Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 14 janar lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të prokurorit të Elbasanit, Petref Asllani. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtarë Sokol Çomo, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Asllanit ndaj vendimarrjes së Komisionit. Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori i Elbasanit, Petref Asllani u shkarkua nga Komisioni më 14 maj të vitit 2024, pasi u evidentuan një sërë problemesh në kriterin e pasurisë. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për figurën dhe se kishte arritur nivel kualifikues për profesionalizmin.
Petref Asllani e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokurorinë e Elbasanit.




