Neritan Cena në Tiranë më 6 tetor 2020. Foto: Malton Dibra/LSA
Analiza KPA

Kolegji rrëzon disa gjetje të KPK, por lë në fuqi shkarkimin e Neritan Cenës

Ish-gjyqtari i Tiranës, Neritan Cena arriti të përmbysë në Kolegj një pjesë të konkluzioneve të Komisionit lidhur me pasurinë dhe profesionalizimin, si dhe përfundimin lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia, por ato u gjetën të pamjaftueshme për ndryshimin e vendimit të shkarkimit të tij nga detyra.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, e shkarkoi Cenën më 6 tetor 2020 për problemet me pasurinë dhe me profesionalizmin.

Cena e ankimoi vendimin e Komisionit, duke ngritur shkaqe për aspektin procedural që nuk u gjetën të mjaftueshme për çeljen e shqyrtimit në seancë publike në Kolegj. Shkaqet për pasurinë dhe profesionalizmin u gjetën pjesërisht të drejta, megjithatë edhe Kolegji vendosi se ish-gjyqtari Cena duhej të largohej nga sistemi i drejtësisë.

Kolegji e ka gjetur të drejtë pretendimin e Cenës kundër konkluzionit të Komisionit për fshehje të një apartamenti në Tiranë të blerë në vitin 2016 për çmimin 5.4 milionë lekë nga babai i tij.

Trupi gjykues i Kolegjit konstaton fillimisht se konkluzioni për pasuri të fshehur të subjektit të rivlerësimit parashtrohet nga Komisioni për herë të parë në vendimin përfundimtar. Po ashtu, KPA vëren se Cenës i është kaluar barrë prove vetëm lidhur me pamundësinë e prindërve, të cilët kanë cilësinë e palës shitëse në marrëdhënien juridike që ka shërbyer si origjinë për krijimin e pasurisë objekt kontroll, si dhe janë ngritur dyshime mbi aftësinë financiare të huadhënësve për vlerën 5.4 milionë lekë, që është deklaruar nga subjekti si burim për blerjen e apartamentit të shitur nga familjarët e tij.

Por, KPA vlerëson se familjarët e bashkëshortes së subjektit që i kanë dhënë huanë për blerjen e kësaj pasurie, mund të justifikojnë me burime të ligjshme vlerën 5.4 milionë lekë. Në arritjen e këtij përfundimi, Kolegji mban në konsideratë faktin se fondet e dhëna hua, jo vetëm kanë kaluar nga huadhënësi te huamarrësi me anë të një transferte të rregullt bankare, por ato u provuan të kenë qenë fonde gjendje, të depozituara në bankën e huadhënëses, për rreth 1 vit më parë. Sipas KPA, ishte e panevojshme analiza e kryer nga Komisioni për verifikimin e mundësisë së personave të tjerë të lidhur për të krijuar kursime në atë masë që të mund të justifikonin dhënien e huasë.

Në përfundim, Kolegji e gjen të drejtë pretendimin e subjektit të rivlerësimit se konkluzioni i Komisionit në këtë rast nuk është në përputhje me parashikimet e ligjit, si dhe as me praktikën e konsoliduar të Kolegjit në lidhje me kufijtë e shtrirjes së hetimit në kuadër të analizës financiare për efekt të verifikimit të burimeve të ligjshme në rastet e huadhënieve të deklaruara si burim për krijimin e pasurive.

Kolegji ka gjetur të pabazuar edhe konkluzionin tjetër të KPK-së për mosdeklarimin e përdorimit të kësaj pasurie nga subjekti, pasi në deklarimet periodike ai e ka shënuar si adresë banimi. Madje, KPA vlerëson se ky fakt dëshmon për transparencë të fakteve lidhur me përdorimin e apartamentit.

Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti nuk ka deklaruar shpenzimet e kryera për mobilimin e dy apartamenteve të blera në Bremen të Gjermanisë, duke u përpjekur të fshehë shpenzimet. Cena e ka kundërshtuar këtë konkluzion duke argumentuar se banesat kanë qenë të mobiluara dhe të dhëna me qira nga shitësi në momentin që janë blerë.

Sipas tij, pavarësisht detyrimit që kishte pala shitëse për ta dorëzuar banesën bosh, për shkak se kjo procedurë do të kishte shpenzime shtesë për shitësin dhe se mobilimi ishte në gjendje të mirë si dhe për faktin se banesa ishte e dhënë me qira dhe heqja e mobilimit do të cenonte marrëdhënien e qirasë, palët kishin rënë dakord që të mos bëhej një gjë e tillë

Trupi gjykues vlerëson se me të drejtë, Cena ka pretenduar se apartamenti i blerë në vitin 2016 ka qenë i dhënë me qira, pasi marrëdhënia e qirasë nuk është ndërprerë dhe për rrjedhojë vlerësohet i besueshëm pretendimi i tij.

Ndërsa, për apartamentin tjetër të blerë në vitin 2015, është konstatuar se gjatë vitit 2017 janë kryer punime restaurimi të vërtetuara me faturë. Për rrjedhojë, Kolegji çmon se faktet dhe rrethanat janë të pamjaftueshme për t’u ngritur në nivelin e një dyshimi të arsyeshëm mbi ekzistencën e shpenzimeve të mobilimit për apartamentin në vitin 2015.

Ndërkohë, nuk gjendet i drejtë as konkluzioni i KPK se Cena është përpjekur të fshehë shpenzimet e mobilimeve në apartamentet në Gjermani, duke arsyetuar se deklarimi i tyre periodik përbën detyrim ligjor vetëm nëse kalohet vlera 300 mijë lekë, ndërsa në atë “veting”, nuk mbartet detyrim i shpenzimeve të asnjë lloji.

Megjithëse një shkak ankimi lidhur me konkluzionin e KPK për deklarim të pasaktë të një automjeti është gjetur nga KPA pa lidhje me zgjidhjen e çështjes, çmohet se Komisioni duhej të kishte qenë më i qartë lidhur me këtë pasuri dhe të shprehte në mënyrë të qartë se pasaktësia në deklarim lidhej me deklaratën periodike të vitit 2005, si dhe të evidentohej se Cena nuk ndodhej në kushtet e deklarimit të pasaktë të kësaj pasurie në deklaratën “veting”.

Ndërkohë, KPA e ka gjetur të bazuar konkluzionin e Komisionit se subjekti gjendet në pamundësi financiare për blerjen e njërës prej banesave në Bremen të Gjermanisë në vitin 2016, kundrejt vlerës 48 mijë e 500 euro, pasi edhe nga analiza financiare e kryer në shkallën e dytë të vetingut, ka rezultuar një bilanc negativ në shumën 1460 euro.

Cena është gjetur në pamundësi edhe për blerjen e një automjeti të llojit “Citroen Elyse” në vitin 2013, pasi është konstatuar pamundësi financiare e huadhënëses për një vlerë 5000 euro që ka shërbyer si burim.

KPA gjen të drejtë edhe konkluzionin e KPK-së për moskonsiderimin e likujditeteve cash si burim për blerjen e dy automjeteve. “Në kushtet kur subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar në deklaratat periodike të viteve në të cilat janë krijuar këto dy pasuri objekt kontrolli (automjete), përdorimin e kursimeve gjendje cash në banesë, as në formën e burimit të krijimit të këtyre pasurive, as në formën e pakësimit të gjendjes së këtij lloj likuiditeti, Komisioni me të drejtë nuk e ka vlerësuar likuiditetin gjendje cash si burim për krijimin e këtyre dy automjeteve në vitet 2011 dhe 2015”, arsyeton Kolegji.

Trupi gjykues i KPA vëren se me të drejtë është konstatuar nga Komisioni se nga ana e subjektit të rivlerësimit, nuk është provuar nëpërmjet dokumentacionit justifikues marrja e të ardhurave të qirasë për periudhën tetor – dhjetor 2016, sipas përcaktimit kontraktual, sikundër dhe se këto të ardhura as janë deklaruar përkatësisht në deklaratën periodike të vitit 2016 dhe atë të pasurisë “veting”.

Po ashtu, KPA çmon se subjekti ka dështuar të provojë me dokumentacion justifikues pagesën e tatimit për këto të ardhura.

Ndërkohë, fakti që Cena ka deklaruar të ardhurat nga qiraja për vitin 2017 dhe ka paguar rregullisht edhe tatimin përkatës sipas konfirmimit nga organi tatimor, sipas Kolegjit kjo rrethanë hedh poshtë pretendimet e subjektit se pagesa e vonuar në 2020-ën vjen si pasojë e mungesës së qartësisë se kur dhe ku duhet të paguheshin tatimet për këtë lloj të ardhure

Edhe nga analiza financiare e kryer në KPA, Cena ka rezultuar me pamundësi financiare në vite. Sipas Kolegjit, ai rezulton me bilanc negativ në shumën 2.5 milionë lekë për periudhën e rivlerësimit kalimtar dhe për rrjedhojë është çmuar se nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Rrëzohet vlerësimi për profesionalizmin

Ndryshe nga KPK që ka konkluduar se subjekti ka demonstruar mangësi të theksuara në mënyrë të përsëritur në një numër të konsiderueshëm çështjesh në aftësitë e tij organizative, duke u gjendur i papërshtatshëm për vijimin e detyrës, KPA vlerëson se Cena ka arritur nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Po ashtu, Kolegji gjen të padrejtë dhe të pabazuar konkluzionin e arritur në vlerësimin tërësor të çështjes lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

“…Trupi gjykues, ndryshe nga Komisioni, nuk vlerëson se sjellja e subjektit të rivlerësimit në rastin objekt gjykimi, ka diskretituar rëndë figurën e gjyqtarit duke justifikuar kualifikimin ligjor sipas parashikimit të nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016,” citohet në vendimin e KPA.

Por, megjithëse janë gjetur të bazuara një pjesë e shkaqeve në kriterin e pasurisë; si dhe shkaqet lidhur me kundërshtimin e konkluzionit të Komisionit për profesionalizmin dhe të vlerësimit tërësor, përsëri ato janë vlerësuar nga KPA të pamjaftueshme për të cënuar vendimin e Komisionit për shkarkimin e ish-gjyqtarit Cena.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *