarin e mjetit e kishte njohur vetëm kur ishte kryer akt-shitblerja. 

Komisioni e ka pyetur Cufin nëse e ka hetuar ndonjëherë administratorin e pikës së shitjes së automjeteve, por ajo e ka mohuar diçka të tillë. Edhe Prokuroria e Shkodrës ka dërguar fillimisht përgjigje se nuk rezultonte që ndaj këtij shtetasi të kishte pasur procedim të regjistruar. 

Relatorja Faskaj tha se nga sistemi TIMS është evidentuar se A.H. kishte qenë i proceduar në vitin 2012 për veprën penale “trafikim i mjeteve motorike”. Pas kërkesës së dytë drejtuar Prokurorisë së Shkodrës, ky institucion ka vendosur në dispozicion të KPK-së vendimin e pushimit të hetimit ndaj A.H., që ka rezultuar se është miratuar dhe nga subjekti i rivlerësimit në cilësinë e zëvendësdrejtueses. 

“Provohet se administratori i pikës së shitjes së automjeteve ka qenë i proceduar dhe se dhënia e mjetit subjektit të rivlerësimit ka ndodhur rreth dy muaj pasi është vendosur pushimi i hetimit”, pohoi Faskaj. 

Ndërkohë, relatorja shtoi se nga burime të paspecifikuara është mësuar se pronari i mjetit ka qenë i proceduar në Itali për vepra penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Ndërkohë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM ka siguruar disa vendime për dënimet e pronarit të mjetit në Itali gjatë periudhës 2008-2019 për shfrytëzim prostitucioni dhe shitje narkotikësh. 

“Duket se subjekti gjendet në kushtet e kontaktit të papërshtatshëm dhe të konfliktit të interesit”, theksoi Faskaj.

Prokurorja Cufi kundërshtoi që të kishte pasur dijeni se A.H. ishte personi për të cilin kishte miratuar pushimin e hetimit. Ajo tha se e njihte me këtë emër dhe se e kishte mësuar identitetin tjetër B.H. që gjendej në dosjen hetimore, vetëm kur ai kishte kryer deklarim për dhënien e mjetit në funksion të hetimit administrativ të KPK-së. 

E pyetur nga Faskaj se në çfarë kushtesh A.H. i kishte dhënë mjetin për 7 vjet pa kundërshpërblim, Cufi shpjegoi se njiheshin dhe makina ishte dhënë në kushtet e mirëbesimit. Të njëjtin argument paraqiti subjekti edhe kur u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar Ferdinando Buatier. 

Kur anëtarja Etleda Çiftja e pyeti Cufin se si duhej të kualifikohej përdorimi i mjetit, ajo ritheksoi se nuk e dinte që bëhej fjalë për të njëjtin person, pasi e njihte si A.H. dhe jo si B.H.. 

Në seancë u sqarua se Komisioni ka verifikuar dhe informacionet e DSIK-së për kontakte të papërshtatshme me disa shtetas, prej nga ka rezultuar se subjekti ka pasur komunikime telefonike me disa prej tyre. 

Nga verifikimi i sistemit TIMS kanë rezultuar se subjekti ka udhëtuar me një person të proceduar për krim të organizuar që nga sa u kuptua prej relatimit, ishte djali i kunatit të vajzës së xhaxhait të saj. Lidhur me këtë person, Cufi shpjegoi se e kishte parë kur takonte kushërirën, por shtoi se nuk ishin ulur ndonjëherë për kafe. 

Po ashtu, ka rezultuar se ka udhëtuar drejt Malit të Zi dhe me persona të tjerë që kanë qenë të proceduar penalisht. Për këto udhëtime Cufi shpjegoi se kishin qenë rastësore, pasi kishin marrë taksi me miq apo të afërm për të udhëtuar drejt Malit të Zi dhe se nuk dinin nëse drejtuesit e mjeteve kishin qenë ose jo të proceduar.  

Në përfundim, Komisioni i ka kaluar barrën e provës duke i kërkuar të shpjegojë nëse kontaktet e papërshtatshme kanë qenë ose jo rastësore, si dhe nëse udhëtimet me personat me precedentë penale bien në kundërshtim me etikën e magjistratit.

Prokurorja Cufi e kundërshtoi raportin e DSIK-së si të pavërtetë dhe të pabazuar. “Nuk ka një njeri që të dalë e të thotë që kam bashkëpunuar me kriminelë. Në vitin 1997 isha e vetmja prokurore në Shkodër që kam dalë në rrugë. Gjithë dosjet më të forta i kam pasur unë. Unë paskam bërë korrupsion? Unë nuk kam një shtëpi”, deklaroi Cufi.  

Ajo këmbënguli se nuk kishte nga ta dinte që pronari i mjetit që kishte blerë kishte qenë i dënuar në Itali. Dhe për komunikimet telefonike ajo tha se kishin qenë zyrtare. “Çfarë lidhje kam unë kur ai është i dënuar në Belgjikë apo në Itali. Ky nuk është kontakt. Kjo është një shpifje e madhe”, theksoi Cufi. 

Në seancë u evidentuan dhe disa gjetje në aspektin profesional lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit, ku subjekti rezultonte të kishte udhëtuar jashtë me persona ndaj të cilëve kishte zhvilluar hetime. 

Sipas KPK, nga hetimi ka rezultuar se në një rast Cufi ka hetuar një person me lidhje krushqie. Për këtë çështje subjekti shpjegoi se e kishte vënë në dijeni drejtuesin, por ai i kishte sygjeruar të vijonte hetimet pasi nuk ishte kushëri i gradës së pare dhe se nuk mund të dorëhiqeshin për çdo person që njihnin apo që kishin lidhje miqësore të largët. Për tre denoncimet nga publiku nuk janë gjetur indicie.

Në fund relatorja Alma Faskaj e pyeti subjektin se si do ta vlerësonte ajo një magjistrat nëse do të gjendej në situatën e saj. “Pak e shkujdesur”, deklaroi Cufi dhe kërkoi të lihej në detyrë. “Jo për gjë, por e meritoj”, përfundoi ajo. 

KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 17 shkurt, në orën 09:30.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *