Arben Smaçi dështoi të rrëzonte në KPA deklarimin e rremë për çmimin e një apartamenti
Analiza KPA

Arben Smaçi dështoi të rrëzonte në KPA deklarimin e rremë për çmimin e një apartamenti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e ka gjetur të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Shkodrës, Arben Smaçi më 21 korrik 2021 dhe konkludon se ai ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë. Pretendimet e ngritura në shkaqet për aspektin procedural janë gjetur të pabazuara nga KPA, ndërkohë që është konfirmuar deklarimi i rremë i rezultuar gjatë hetimit administrativ në shkallën e parë për çmimin e një apartamenti, si dhe pamundësia financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Në deklaratën veting, Smaçi ka pasqyruar një kontratë premtim shitje për blerje apartamenti me sipërfaqe 123.3 m2 në Tiranë për shumën 50 mijë euro. Nga hetimi ka rezultuar se, apartamentin për të cilin subjekti ka deklaruar se e ka blerë për 50 mijë euro, pala shitëse e kishte prenotuar në të njëjtën ditë kundrejt çmimit 90 mijë euro, vlerë që i është paguar shoqërisë ndërtuese.

Lidhur me këtë pasuri, Komisioni ka arritur në përfundimin se Smaçi nuk arriti të kundërshtojë barrën e provës sa i takon çmimit të blerjes dhe ka krijuar bindjen se ka paguar vlerën 90 mijë euro, aq sa shitësi e kishte prenotuar pasurinë në të njëjtën datë që ka lidhur kontratën për premtimin e shitjes me subjektin dhe po aq sa janë shitur 11 apartamente të tjera në të njëjtin pallat.

Sipas KPK, subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe të rremë të çmimit të blerjes së këtij apartamenti në vitin 2015 dhe në deklaratën “veting”, si dhe nuk ka justifikuar me të ardhura të ligjshme shumën 50 mijë euro për shkak të një balance negative prej 4 milionë lekësh dhe të pamundësisë në shumën 6.5 milionë lekë për të shlyer diferencën prej 40 mijë eurosh.

Pretendimet e subjektit se shitësi kishte përfituar disa apartamente pasi ishte pronar i një pjese të truallit ku ishte ndërtuar kompleksi, se banesa gjendej në një pozocion të pafavorshëm dhe ishte e vetmja dhe i fundit në llojin e vetë, nuk janë gjetur bindëse prej Komisionit.

Në ankim subjekti ka pretenduar se Komisioni nuk ka administruar asnjë akt shkresor që të vërtetojë se ai ka paguar ndonjë shumë në favor të shoqërisë, duke këmbëngulur se të gjitha këto pagesa janë realizuar nga pala shitëse, të cilës i ka dhënë vetëm shumën prej 50 mijë eurosh. Ai ka theksuar se nuk ka ekzistuar asnjë marrëdhënie mes tij dhe shoqërisë ndërtueese.

Po ashtu, Smaçi ka pretenduar se ka depozituar në Komision mandatpagesa për depozitimet në cash, transfertat e brendshme, si dhe kopje të dokumenteve të identifikimit që janë përdorur për të bërë këto veprime bankare me qëllim blerjen e apartamentit, por që nuk janë marrë në konsideratë në hetimin adminsitrativ në shkallën e parë të vetingut të magjistratëve.

Kolegji konstaton se kontratat e nënshkruara mes palës shitëse dhe shoqërisë ndërtuese, si dhe ajo e shitblerjes me subjektin janë hartuar në të njëjtën ditë, para të njëjtit noter dhe njëra pas tjetrës – fakt ky që është konstatuar në numrin rendor të radhës së regjistruar në regjistrin noterial.

“Kolegji vëren se ekziston një diferencë e madhe dhe e konsiderueshme e vlerës së çmimit të blerjes së kësaj pasurie në raport me çmimin e shitjes së saj (pagesa e blerësit të parë, z. Xh. B., është 90.000 euro, ndërsa vlera e paguar nga subjekti i rivlerësimit si blerës i dytë, te po ky shtetas, është 50.000 euro). Nga shqyrtimi i dosjes së Komisionit, nuk rezultoi që subjekti i rivlerësimit të ketë paraqitur dokumentacion (marrëveshje, kontratë) që të vërtetonte pretendimin për konvertimin e dividentit në pasuri të paluajtshme nga shoqëria “{***}” ShPK, te z. Xh. B.”, citohet në vendimin e KPA.

Sipas Kolegjit, pretendimet e subjektit bëhen akoma më të pabesueshme në kushtet kur nga shitja e këtij apartamenti, duket se shitësi Xh. B., jo vetëm nuk ka realizuar fitim, por ai ka pësuar një humbje në vlerën 40 mijë euro. “[…]Në mënyrë të pashpjegueshme ia ka paguar atë shoqërisë në vijim, megjithëse nuk e kishte përfituar nga shitja dhe as në ndonjë formë tjetër si divident, në kohën kur pretendon subjekti”, shprehet Kolegji.

Në vendimin e KPA konstatohet se një fakt tjetër që tregon vlerën reale të çmimit të blerjes së apartamentit, pasqyrohet në kartelën e apartamentit të regjistruar në emër të subjektit dhe bashkëshortes së tij, ku shënohet se vlera e pasurisë së shitur është 90 mijë euro. Ky fakt, sipas Kolegjit, e thellon pabesueshmërinë në deklarimet e subjektit se çmimi i shitjes së këtij apartamenti ka qenë vetëm në vlerën prej 50 mijë eurosh.

Në vijim, Kolegji vëren se subjekti ka paguar nëpërmjet sistemit bankar shumën prej 84 mijë e 690 eurosh për apartamentin. “Ky fakt potencon sërish bindjen e Kolegjit se çmimi i blerjes së këtij apartamenti ka qenë në vlerën prej 90.000 eurosh. Pretendimi i subjektit se dokumentacioni bankar nuk provon që pagesat janë bërë prej tij, por vetëm përshkruan se për llogari të cilit apartament kanë shkuar ato, konsiderohet prej Kolegjit se mbetet i paprovuar dhe një mënyrë e leximit të këtij dokumentacioni bankar në abstragim të rrethanave të tjera të dala nga hetimi”, citohet në vendimin e arsyetuar.

Dy mandatpagesa të paraqitura nga Smaçi në seancën dëgjimore, për të cilat ai deklaroi atëherë se janë depozituar në bankë nga shtetasi Xh. B. dhe kërkoi që të konsidrohen si pagesë e atij shtetasi, Kolegji i vlerëson si rrethanë të izoluar dhe si fakte të pamjaftueshme, pasi nuk ka dorëzuar mandatpagesat për 11 veprimet e tjera bankare të kryera për këtë pasuri, që do të kishin lejuar kryerjen e një analize të detajuar të dokumentacionit bankar.

Smaçi i ka bërë kërkesë bankës për gjithë kopjet e mandatpagesave dhe të dokumenteve të idenfikimit të perosnave që kanë kryer pagesat për apartamentin, por nuk ka dorëzuar në Komision ndonjë përgjigje. Kolegji vëren se kjo kërkesë është dërguar me vonesë nga subjekti dhe vlerëson se ai ka pasur gjithë kohën e mjaftueshme për gjetjen e dokumentacionit justifkues ligjor për provueshmërinë e pagesave të kryera.

 Në këto kushte, KPA vlerëson se subjekti nuk gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të provuar pretendimet e tij.

Për rrjedhojë, është gjetur i drejtë qëndrimi i KPK se çmimi i paguar nga subjekti për apartamentin është në vlerën 90 mijë euro dhe se ai ka kryer deklarim të rremë në këtë rast.

Smaçi ka rezultuar edhe në KPA në pamundësi për të blerë apartamentin për çmimin 90 mijë euro. Po ashtu, nga kontrolloi i analizës financiare të përgjithshme të kryer në Komision, është konfirmuar balanca negative në vlerën prej 7.3 milionë lekësh, që në pjesën më të madhe i përket pamundësisë për blerjen e apartamentit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *