Gjyqtari Markelian Kuqo pas një seance në KPA. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
Lajme Vendi

KPA pranon kërkesën e Markelian Kuqos dhe i kërkon KLGJ të plotësojë dosjen

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi një kërkesë nga gjyqtari i shkarkuar i Korçës Markelian Kuqo për tu njohur me dosje të plotë të shkarkimit të tij nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe shtyu seancën për në janarin e vitit 2022.

Gjyqtari Markelian Kuqo pas seancës në KPA. Foto:Vladimir Karaj/BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të hënën një kërkesë nga gjyqtari i shkarkuar Markelian Kuqo për tu njohur me dosje të plotë të shkarkimit të tij nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Kolegji po shqyrton ankimin e Kuqos ndaj procedimit disiplinorë prej Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që solli shkarkimin e tij nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në 10 dhjetor të vitit 2020.

Trupa e KPA që po shqyrton ankimin ndaj masës disiplinore është e kryesuar nga Albana Shtylla në cilësinë e kryetares, me relatorë Ardian Hajdari, dhe anëtarë Ina Ramën, Natasha Mulajn, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.

Në fillim të procesit Kuqo paraqiti një kërkesë paraprake për tu njohur me dosjen e plotë të procedimit ndaj tij. Ai pretendoi se kjo nuk i ishte bërë e mundur nga KLGJ. Pasi u tërhoq në dhomë këshillimi KPA doli me vendim për ta pranuar kërkesën dhe i dha kohë KLGJ deri në 28 dhjetor të dorëzonte të plota materialet e dosjes. Seanca u shty për në 17 janar 2022.

Ky është ankimi i parë ndaj procedimeve disiplinore të ILD që mbërrin në Kolegj. KPA veç ankimeve në procesin e vetingut do të shqyrtojë edhe ankimet për procedime disiplinore deri në përfundim të mandatit të saj.

Gjyqtari Markelian Kuqo u shkarkua nga Këshilli i lartë Gjyqësor me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani,  një vit më parë. Gjyqtari i Korçës u shkarkua pasi sipas KLGJ kishte bërë shkelje të rënda dhe cënuar besimin te drejtësia në vendimin për lirimin me kusht “të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997”.

“Faktet dhe rrethanat janë parashtruar dukshëm në mënyra të shtrembëruar dhe vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale (me natyrë objektive) si dhe atyre me natyrë subjektive të nenit 64 dhe 65 të Kodit Penal”, thuhet në kërkesën e Metanit për shkarkimin e Kuqos.

Gjyqtari Kuqo i kundërshtoi akuzat para KLGJ-së duke i cilësuar inkuizicion. “Kjo në këtë rast është inkuizicion. ILD e pranon që vendimi ka argument. Vendimi në fakt nuk mund të shërbejë si praktikë gjyqësore dhe unë s’kam pse të kem asnjë përgjegjësi pse përdoret vendimi nga të tjerët. Po ky është inkuizicion”, u shpreh ai në mbrojtje.

Vendimi i gjyqtarit për lirimin e Gjenerarit u rrëzua në Apel, pas ankimit të Prokurorisë së Korçës. Por i burgosuri nuk është kthyer më në qeli dhe nuk është gjetur dot nga policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *