Prokurori Gjergji Tako pas seancës së dytë dëgjimore,. Foto: LSA
KP Lajme Veting

“Mangësi për të ndërmarrë logjikisht hetimin”, konfirmimi i Gjergji Takos ankimohet në Kolegj

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të enjten më 2 tetor vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Gjergji Tako.

Pasi prokurori Gjergji Tako u pezullua një vit nga detyra prej Komisionit, për të rindjekur Shkollën e Magjstraturës për shkak të probleme të konstatuara në kriterin profesional gjatë procesit të vetingut, më 15 shtator u vendos konfirmimi i tij në detyrë me argumentin se kishte përfunduar me sukses trajnimin duke mënjanuar mangësitë e konstatuara.

Por Komisioneri Ballhysa e gjen të pabazuar këtë konkluzion të KPK, duke çmuar se në kontrollin e aftësisë profesionale, subjekti nuk e ka kaluar nivelin kualifikues për konfirmimin e tij në detyrë. Sipas Komisionerit, prokurori Tako me veprimet e tij ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, duke u gjendur në kushtet që mangësitë e evidentuara nuk mund të plotësohen, as nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, siç ka vendosi më parë me vendim të ndërmjetëm Komisioni.

Në shkaqet e ngritura për profesionalizmin trajtohen 23 çështje të shqyrtuara nga Taku, ku evidentohen mangësi të theksuara.

Komisioneri Publik konstaton në disa raste mangësi në aspektin e njohurive ligjore, bazuar në tregues si aftësia e përgjithshme për të ndërmarrë logjikisht hetimin sipas kërkesave ligjore, për të mbledhur provat, si dhe në kriterin e aftësisë organizative për të kryer procedurat hetimore. Po ashtu, Ballhysa vlerëson se subkjekti ka kryer mangësi në aspektin e arsyetimit ligjor, bazuar në treguesin e cilësisë së analizës.

Në ankim evidentohen raste të mosanalizimit nga subjekti të elementëve të figurës së veprës penale. Ndërkohë, nga analizimi dokumenteve të hetimit administrativ ka rezultuar se në tre raste, Tako nuk ka kërkuar kryerjen e akt-ekspertimit klinik të lëndës së sekuestruar dhe në një rast nuk ka administruar akt-ekspertimin toksikologjik, që konsiderohen prej Komisionerit si elemente thelbësore në identifikimin e veprës penale dhe në individualizimin e përgjegjësisë së subjektit në kryerjen e saj.

“Komisioneri Publik, në analizë të akteve në dosje, rezultateve të hetimit, si dhe prapësimeve të subjektit të rivlerësimit, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 2/201733, si dhe jurisprudencën e Kolegjit, ndan qëndrim të ndryshëm nga Komisioni dhe çmon se në kontrollin e aftësisë profesionale, subjekti i rivlerësimit nuk e ka kaluar nivelin kualifikues për konfirmimin e tij në detyrë dhe se subjekti i rivlerësimit, me veprimet e tij, ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, duke u gjendur në kushtet që mangësitë e evidentuara nuk mund të plotësohen, as nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës”, vlerëson Ballhysa dhe arin në përfundimin se Tako gjendet në kushtet e shkarkimit nga detyra.

Sipas Komisionerit, subjekti i rivlerësimit, në asnjë rast, nuk provoi të kundërtën e barrës së provës dhe për pasojë, duhet të konsiderohet si i papërshtatshëm për të ushtruar funksionin e prokurorit.

Në ankim evidentohen edhe shkaqe të tjera lidhur me gjetjet për disa automjete. Komisioneri vëren se subjekit në një rast ka vepruar në kundërshtim me “Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, duke mosregjistruar pronësinë e mjetit dhe duke mos kryer targimin e tij; një automjet tjetër e ka patur në pronësi për rreth 5 vjet pa leje qarkullimi, pa e regjistruar në DPSHTRR, si dhe pa paguar detyrimet doganore. Situatë e ngjashme është konstatuar dhe me një makinë të tretë që Tako e ka patur në përdorim për rreth 4 vjet pa leje qarkullimi, të parregjistruar në DPSHTRR, si dhe pa paguar detyrimet doganore.

“Duket se kjo qasje, në respektimin e detyrimeve ligjore, ka përfaqësuar një mënyrë sjelljeje të përsëritur nga ana e subjektit të rivlerësimit”, citohet në ankim.

Komisioneri Publik arrin në përfundimin se, shkeljet e lejuara gjatë ushtrimit të ndjekjes penale, problemet e përsëritura e të kthyera në një model pune gjatë viteve të ushtrimit të detyrës, ndikimi në veprimtarinë shtetërore i aktivitetit profesional të subjektit të rivlerësimit, rëndësia e gjetjeve të tjera, që përfaqësojnë mënyrën e të vepruarit të subjektit të rivlerësimit edhe jashtë aktivitetit profesional, duket se në tërësi kanë cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe se për këto shkaqe Tako duhet të konsiderohet i papërshtatshëm për vijueshmërinë e detyrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *