Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Gentian Trenova ngel në veting, shkarkohet nga detyra

Pas gjetjeve për deklarim të rreme të pasurisë si dhe dyshimeve të ngritura për mbylljen e çështjes së një prokurori të akuzuar për korrupsion, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Apelit të Tiranës, Gentian Trenova.

Prokurori i Apelit, Gentian Trenova dhe avokati i tij para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: L.Çela

Prokurori i Apelit të Tiranës, Gentian Trenova u shkarkua nga detyra të mërkurën, pas gjetjeve të hetimit administrativ që e akuzojnë subjektin për deklarim të rremë të pasurisë si dhe mbyllje të hetimeve për një prokuror të akuzuar për korrupsion dhe një person të përfshirë në trafik droge.

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohej në këtë proces nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici u kundërshtua si i padrejtë nga avokati i Trenovës, i cili deklaroi se “Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë magjistratë të kualifikuar”.

Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konstatoi një sërë problemesh me deklarimet e pasurisë së Trenovës si dhe me kriterin profesional në lidhje me dy çështje të mbyllura prej tij. Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi theksoi gjatë seancës dëgjimore se prokurori kishte mbyllur hetimet për një person të përfshirë në trafik droge si dhe një prokuror të akuzuar për korrupsion.

Problemi me pasurinë, sipas relatores së çështjes është një apartament i blerë në qershor 2007 për një vlerë të deklaruar prej 1.9 milionë lekësh, me burim një kredi të marrë në vlerën e 28 mijë eurove. Në vitin 2012, Trenova ka deklaruar se këtë apartament ia ka dhuruar prindërve të bashkëshortes. Hetimi ka zbuluar se fillimisht prokurori Trenova kishte lidhur një kontratë në vlerën e 40 mijë eurove për blerjen e apartamentit, të cilin e ka deklaruar më pas si të blerë në vlerën e 1.9 milionë lekëve. Bekteshi tha se kontrata shënonte se prokurori kishte paguar 12 mijë euro jashtë zyrës së noterit, para të cilat nuk justifikohen nga Trenova.

Prokurori Gentian Trenova e ka justifikuar kontratën e nënshkruar në vlerën e 40 mijë eurove me qëllimin e marrjes së një kredie në bankë.

“Unë kam bërë një kontrate porosie për shkak  se duhej të merrja kredi që  të mund ta blija shtëpinë.  Bëhet fjalë për një apartament të ndërtuar në vitet ‘70 dhe vlerat e deklaruara në atë  kontratë janë fiktive, pasi do të shërbenin për lëvrimin e kredisë 28 mijë euro me të cilën  kam bërë pagesën e shtëpisë, disa punime dhe  mobilimin e saj,” shpjegoi prokurori.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dyshim edhe mundësinë financiare të prokurorit Trenova për ndërtimin e një kati shtesë mbi apartamentin e blerë në vitin 2007, kat i cili rezulton të jetë falur më pas te vjehrrit.

Përveç problemeve me pasurinë, hetimi i KPK-së është ndalur edhe tek kriteri profesional i prokurorit Gentian Trenova, që sipas relatores së çështjes kanë gjithashtu shkelje që cënojnë integritetin e tij.

Pavarësisht faktit se Trenova është vlerësuar “shumë mirë” nga Prokuroria, KPK ka konstatuar problematika të rënda në dy prej çështjeve të hetuara prej tij.  Çështjet e mësipërme përfshijnë procedimin penal të 30 marsit 2015 për një person me inicialet V.L nga Gjirokastra, i cili ishte arrestuar në kushtet e flagrancës duke trafikuar 170 kg lëndë narkotike drejt Greqisë. Kjo dosje është referuar te Krimet e Rënda për hetimin pasurir dhe në vitin 2016, prokurori Trenova i ka pushuar hetimet.

Një tjetër dosje  e konstatuar me probleme nga KPK ishte mbyllja e hetimeve për një procedim të nisur kryesisht për një prokuror të akuzuar për korrupsion. Bekteshi tha se  megjithë materialet e shumta të serviruara për nisjen e hetimeve si dhe një regjistrim audio që vërtetonte veprën penale, Trenova vendosi ta pushojë procesin. Pas mbylljes së hetimeve, Trenova ka kërkuar në gjykatë edhe asgjësimin e audio-përgjimit për kolegun e tij, kërkesë kjo e pranuar nga Gjykata.

Avokati i Trenovës tha pas vendimit të shkarkimit se do t’i drejtohej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

“Vendimi është i padrejtë, pasi klienti im posedon vetëm një apartament 50 m2 pas dy dekadave pune. Procesi ishte i paragjykuar që në nisje, por do të presim vendimin e arsyetuar të gjykatës për të kuptuar pse u shkarkua,” përfundoi avokati i Trenovës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *