Gjyqtaret e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një seance. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA

KPA me dy qëndrime për Selami Zallin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 17 qershor 2022 të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ish-ndihmësin ligjor të Gjykatës së Lartë, Selami Zalli, për ndërprerjen e vetingut dhe ndalimin e rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Vendimi u mor me shumicë votash, ku shumica e përbërë relatorja Ina Rama dhe anëtarët Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Sokol Çomo i rrëzuan si të pabazuara pretendimet e Zallit të ngritura në ankim lidhur me procesin e rregullt ligjor, ndërsa kryesuesja Natasha Mulaj në pakicë vlerëson si të drejtë kërkimin e subjektit për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit në të tre kriteret.

Selami Zalli ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor të Gjykatës së Lartë prej 22 korrikut 2009 deri më 28 mars 2017 dhe për këtë arsye ndaj tij ka nisur procesi i rivlerësimit ex officio prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK. Në kuadër të procesit të vetingut, Zalli ka plotësuar dhe dërguar pranë institucioneve kompetente deklaratën e pasurisë, deklaratën për kontrollin e figurës, si dhe formularin për vetëvlerësimin profesional.

Më datë 24 mars 2017, ai ka paraqitur para Kryetarit të Gjykatës së Lartë kërkesë për lirimin nga detyra e ndihmësit ligjor, pasi ishte shpallur fitues në konkurrimin e zhvilluar për pozicionin e Drejtorit të Informacionit pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Mbi bazën e kësaj kërkese, kryetari i Gjykatës së Lartë ka vendosur lirimin e tij nga detyra dhe prej asaj date Zalli ushtron veprimtarinë e tij profesionale pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Kur është njoftuar prej Komisionit në shtator të vitit 2021 për procesin e rivlerësimit të filluar ndaj tij, Zalli ka pretenduar ndër të tjera se ai nuk është subjekt i legjislacionit për vetingun e magjistratëve, me argumentin se procedurat për kalimin në detyrën e re, kanë nisur prej tij para hyrjes në fuqi të ligjit.

Po ashtu, ka vendosur në dispozicion të KPK-së dokumentacion me të cilin vërteton se nuk ka marrë pjesë në testimin e kryer nga Shkolla e Magjistraturës, pasi nuk është përfshirë prej saj në listën e personave që duhej të kryenin këtë testim.

Subjekti ka kërkuar pushimin e procesit të rivlerësimit duke pretenduar se ai nuk e ushtron prej kohësh detyrën e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, si dhe ka theksuar se nga ky funksion është larguar me dorëheqje dhe jo sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës, por për shkak të largimit në një detyrë tjetër, me një status më të mirë nga ai që kishte më parë.

KPK ka vlerësuar se Zalli ka pasur statusin e magjistratit në momentin e hyrjses në fuqi të legjislacionit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Zalli ka këmbëngulur se nuk kishte qenë subjekt rivlerësimi, por KPK e ka ftuar në seancë dëgjimore. Në vijim, më datë 1 janar 2021 subjekti ka kërkuar përjashtimin e gjithë trupës së KPK-së, kërkesë që është rrëzuar nga një tjetër trupë.

Subjekti ka rimarrë kohë shtesë për përgatitjen e mbrotjes dhe në parashtrime ka rikërkuar pushimin e procesit të rivlerësimit, me argumentin se nuk ishte pjesë e ligjit, ndërsa si kërkim alternative ka parashtruar që nëse do të konsiderohej si subjekt rivlerësimi, atëherë të çelej hetimi për të tre kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe për profesionalizmin – duke shprehur gatishmërinë për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në KPK më 22 dhjetor 2021, relatori i çështjes, Olsi Komici vërejti se Zalli nuk e kishte kryer kërkesën për lirim sipas ligjit, pasi nuk ia kishte drejtuar Presidentit të Republikës dhe për rrjedhojë vijonte të ishte subjekt rivlerësimi.

KPK konstatoi se Zalli gjendej në kushtet e parashikuara në nenin G të Anksit të Kushtetutës, ku në rastet e dorëheqjes nga detyra përcaktohet që ndëprerja e vetingut të shoqërohet me ndalimin e emërimit të subjektit në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Vendimarrja e Komisionit për shoqërimin ndërprerjes së rivlerësimit kalimtar me sanksionin 15-vjeçar, u ankimua nga Zalli i cili pretendoj se vendimi është marrë në cënim të së drejtës së tij për një proces të rregullt ligjor si dhe si pasojë e interpretimit të gabuar të statusit të tij.

Sipas subjektit, atij i ishte cënuar e drejta për hetim efektiv, parimi i barazisë së armëve, standarti i arsyetimit të vendimit, parimi i sigurisë juridike, si dhe i së drejtës për një jetë private në lidhje me veprimtarinë me natyrë profesionale.

Të gjitha këto pretendimet janë rrëzuar sit ë pabazuara nga Kolegji që argumenton se Komisioni i ka kryer në përputhje me legjislacionin procedurat e zhvilluara dhe shton se subjekti aktualisht ushtron detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Informacionit pranë institucionit shtetëror të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, duke mos ju cënuar e drejta private që ka të bëjë me aspektin profesional.

Në vijim KPA analizon situatën e statusit të magjistratit të Zallit. Kolegji sjell në vëmendje se Zalli nuk ishte votuar në nëntor të vitit 2016 nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me procedurën e vitit 2015 ku ai kishte aplikuar për një pozicion si anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

“Vullneti i tij i pafinalizuar me emërimin në ndonjë detyrë tjetër para hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit nr. 84/2016, por edhe para se ai të plotësonte deklaratën vetting, nuk e zhveshin subjektin nga pasja e statusit të subjektit të rivlerësimit sipas këtij legjislacioni”, vlerëson shumica e KPA.

Trupa gjykuese e KPA konstaton se, si nga aktet e administruara në Komision, ashtu dhe nga shpjegimet e subjektit, nuk evidentohet koha se kur ai ka aplikuar për pozicionin e punës që mban, por evidentohet vetëm koha e ndërprerjes së marrëdhënies së punës me Gjykatën e Lartë dhe fillimi i kësaj marrëdhënieje me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit, në datën 30 mars 2017.

“Subjekti në kohën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit nr. 84/2016, ushtronte funksionet e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, duke plotësuar në këtë mënyrë përcaktimin e pikës 4 të nenit 179/b të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit ex officio”, vlerëson Kolegji dhe sjell në vëmendje se vetë Zalli e ka konsideruar dhe trajtuar veten në të njëjtën mënyrë, për sa kohë që në janar të vitit 2017 ka plotësuar deklaratat sipas shtojcave të ligjit të vetingut të magjistratëve.

Lidhur me mënyrën e largimit nga detyra, Zalli ka pretenduar se ajo duhet gjykuar thjesht si një shprehje vullneti për të shkuar në një detyrë tjetër dhe jo si mekanizëm për t’iu shmangur rivlerësimit kalimtar, për të cilin ai thekson se ka kërkuar nga Komisioni rivlerësim të të tria kritereve.

Por, KPA vëren se në shkallën e parë të vetingut janë analizuar kushtet dhe rrethanat specifike të rastit që kanë çuar drejt vendimit se procesi duhej ndërprerë, pasi nuk është gjetur i drejtë pretendimi subjektit për kryerjen e procesit të rivlerësimit.

“Pretendimi i subjektit se Komisioni nuk ka analizuar e arsyetuar lidhur me këtë kërkim të tij, shihet i lidhur me faktin që qëndrimi i Komisionit ka qenë i orientuar drejt një vendimmarrjeje me natyrë procedurale dhe pa i hyrë thelbit të procesit, qëndrim i cili i është bërë me dije edhe subjektit përgjatë procedurës administrative. Fakti që subjekti e ka kontestuar këtë qëndrim dhe nuk është dakord me të, nuk afekton procedurën e zhvilluar prej Komisionit në drejtim të procesit të rregullt ligjor”, vlerëson KPA dhe e gjen të pambështetur në dispozita ligjore kërkimin për prishjen e vendimit të Komisionit dhe urdhërimin e këtij të fundit për kryerjen e procesit të rivlerësimit.

Në përfundim, shumica e trupës së KPA çmon se Komisioni me të drejtë ka vendosur ndërprerjen e vetingut për Zallin dhe i ka hequr atij të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Anëtarja në pakicë, Natasha Mulaj paraqet qëndrim të ndryshëm duke vlerësuar se duhej të ishte vijuar me procesin e rivlerësimit, ashtu si ka kërkuar subjekti. Mulaj vlerëson se ky rast nuk është i ngjashëm me ato të magjistratëve të tjerë, të cilët kanë dhënë dorëheqjen me qëllim shmangien e vetingut.

“Subjekti i rivlerësimit Selami Zalli kërkon rivlerësimin e tij si në Komision, ashtu dhe në Kolegj”, konstaton Mulaj dhe sjell në vëmendje se subjekti ka shprehur vullnet për t’u punësuar diku tjetër që prej vitit 2015. Ajo shton se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka parashikuar qartë se procesit të vetingut mund t’i nënshtrohen me kërkesë e nëse plotësojnë kriteret sipas ligjit, edhe ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet.

Pakica vlerëson se ligjvënësi nuk ka pasur si qëllim të privojë subjektet e rivlerësimit nga ky proces, pasi ata duhet të jenë të lirë të kryejnë detyra të ndryshme edhe për periudhën e rivlerësimit. “Neni G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës, në vlerësimin tim, është i zbatueshëm vetëm në ato raste kur subjekti i rivlerësimit bën përpjekje për t’iu shmangur këtij procesi me anë të dorëheqjes”, arsyeton Mulaj.

Sipas këtij arsyetimi, Mulaj çmon se aplikimi i sanksionit 15-vjeçar të përcaktuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës nuk gjen mbështetje në rastin e Zallit, pasi nuk provohet se ai ka kërkuar dorëheqjen me qëllim shmangien e tij nga procesi i rivlerësimit. Në përfundim, ajo çmon se vendimi i KPK-së duhej të ishte prishur, për t’i hapur rrugë kështu procesit të rivlerësimit të subjektit Selami Zalli.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *