Prokurori i Tiranës, Enklid Gjini pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA pushon çështjen e vetingut të prokurorit Enklid Gjini

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten më 15 janar vendimin për pushimin e shqyrtimit të çështjes së vetingut për prokurorin e Tiranës, Enklid Gjini, nga për rrjedhojë mbeti në fuqi vendimarrja e Komisionit për konfirmimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi. Vendimi u mor me shumicë nga trupi gjukues i Kolegjit, i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtarë, Sokol Çomo, Albana Shtylla e Rezarta Schuetz, pas qëndrimit përfundimtar të drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, që i gjeti bindëse shpjegimet e prokurorit Gjini dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të tij në detyrë.

Sipas Kolegjit, pas tërheqjes së SPAK nga shkaqet e ankimit, çështja mbetet pa objekt dhe duhet pushuar.

Prokurori Enklid Gjini u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 10 korrik të vitit 2023, me shumicë votash. Shumica e trupës së Komisionit konkludoi se subjekti arriti nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Ndërsa pakica vlerësoi se duhej shkarkuar për mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; se kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm e ndërmarrë hapa për të fshehur pasurinë; si dhe se në vlerësimin tërësor të çështjes, kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi vendimarrjen e Komisionit dhe kërkoi shkarkimin e prokurorit Enklid Gjini për probleme në kriterin e pasurisë dhe në vlerësimin e përgjithshëm të çështjes.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe drejtuesi i SPAK në parashrtime, por pasi u njoh me shpjegimet dhe provat e subjektit, i cilësoi ato bindëse dhe në përfundim kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit, prej dhe nga erdhi pushimi i çështjes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *