Gjyqtari Sokol Ngresi duke dalë nga KPA | Foto : LSA
Analiza KPA Veting

KPA i çmoi bindëse shpjegimet e Sokol Ngresit për pasurinë

Gjyqtari e Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 11 dhjetor 2020, pasi u konkludua se mospërputhjet dhe balancat negative të rezultuara nga analiza financiare nuk janë në një shkallë që të cënojnë besimin e publikut, si dhe u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi shkarkimin e subjektit për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë, por Kolegji i gjeti të pabazuara pretendimet e tij dhe vendosi të lërë në fuqi konfirmimin në detyrë të Ngresit.

Gjyqtari Ngresi nuk u përball vetëm me ankimin e Komisionerit në KPA, pasi ndaj tij u depozituan një sërë denoncimesh që ngrinin dyshime për fshehjen e një apartamenti në Vlorë. Ngresi deklaroi se prapa denoncimeve ndaj tij për fshehje apartamenti qëndronte administratori i shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k, Flamur Kadëna dhe kërkoi seancë me dyer të mbyllura, duke pretenduar se në shpjegimet e tij do të përmendej edhe bota e krimit.

Kolegji vendosi të thërrasë si dëshmitar Kadënën në seancë publike dhe urdhëroi që ky i fundit të sjellë dokumentet origjinale të kontratës së prenotimit të apartamentit në vitin 2014 dhe ato të revokimit në 2015-ën – dokumente që u sekuestruan dhe ju nënshtruan ekspertimit në Kolegj.

Ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore konkluduan se asnjë prej dokumenteve nuk ishte nënshkruar prej gjyqtarit Sokol Ngresi. Nga dëshmitar dhe denoncues, biznesmeni Kadëna u kallëzua penalisht prej Kolegjit për “falsifikim të dokumenteve” dhe “dëshmi të rreme” në Prokurorinë e Tiranës. Më parë ai ishte kallëzuar penalisht për falsifikim edhe nga Ngresi.

Analiza e pasurisë

Sipas Ballhysës, Ngresi ka qenë në pamundësi për blerjen e një apartamenti të porositur në vitin 2012 pasi nuk ka vërtetuar ligjshmërinë e burimeve të deklaruara, konkretisht të kursimeve cash në vitin 2004; të një shume 17 mijë euro të pretenduar si të kthyer për shkak të një revokimi kontrate porosie për një apartament në vitin 2007; si dhe gjendjen cash për shkak të mosdeklarimit të tyre në vitin 2009 kur është rikthyer në detyrë.

Po ashtu, Komisioneri konstatoi se subjekti nuk kishte deklaruar dhe pagesën e një kësti prej 7.160 eurosh në 2014-ës dhe se gjendej në pamundësi për krijimin e kësaj vlere dhe të shumës 8000 euro të paguar në vitin 2015.

Kolegji e ka bazuar vlerësimin e tij në analizën dhe intepretimin e deklarimeve të subjektit në vite, në deklaratën “veting”, si dhe në shpjegimet e dhëna prej tij në ILDKPKI dhe gjatë procesit të rivlerësimit.

Ngresi ka deklaruar në vitin 2004 kursime cash në vlerën 18 mijë euro, me pjesë takuese ½-ën. Ai ka pretenduar se gjysma e kësaj vlere ishte e prindërve, ndërsa 9000 euro ishin krijuar nga pagat e tij dhe të bashkëshortes gjatë periudhës 1996-2004. Në vitin 2003 ai nuk ka deklaruar kursime cash. Nisur nga ky fakt, Komisioneri e trajton këtë kursim si një vlerë të krijuar vetëm përgjatë vitit 2004 dhe konstaton balancë negative në shumën 1.3 milionë lekë.

Por Kolegji i konsideron bindëse shpjegimet e subjektit, duke u bazuar dhe në deklaratën e vitit 2003 ku subjekti shpjegonte se kishte lidhur në 2003-in një kontratë porosie për një apartament dhe kishte shlyer këstin e parë në shumën 6000 euro po atë vit.

“Kjo shumë, ndonëse nuk është deklaruar si e kthyer në deklaratën e vitit 2004, rezulton të jetë deklaruar si e paguar në deklaratën fillestare të pasurisë, në të cilën subjekti ka deklaruar se ka paguar këtë shumë si këst të parë për porositjen e apartamentit”, argumenton KPA dhe shton se në kontratën e revokimit të vitit 2004 është deklaruar kthimi i shumës 6000 euro që sipas trupit gjykues është disponuar si likujditet.

Kolegji e cilëson të besueshëm Ngresin në këto pretendime dhe për faktin se ai është gjendur në një situatë të ngjashme edhe në vijim, duke demonstruar se ka qenë në një proces kërkimi për blerjen e një apartamenti banimi, që nuk është realizuar as herën e dytë, por është finalizuar vetëm me procedurën e tretë të porositjes së apartamentit në vitin 2012, ku jeton dhe aktualisht.

Ndonëse Kolegji shprehet se këto të dhëna nuk kanë vlerë të plotë provuese, vlerësohen si indicie që japin një informacion në nivel provueshmërie dhe ka vendosur që analizën financiare ta shtrijë në periudhën 1996-2004, ashtu si ka pretenduar subjekti.

KPA ka kryer dy analiza financiare për krijimin e cash-it – një në versionin e pretenduar nga subjekti se ai dhe bashkëshortja zotëronin vetëm ½ pjesë takuese në shumën 9000 euro dhe gjysmën prindërit e tij, ndërsa tjetra në variantin që e gjithë vlera 18 mijë euro të ishte krijuar dhe disponohej nga subjekti. Në të dy mënyrat, Ngresi dhe bashkëshortja kanë rezultuar se kanë pasur mundësi për krijimin e shumave. Po ashtu, edhe prindërit e subjektit kanë rezultuar me burime të mjaftueshme për krijimin e shumës 9000 euro.

Në funksion të shkakut të parë për pamundësinë e burimeve për blerjen e apartamentit, KPA ka shqyrtuar dhe pretendimin tjetër të Komisionerit se subjekti nuk ka deklaruar në 2007-ën kthimin e shumës 17 mijë euro pas revokimit të kontratës së porosisë së dytë për blerje banese dhe për rrjedhojë kjo vlerë të mos konsiderohet.

Edhe këtë pretendim, KPA e lidh me interpretimin e të dhënave të deklaruara prej subjektit të rivlerësimit në atë vit.

Në deklaratën e vitit 2007, Ngresi ka pasqyruar prenotimin e apartamentit me vlerë 33 mijë euro, pagesën e këstit të parë 17 mijë euro dhe këstin e dytë 16 mijë euro me kredi. Po në këtë deklaratë ai ka pasqyruar revokimin e kontratës dhe kthimin e këstit të dytë 16 mijë euro, por nuk ka shënuar kthimin e shumës 17 mijë euro të paguar për këstin e parë.

Ngresi ka pretenduar se nuk e kishte deklaruar shumën 17 mijë euro pasi gjendja cash e deklaruar prej tij në vite nuk kishte pësuar ndryshime. Ai ka argumentuar se ndryshime kishte sjellë vetëm shuma 16 mijë euro dhe prandaj e ka pasqyruar këtë transaksion në deklaratë.

Kolegji vëren se këto shpjegime subjekti i ka deklaruar dhe në ILDKPKI në vitin 2011. “Kolegji krijon bindjen se mosdeklarimi i marrjes mbrapsht të shumës prej 17.000 eurosh, është i lidhur me faktin se në fund të vitit të deklarimit, gjendja cash e subjektit nuk kishte pësuar ndryshime për shkak të zgjidhjes së kontratës së porosisë dhe me mënyrën se si ai ka interpretuar rubrikën e ndryshimeve të pasurisë së paluajtshme e të luajtshme në deklaratën e vitit 2007”, vlerëson trupi gjykues.

Kolegji ka analizuar dhe pretendimin tjetër të Ballhysës se subjekti nuk kishte pasur burime për krijimin e shumës 17 mijë euro. Veç shumës 9000 euro e konsideruar si gjendje cash në vitin 2004, KPA konkludon se Ngresi ka rezultuar me balancë pozitive dhe në vitet në vijim dhe se mundej ta dispononte vlerën 17 mijë euro në 2007-ën.

Në vijim KPA vlerëson pretendimin e Ballhysës lidhur me mosdeklarimin e kursimeve cash në vitin 2009, kur ai është rikthyer në detyrë. KPA i jep rëndësi të veçantë analizës dhe interpretimit të deklarimeve të subjektit të rivlerësimit në vitin 2010, moment kur ai deklaron rishtas pas rikthimit të tij në detyrë. Ngresi është shkarkuar nga detyra në shkurt të vitit 2008 dhe është rikthyer në funksion në qershor të 2009-ës, në zbatim të një vendimi të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

KPA vëren se subjekti nuk ka plotësuar formularin e deklarimit para fillimit të detyrës brenda afatit 30-ditor dhe as formularin e deklarimit pas largimit nga funksioni, në kohën kur e ka lënë detyrën.

Ndërkohë, ai ka plotësuar në mars të vitit 2008 formatin e deklarimit periodik vjetor që i përkiste vitit 2007 duke përfshirë në të edhe të ardhurat e realizuara deri në ditën e qenies në detyrë. Të njëjtin format subjekti e ka ndjekur edhe pas rikthimit në detyrë, duke plotësuar në mars të vitit 2010, formularin e miratuar për plotësimin e deklarimeve periodike, të emërtuar me shkrim dore në pjesën hyrëse të tij, si “para fillimit të detyrës”.

Në këtë deklaratë që Ngresi e ka cilësuar si modeli “para fillimit të detyrës”, ka deklaruar të ardhurat nga avokatia në shumën 3.2 milionë lekë, për të cilat rezultojnë të paguara detyrimet tatimore e që janë realizuar përgjatë periudhës qershor 2008 deri në tetor 2009. Në të njëjtën deklaratë rezulton se subjekti ka deklaruar të gjitha lëvizjet me pasuritë, të cilat konsistojnë në shitje e blerje automjetesh, të ndodhura përgjatë këtij harku kohor.

Kolegji konstaton se subjekti nuk ka plotësuar saktë, në formatin e duhur e mënyrën e duhur, deklaratat e pasurisë pas largimit nga funksioni dhe para fillimit të detyrës. Megjithëse Ngresi ka pretenduar se nuk ishte përgjegjësia e tij, pasi ILDKPKI këtë format i kishte vënë në dispozicion, KPA vlerëson se subjekti nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia për mosnjohjen e formateve të saktë.

Por, nisur nga fakti se këto pasaktësi janë konstatuar në kohë nga ILDKPKI që ka proceduar me pyetjen e subjektit për të sqaruar çështjet e paqarta, Kolegji i ka konsideruar deklarimet e atëhershme të subjektit si dokumente ligjore dhe me vlerë provuese.

Bazuar në shpjegimet e Ngresit në vite dhe ato gjatë hetimit administrativ, është konkluduar se ai ka poseduar në momentin e rifillimit të detyrës shumat në cash për të cilat kishte bërë deklarimet e fundit në deklaratën e vitit 2007 e të cilat nuk rezultojnë se janë përdorur deri në momentin e përpilimit të deklaratës në mars të vitit 2010 për investime apo financime të tjera.

Bazuar në këtë intepretim të deklarimeve dhe fakteve, nga analiza financiare e kryer në KPA ka rezultuar se Ngresi ka pasur burime të ligjshme për të justifikuar pagimin e këstit prej 20 mijë eurosh në nëntor të vitit 2012.

“Pavarësisht deklarimeve të paplota të subjektit të rivlerësimit në vitet e pretenduara prej Komisionerit Publik, […], krijon bindjen se ato janë të besueshme e të mjaftueshme për të kapërcyer testin e besueshmërisë së deklarimeve dhe justifikimit me burime të ligjshme të pasurisë”, vlerëson Kolegji.

Balancat negative në shumat 116 mijë lekë dhe 362 mijë lekë për pagesat e dy kësteve në vitet 2014 dhe 2015 nuk janë vlerësuar penalizuese. Nga analiza financiare e kryer në Kolegji ka rezultuar se Ngresi ka pasur burime të ligjshme në vite dhe për blerjen e disa automjeteve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *