Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA Veting

Kolegji e gjeti të drejtë shkarkimin e prokurores Rozeta Qirjaqi për problemet e pasurisë dhe figurës

Kolegji e la në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurores së Apelit Korçë, Rozeta Qirjaqi, duke i rrëzuar si të pabazuara dhe të pakuptimta thuajse të gjitha shkaqet e ngritura prej saj në ankimin kundër vendimit të Komisionit, lidhur me aspektin procedural, për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Qirjaqi u shkarkua nga detyra më 8 korrik 2020, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ajo nuk ariti të provojë ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit, të deklaruara se kanë shërbyer për ndërtimin e një shtëpie. Po ashtu, u konkludua se kishte kryer deklarim të pasaktë edhe në deklarimin për figurën, pasi nuk kishte shënuar faktin se nipi ishte proceduar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Subjekti ushtroi ankim duke dorëzuar akte të reja, si dhe kërkoi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë publike, por Kolegji çmoi se ajo nuk provoi se dokumentet nuk ishin dorëzuar në Komision pa fajin e saj dhe u vijua gjykimi në dhomë këshillimi.

Analiza e pasurisë

Një ndër pasuritë, për të cilat Komisioni ka konstatuar problememe e që subjekti ka ngritur shkaqe ankimi, është shtëpia e banimit në Korçë, me sipërfaqe 141 m2. Kjo shtëpi deklarohet e ndërtuar në vitet 2004 – 2006, në truallin me sipërfaqe 300 m2 të blerë në vitin 1996. Si burime krijimi të kësaj pasurie me vlerë totale ndërtimi 7 milionë lekë janë deklaruar të ardhurat nga puna e bashkëshortit në emigracion, pagat e depozituara në ish-Bankën e Kursimeve Korçë, si dhe nga interesat bankare ndër vite.

Komisioni ka konkluduar se subjekti është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë në deklaratën “veting” dhe në ato periodike, si dhe se ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për krijimin e saj në vlerën prej 8.6 milionë lekë.

Qirjazi ka pretenduar në ankim se mungon dashja për të dokumentuar të dhëna të rreme ose të pasakta për sipërfaqen e ndërtesës, për sa kohë që në momentin e dorëzimit të deklaratës “veting” ka paraqiur praktikën e lejes së ndërtimit dhe certifikatën e pronësisë. Lidhur me mungesën e burimeve, subjekti ka pretenduar se kostoja e ndërtimit të shtëpisë nuk duhet të përllogaritet bazuar në standardet e kostos mesatare, sipas EKB-së. Sipas saj, nga totali i vlerës 7 milionë lekë të shpenzuar për shtëpinë, kostot e ndërtimit të objektit janë 4.6 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër është shpenzuar për punimet shtesë të kryera nga bashkëshorti dhe vëllai i saj, si dhe për arredimin.

Por, Kolegji i cilëson të pabazuara në aktet e administruara, këto pretendime të subjektit. Në vendim sqarohet, se sipas certifikatës për vërtetim pronësie të vitit 2006 dhe aktet lidhur me lejimin e zhvillimit të truallit dhe ndërtimin e tij në vitin 2004, rezulton se sipërfaqja e certifikuar e ndërtesës ishte 141 m2 dhe se banesa është me dy kate, nga për rrjedhojë sipërfaqja totale do të ishte 282 m2.

Trupi gjykues i KPA konstaton se Qirjaqi ka deklaruar vetëm gjysmën e sipërfaqes së ndërtesës dhe se kjo mënyrë nuk përputhet me detyrimin për të përshkruar pasurinë, sipas përcaktimeve ligjore. Bazuar në këto rrethana vlerëson se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë të sipërfaqes së ndërtimit.

Kolegji analizon edhe pretendimin tjetër në ankim, se kostoja e ndërtimit të objektit ka qenë 4.6 milionë lekë dhe se nuk përkon me koston mesatare të përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB. Trupi gjykues vëren se ndryshe nga sa ka pretenduar në ankim, në deklaratat periodike 2005 dhe 2006, Qirjaqi e ka deklaruar vlerën e ndërtesës në shumën 7 milionë lekë. Ndërkohë, nga përllogaritja sipas kostove të EKB-së ka rezultuar në shumën 6.9 milionë lekë.

“Kjo shumë është thuajse e njëjtë me atë të pasqyruar nga subjekti në deklarimet periodike/vjetore, në vlerën 7.000.000 lekë. Për rrjedhojë, ky shkak ankimi i subjektit të rivlerësimit, që ka për qëllim të reduktojë vlerën e shpenzimeve për efekt të procesit të rivlerësimit, është i pabazuar në ligj dhe në deklarimet e kryera prej saj ndër vite”, vlerëson KPA dhe shton se subjekti, përkundër sa ka pretenduar në ankim, gjatë procesit të hetimit administrativ ka deklaruar punime shtesë prej 1.2 milion lekësh, të kryera nga bashkëshorti dhe vëllai.

Duke iu referuar kronologjisë së specifikuar nga vetë subjekti për investimet në këtë pasuri, KPA vëren se punimet shtesë në masën 1.2 milion lekë duhet t’i shtohen kostos së ndërtimit të deklaruar nga Qirjaqi.

Subjekti pretendon se pasuria është krijuar me të ardhurat e bashkëshortit nga puna në emigracion, në vlerën 12 milionë dhrahmi të depozituara në ish-Bankën e Kursimeve Korçë, si dhe nga interesat bankare në vite.

Ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerëson se Qirjaqi nuk ka arritur të provojë të ardhurat e bashkëshortit në emigracion. “Subjekti i rivlerësimit nuk ka paraqitur dokumente për të ardhurat e pretenduara nga bashkëshorti në emigracion në vitet 1991 – 1994 gjatë gjithë procesit të hetimit administrativ e të ardhurat e pretenduara nga puna e personit të lidhur/bashkëshortit, në Greqi, mbetën deklarative”, shprehet Kolegji dhe shton se subjekti nuk provoi se ishte në pamundësi për sjelljen e tyre më herët.

Përpos këtij konstatimi, trupi gjykues thekson se përgjigja e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Selanik, Greqi, për sa i përket të ardhurave për vitet 1995, 1996 dhe 1998, nuk përmban të dhëna për sasinë e të ardhurave të fituara nga bashkëshorti. Në vendim sqarohet se vërtetimi referon sigurim shoqëror për 198 ditë punësimi, përgjatë tri viteve në fjalë.

KPA shton, se edhe nëse do të bëhej përllogaritja e të ardhurave të bashkëshortit për ditët e punës që rezultojnë nga aktet e sigurimeve shoqërore, do të konkludoheshin të ardhura në masën 1 milion e 115 mijë lekë.

Në vijim analizohen edhe argumentet e subjektit për të provuar të ardhurat e bashkëshortit në Greqi -shkresa të një banke në shtetin fqinj për depozitat e çelura prej tij që prej vitit 1991, që kishin të bënin me depozitime dhe tërheqje. Qirjaqi ka depozituar edhe akte nga banka për të provuar që dokumentacioni i detajuar i transaksioneve është asgjësuar, për shkak të kohës që ka kaluar.

Por, KPA vëren se pretendimi i subjektit për të ardhura që arrijnë në shumën 12 milionë dhrahmi nuk gjen mbështetje në asnjë dokumentacion dhe për rrjedhojë mbetet deklarativ. “E vetmja gjurmë dhe e vetmja vlerë që referohet nga banka është ajo rreth 5 milionë GDR [4.948.780,00 dhrahmi]”, citohet në vendimin e KPA.

Po ashtu, gjendet jo bindës pretendimi i subjektit që 5 milionë dhrahmi janë tërhequr në vitin 1996 dhe janë mbajtur cash në Shqipëri gjatë periudhës së trazirave të vitit 1997, kur nuk kishte siguri. “Subjekti nuk arriti të qartësojë nevojën emergjente për t’i ruajtur e transferuar këto të ardhura të konsiderueshme dorazi, gjatë vizitave në Shqipëri, në periudhën kohore në fjalë, gjatë së cilës nuk deklaron të ketë kryer shpenzime të ngutshme që do ta bënin të nevojshme tërheqjen nga siguria bankare në Greqi në vitin 1996 dhe mbajtjen në cash në Shqipëri, në periudhën problematike për sigurinë e rendin që përbënte viti 1997 e viti 1998”, vlerëson KPA dhe e gjen të bazuar vlerësimin e Komisionit për të mos përllogaritur këto të ardhura si burim të krijimit të një llogarie bankare nga bashkëshorti në shkurt të vitit 1998.

“[…]Përfshirja në analizë e një vlere deklarative do të ishte e pabazuar, qoftë për shkak të mosprovueshmërisë së vlerës, qoftë për shkak të mospërmbushjes së testit të ligjshmërisë së tyre”, argumenton trupi gjykues.

KPA e cilëson të pakuptimtë pretendimin e subjektit në ankim, se Komisioni ka përllogaritur dy herë kostot e arredimit, në vlerën 1.2 milionë lekë. Sipas Kolegjit, Komisioni i ka konsideruar në bazë të deklarimeve të subjektit të rivlerësimit, duke i shpërndarë ekzaktësisht në kohë e vlera siç i ka specifikuar ajo dhe më pas i ka kaluar barrën e provës.

Ndërkohë, është gjetur pjesërisht I bazuar shkaku i ngritur për mungesë të shpjegimit të metodologjisë dhe mënyrës së përllogaritjes së shpenzimeve të jetesës nga Komisioni për vitet 1994 – 1996. KPA konstaton se në analizën e mundësisë së blerjes së truallit nga subjekti në vitin 1996, Komisioni i ka konsideruar shpenzimet e jetesës së periudhës përkatëse në masën 70 % të të ardhurave vjetore, kur për këtë periudhë mungojnë të dhënat statistikore. Duke ju referuar jurispudencës së KPA, shpenzimet e jetesës janë përllogaritur në masën 30%, prej nga është ulur ndjeshëm pamundësia për blerjen e truallit. Për rrjedhojë, bazuar në parimin e proporcionalitetit, KPA ka çmuar ta konsiderojë truallin të krijuar me burime të ligjshme.

Qirjaqi ka deklaruar se për ndërtimin e shtëpisë është përdorur dhe një shumë prej 400 mijë lekësh, e dhuruar nga vëllai, vlerë për të cilën KPK ka konkluduar se dhuruesi gjendej në kushtet e pamundësisë financiare. Ky konstatim është gjetur i drejtë dhe nga Kolegji që vlerëson se aktet e sjella nga subjekti nuk provojnë të ardhura, të cilat do të mundësonin kontributin e tij nëpërmjet dhurimit e për pasojë, as edhe ligjshmërinë e tyre.

Në përfundim të verifikimit të konkluzioneve të Komisionit për shtëpinë, Kolegji çmon se subjekti mbetet me mungesë burimesh të ligjshme.

Po ashtu, Qirjaqi ka rezultuar në pamundësi për një depozitë të çelur në vitin 2008, edhe në analizën e kryer në KPA.

Figura

Komisioni ka marrë masën disiplinore të shkarkimit për subjektin edhe për kriterin e kontrollit të figurës, pasi ka konstatuar se nuk rezulton të ketë deklaruar procedimin penal në ngarkim të nipit të saj për vepra penale që përfshihen nën krimin e organizuar. Qirjaqi ka pretenduar në ankim se rrethanat e kryerjes së veprës penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në ngarkim të nipit të saj, janë jashtë qëllimit të ligjit dhe se nuk ka pasur kontakte me nipin, sikurse as dijeni për veprimet e tij.

Komisioni ka ardhur në dijeni të procedimit penal të nipit të subjektit pas dy denoncimeve në të cilët petendohej se subjekti ka ushtruar ndikim në Gjykatën e Apelit Korçë për të lehtësuar pozitën e të afërmit. Nga hetimi i kryer nga Komisioni në vijim të këtyre indicieve, ka rezultuar se nipi i subjektit të rivlerësimit është arrestuar në maj 2016, si person i dyshuar për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim dhe në prill të 2017-ës është shpallur fajtor dhe dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim. Vendimi i shkallës së parë është ndryshuar në nëntor nga Gjykata e Apelit Korçë, e cila ka vlerësuar se vepra penale nuk ishte kryer në bashkëpunim dhe uli dënimin në 2 vjet e 6 muaj burgim.

Kolegji vëren se asnjë nga dy argumentet e parashtruara nga subjekti në ankim apo edhe gjatë hetimit administrativ nuk është i bazuar. Sipas KPA, vepra penale për të cilën është dënuar i afërmi Qirjaqit ka lidhje me qëllimin e ligjit “Antimafia” dhe për rrjedhojë, nipi konsiderohet si person i përfshirë në krimin e organizuar, që shoqërohet me detyrimin e magjistratëve për ta deklaruar.

Qirjaqi ka pretenduar se padijenia e saj ishte pasojë e shkëputjes së kontakteve me familjen e vëllait të ndjerë pas vitit 2015 dhe për rrjedhojë ka vend për zbatim të rrethanave lehtësuese. Por, KPA thekson se ky pretendim është jobindës, nëse analizohen rrethanat në tërësi e harmoni me njëra-tjetrën.

“[…]Ndërsa te vlerësimi i pasurisë subjekti paraqet një marrëdhënie të ngushtë familjare me vëllanë, të favorshme për të, meqenëse është dashamirësia e vëllait [dhe familjes së tij] që mundëson përfitime materiale për subjektin, në aspektin tjetër të procesit të rivlerësimit, te kriteri i figurës, subjekti paraqet të kundërtën, pretendon distancim të plotë nga e njëjta familje, në një moment kyç të jetës së nipit të saj”, evidenton Kolegji dhe shton se Qirjaqi ka pretendiuar se vëllai e familja e tij kanë kontribuar rregullisht ndër vite, në drejtim të mirëqënies financiare të saj, ku mes të tjerash i ka dhuruar 400 mijë lekë për ndërtimin e shtëpisë.

“[…]Pasi është përballur me gjetjet e Komisionit, subjekti përpiqet të argumentojë një marrëdhënie aq të distancuar, sa për tetë (8) muaj ajo nuk mësoi në asnjë formë nga familjarët për procedimin penal të nipit, pavarësisht nevojës që mund të ketë pasur familja për njohuritë e saj profesionale në drejtësinë penale”, vëren KPA dhe shton se padijenia e saj bëhet edhe më pak bindëse, në kushtet kur nipi po hetohej nga institucionet ku ajo punon prej vitit 1991.

Sipas KPA, është e vështirë të pranohet pretendimi se asnjë burim zyrtar apo informal nuk i mundësoi njohjen e këtij fakti.

Në përfundim, Kolegji konkludon se prokurorja Rozeta Qirjaqi nuk arrin nivel të besueshëm as në kriterin e figurës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *