Prokurori Gëzim Copa pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

KPK gjen balanca negative të mëdha në pasuritë e prokurorit Gëzim Copa

Prokurori i Durrësit, Gëzim Copa u përball të martën më 20 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha dhe për gjetjet në kriterin e pastërtisë së figurës e profesionalizmit, të cilat i kundërshtoi dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i vetingut për prokurorin Copa po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Gëzim Copa filloi punë si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2005 dhe më pas në vitet 2009-2014 punoi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI në detyrën e ndihmës inspektorit dhe më pas si sekretar i Përgjithshëm. Ai është emëruar prokuror në vitin 2015, fillimisht në Pukë dhe më pas në Prokurorinë e Kavajës. Aktualisht e ushtron funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm të Durrësit.

Bilancet negative

 ILDKPKI ka konstatuar se Copa ka kryer deklarim jo të saktë të pasurisë, se ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimet e krijimit si dhe mosdeklarime në vite.

Komisioni ka verifikuar pasuritë e pasqyruara në deklaratën “veting”, për pjesën më të madhe të të cilave që i ka përfituar me trashëgimi ligjore, nuk ka gjetur probleme. Konkretisht, nuk janë gjetur probleme për tre pemishte; për një sipërfaqe të konsiderueshme pylli; dy ngastra tokë arë; një sipërfaqe trualli; një tokë të përfituar nga bashkëshortja; për një gjendje cash trë djalit në shumën 360 mijë lekë me burim një kredi; si dhe për investime në obligacione në vlerën 13 milionë lekë në 2013-ën, me burim të ardhurat nga shitja e nje sipërfaqe toke.

Në vijim, KPK konstatoi se subjekti nuk ka pasur mundësi për të mbuluar me burime të ligjshme një pjesë të ndërtimit të një shtëpie me 2 kate + papafingo në vitet 1995-1996, të deklaruar me vlerë 5 milionë lekë dhe burim nga shitja e toke në pronësi të nënës në vitin 1995. Sipas KPK, Copa ka bërë deklarime kontradiktore për kohën e ndërtimit dhe për rrjehdojë është kryer një vlerësim alternative për vlerën e ndërtimit duke konsideruar se është kryer gjatë viteve 1995-1998, prej ngaka rezultuar bilanc negativ.

Prokurori Copa vërejti në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore se hetimi administrativ kishte filluar prej vitit 1991, megjithëse ajo ka filluar punë si prokuror në 2015-ën. Ai theskoi se pjesa më e madhe e pronave janë përfituar me trashëgimi ligjore, të cilat nëna i kishte përfituar me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, ose me vendime gjyqësore. Sipas prokurorit Copa, edhe pasuritë e tjera kanë burime të arhdurat e përfituara prej pronave të trashëguara. Përfaqësuesja ligjore e subjektit, avokatja Romina Zano pohoi pohoi se kjo banesë është pasuri e trashëguar dhe se ka burim shitjen e tokës nga nëna në vitin 2015. “Pasuria është krijuar kohë para fillimit të detyrës dhe vjen për shkak të ligjit si trashëgimtar ligjor”, argumentoi ajo dhe sqaroi se kishin vërtetuar me anë të fotove se punimet për sheshin e ndërtimit kishin filluar në vitin 1991, ndërsa hapja e themeleve në ’93-in. sipas avokates, punimet janë kryer dhe ndjekur nga babi i subjektit.

Ajo e cilësoi të padrejtë vlerën e materialeve të ndërtimit të konsideruar nga Komisioni, duke pretenudar se kanë qenë disa herë më të ulëta. Po ashtu, solli në vëmendje se punimet në atë kohë kryheshin me ndihma dhe nga ustallarët e zonës. Zano kundërshtoi edhe periudhën e ndërtimit të përcaktuar nga Komisioni, duke pohuar se vërtetohej me anë të fotove se në vitin 1996 ishin përfunduar punimet për ta bërë shtëpinë të banueshme dhe se një pjesë e objektit ishte dhënë me qira në ’97-ën, që sipas saj sërish bëhej e qartë me foto të asaj kohe.

Ajo kërkoi që të zbritej vlera e TVSH-së dhe fitimi të përllogaritura nga KPK, duke argumentuar se kjo llogari kryhej për shoqërtië e ndërtimit. Zano tha se vlera e ndërtimit të banesës rezulton 5 milionë lekë, që mbulohet nga të ardhurat e përfituara nga shitja e tokës në ’95-ën.

Për dy sipërfaqe toke të blera në vitet 2002 dhe 2003 për shumat 480 mijë lekë dhe 1.3 milion lekë, me burim të ardhurat nga qiraja e një shoqërie ndërkombëtare ka rezultuar se nuk ka dokumentacion justifikues për të vërtetuar këto të ardhura, e për rrjedhojë nuk provohet burimi i krijimit të pasurisë.

Avokatja Zano këmbënguli se kishin dorëzuar dokumentacion që vërtetonte se marrëdhënia e qirasë së një pjese të objektit, mes nënës së subjektit dhe një shoqërie ndëkombëtare kishte ekzistuar. Ajo theksoi se ishin në pamundësi objektive për të paraqitur më shumë dokumente lidhur me të ardhurat e përfituara nga qiraja, në vlerën 156 mijë USD për periudhën 1998-2003.

Për mospagesën e detyrimeve tatimore për këto të ardhura, Zano deklaroi se nuk kishte qenë detyrim i subjektit. Ajo sqaroi se nëna e Copas kishte ndërruar jetë shumë kohë para se të fillonte vetingu i magjistratëve.

Për një apartament me sipërfaqe 150 m2 ndarë në dy banesa dhe tre garazhe, të blera në vitin 2009 kundrejt vlerës 142 mijë euro, KPK konstaton se subjekti nuk ka deklaruar saktë vlerën e këtyre pasurive, si dhe se nuk ka pasur burime të mjaftueshme duke rezultuar me bilanc negativ në shumën 8.9 milionë lekë.

Lidhur me çmimet e ndryshme të pasurisë, Zano shpjegoi se kur subjekti kishte konstatuar se një prej garazheve nuk ishte ashtu si ishte përshkruar në projekt, atëherë subjekti ishte dakorëduar me hsoqërinë ndërtuese që të paguhej vlera totale prej 142 mijë euro, që ishte e ndryshme nga ajo e përcaktuar në 2008-ën kur është nënshkruar kontrata e sipërmarrjes për 159 mijë euro. Sipas Zanos, pjesa më e madhe e pagesave ishte kryer me transferta bankare dhe se është kryer deklarim i saktë e ka pasur burime për krijimin e këtyre pasurive.

Avokatja shpjegoi se subjekti ka shitur një tokë pasi kishte filluar punë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2005, pasi nuk mund ta zhvillonte për shkak se binte ndesh me detyrën që ushtronte.

Si burim për blerjen e një automjeti të llojt Benz në vitin 2014 për çmimin 7500 euro, subjekti ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një makine tjetër të llojit Audi në 2013-ën, në shumën 990 mijë lekë, pasi është aksidentuar. Po ashtu, ka deklaruar se ka përfituar të ardhura edhe nga siguracioni në vlerën 1.5 milionë lekë.

KPK ka hetuar blerjen e automjetit të aksidentuar në shumën 20 mijë euro, pasuri për të cilën subjekti ka shpjeguar se është blerë me të ardhurat e përfituara nga shitja e një sipërfaqe toke në vlerën 210 mijë euro.

Nga verifikimi i kohës së kryerjes së këtyre transaksioneve, KPK ka konstatuar se të ardhurat nga shitja e tokës nuk kanë qenë të disponueshme në kohën kur është blerë Audi dhe për rrjedhojë është konstatuar pamundësi për krijimin e kësaj pasurie, të ardhurat e shitjes së të cilës kanë shërbyer për blerjen e Benz-it.

Ndërkohë, subjekti nuk ka deklaruar shtesë të cashit pas shitjes së automjetit të aksidentuar dhe për rrjedhojë vlerësohet se kjo shumë nuk mund të ketë shërbyer për blerjen e Benz-it. Nisur nga koha e përfitimit të shumës nga siguracioni, vlerësohet se edhe kjo e ardhur nuk mund të jetë përdorur për blerjen e makinës në 2014-ën.

Zano shpjegoi se në rastin e blerjes së makinës së parë, bëhej fjalë për një ditë nga shitja e pronës dhe pagesa ishte kryer të nesërmen. Ajo pohoi se deklarimi para noterit se vlera ishte likujduar më parë, është nënshkruar nga pala shitëse në mirëbesim. Po ashtu, solli në vëmendje se nga transaksionet bankare rezultonte se ishte kryer pagesa 20 mijë euro për makinën.

Edhe lidhur me mjetin e blerë në 2014-ën, Zano tha se pagesa e çmimit të blerjes pasqyrohej në transaksionet bankare. Për mosdeklarimin e gjendjes cash, u pretendua se Copa atëherë nuk ishte subjkt deklarues.

Copa është gjendur në pamundësi financiare edhe krijimin e një depozite në vlerën 14 milionë lekë në vitimn 2014, me burim të deklaruar 10 milionë lekë nga një depozitë e krijuar në vitin 2007 dhe nga të ardhurat nga shitja e një toke në 2013-ën.

KPK ka analizuar krijimin e depozitës në vitin 2007 me burim të deklaruar të ardhurat nga shitja e tokës për vlerën 10 milionë lekë. Qirko tha se nga hetimi ka rezultuar se toka ishte blerë për një shumë rreth 770 mijë lekë dhe ishte shitur rreth dy vjet më vonë për një çmim 13 herë më të lartë. Nisur nga fakti se sipërfaqja ishte e kategorisë tokë arë dhe ishte shitur për një çmim shumë herë më të lartë nga sa ishte blerë, KPK ka ngritur dyshime për këtë rritje të vlerës.

Nga verifikimi transaksioneve të kryera për të ardhurat nga shitja e tokës në vitin 2007 në shumën 10 milionë lekë, është konstatuar se një pjesë e këtyre të ardhurave është përdorur për qëllime të tjera. Qirko tha se, duket se pjesa më e madhe e vlerës së përfituar nga shitja e tokës nuk mund të ketë shërbyer për çeljen e depozitës 7 milionë lekë në vitin 2008.

KPK konstaton se subjekti ka kryer deklarim të saktë për fondin e investimit, por se duket se ka bërë deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për depozitën e krijuar në 2008-ën në shumën 7 milionë lekë, që ka shërbyer për investimin e kryer në 2014-ën.

Nga analiza financiare paraprake e përgjithshme ka rezultuar në total një bilanc negativ në shumën 25.9 milionë lekë.

Copa dhe përfaqësuesja e tij ligjore kundërshtun konstatimet për depozitat. Subjekti shpjegoi se tokën e shitur për vlerën 10 milionë lekë, e kishte blerë për një shumë simbolike prej rreth 770 mijë lekësh, pasi shitësit që e zotëronin bazuar në ligjin “Për tokën”, e dinin që nëna e kishte fituar me vendim gjyqësor dhe kishte qenë e familjes së saj. Sipas subjektit, edhe nga një ekspertim i kryer ka rezultuar se ajo tokë ka vlerën 10.9 milionë lekë.

Avokatja Zano shtoi se veç të ardhurave nga shitja e tokës dhe qiradhënia, subjekti kishte shitur për shumën 3 milionë lekë një gjenerator që shoqëria e cila kishte marrë me qira ambjentet e shtëpisë, e kishte lënë aty pasi ishte larguar.

Copa kundërshtoi edhe përllogaritjen e shpenzimeve të shkollimit të djalit në Zvicër, duke pretenduar se kishte vërtetuar se mbuloheshin nga bursa që ai kishte përfituar. Sipas subjektit, shpenzimet kishin qenë vetëm për udhëtimin kur vinte djali në Shqipëri. Ai pretendoi se, nëse do kryheshin llogaritë saktë, nuk do të ketë bilanc negativ”,

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteri Kombëtar i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka sjellë raport negativ ndaj prokurorit Gëzim Copa, duke evidentuar se ai nuk ka deklaruar referimin e djalit në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Sipas AKSIK, duhet verifikuar për veprime dhe mosveprime të subjektit që mund të lidhen me këtë situatë dhe është konstatuar se aim und të vendoset në presion nga strukturat kriminale. Në përfundim, AKSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e Copas.

Qirko tha se nga verifikimi i kryer për këtë rrethanë të servirur nga AKSIK, ka rezultuar se djali i subjektit është referuar në vitin 2015 në Prokurorinë e Tiranës, por është vendosur mosfillimi hetimeve. Sipas relatores, subjekti e ka kundërshtuar raportin e AKSIK.

Po ashtu janë administruar disa dosje të prokurorisë së Kavajës, ku subjekti ka punuar për një periudhë të cilat janë vlerësuar në kriterin profesional.

Copa e kundërshtoi si të pabazuar raportin e AKSIK. Ai vërejti se nuk kishte pasur dijeni për referimin e kryer ndaj djalit të tij deri në momentin kur ishte njohur me ketë gjetje të hetimit administrativ. Ndërkohë, argumentoi se mosfillimi ishte vendosur nga prokuroria pasi ishin kapur tre vetë me 1.4 gr lëndë narkotike që ishte konkluduar se nuk kishte vepër penale.

Subjekti shtoi, se edhe nëse do ta kishte ditur këtë informacion, në formular nuk kishte hapësirë për një të dhënë të tillë.

Nga raportet e dërguara nga institucionet ndihmëse lidhur me profesionalizimin si dhe nga verifikimi tre dosjeve të dorëzuara nga Copa dhe pesë të shortuarat, nuk janë gjetur indicie për paaftësi të tij. Ndërkohë, subjektit i janë këkruar shpjegime për dy prej katër denoncimeve të denoncuara nga publiku, ku është konstatuar se duket se nuk ka kryer hetimet e nevojshme; se ka vendosur mosfillim të një çështje një muaj me vonesë, duke konkluduar pa u bazuar në ekspertët e fushës.

Në çështjet e tjera të verifikuara në aspektin profesional është konstatuar se subjekti ka pushuar një çështje pa i dhënë mundësi viktimës të shprehej lidhur me këtë vendimarrje.

Në një rast ka kërkuar që për dënimin e të pandehurit të vlerësohet fakti se ka qenë i padënuar, si dhe gjendja e tij shëndetësore, por në dosje nuk janë gjetur dokumente që të trajtojnë gjendjen shëndetësore.

Për një çështje tjetër ku një person ka mbetur i vravë me arsmë zjarri, ka rezultuar se Copa ka ndryshuar cilësimin e veprës penale.

Copa deklaroi se nuk kishte pasur zvarritje të proceseve nga ana e tij dhe se i ka kryer veprimet hetimore në kohën e duhur. Për vendimarrjen e mosfillimit për një çështje, ai sqaroi se kishte ndodhur për shkak të lejes vjetore të muajit gusht.

Në vijim, subjekti dha shpjegime për ndryshimin e cilësimit të veprës penale për një vrasje të ndodhur në Kavajë. Sipas tij, kishte rezultuar se viktima ishte vrarë nga një plum rikoshet dhe për rrjedhojë kishte vendosur që veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, ta klasifikonte “vrasje nga pakujdesia”.

Në përfundim, prokurori Copa kërkoi konfirmin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të mërkurën më 21 shkurt, në orën 09:50.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *