Gjyqtari Andri Ymeri dhe përfaqësuesit e tij në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtari Andri Ymeri e nis vetingun me shtyrje të seancës

Seanca dëgjimore për gjyqtarin e Shkodrës, Andri Ymeri u shty të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi u pranua kërkesa e njërit prej avokatëve të tij mbrojtës për të pasur më shumë kohë për t’u njohur me dosjen.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Ymeri po kryhet nga trupa e KPK-së, e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Andri Ymeri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punon prej gati dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në vitin 2014, Ymeri iu nënshtrua një procedimi disiplinor me kërkesë të ministrit të Drejtësisë dhe mori nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë masën e “vërejtjes me paralajmërim”.

Në seancën e të premtes nuk u arrit të relatoheshin gjetjet për hetimin administrativ, por nga sa bëri me dije trupa gjykuese dhe paraqiti kërkesa përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Ymeri, u mësua se hetimi paraprak ishte përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë.

Gjyqtari Ymeri u paraqit në seancë me dy përfaqësues ligjorë, avokatin Arben Llangozi dhe Gerti Ymeri.

Subjekti kërkoi që trupi gjykues të marrë vendim për legjitimimin e përfaqësuesve të tij ligjorë, ndërsa shtoi se kërkesat e tjera do t’i paraqiste hap pas hapi.

Pasi trupa e KPK-së u tërhoq, kryesuesja Pamela Qirko njoftoi se ishte vendosur pranimi i pjesshëm lidhur me legjitimitetin e avokatëve në këtë proces. Sipas Qirkos, ishte legjitimuar avokati Arben Llangozi, ndërsa për avokatin Gerti Ymeri u tha se nuk mund ta përfaqësonte në këtë çështje, pasi gjatë vetingut të gjyqtarit Andri Ymeri kishte rezultuar si person i lidhur me të deri në vitin 2008 dhe në vijim si person tjetër i lidhur. Pas kësaj vendimarrje, avokati Ymeri u akomodua në vendet e përcaktuara për publikun.

Kur subjekti u pyet sipas procedurës nëse ishte njoftuar me gjithë materialet e dosjes së hetimit administrativ, ai fillimisht e mohoi një gjë të tillë duke pretenduar se Komisioni kishte refuzuar që ti vendoste në dispozicion materialet e përkthyera në anglisht që janë në dispozicion të vëzhguesit ndërkombëtar. Por Ymeri pranoi se i ishte vendosur në dispozicion një CD që sipas tij i siguronte “kqyrje të materialeve që kanë qenë të hedhura në CD”.

Në vijim, avokati Llangozi vërejti se ishte pajisur me prokurë për përfaqësimin e gjyqtarit Ymeri ditën e djeshme dhe me këtë arsye justifikoi paraqitjen e kërkesës për shtyrje të seancës. “Prokura është e ditës së djeshme dhe nuk kam pasur kohë fizike për t’u njohur me aktet dhe jo më t’i lexoj dhe t’i studioj për të organizuar një mbrojtje. Në dijeninë time në pamje të parë, klienti im ka paraqitur rreth 130 faqe mbrojtje, gjë që unë vetë ta lexoj atë, do të më duhet minimalisht një ditë. Imagjino të studioj të gjitha aktet e dosjes, gjithë hetimin administrativ që keni bërë ju dhe barra e provës dhe dokumentacioni që ka sjellë klienti im përpara jush,” deklaroi Llangozi dhe kërkoi që seanca të shtyhej minimalisht me dy javë.

“Nuk është se unë e kam studiuar, por edhe ju mendoj se do iu duhet koha e nevojshme për t’i studiuar se, 400 faqe nuk mund të studiohen për 24 orë,” pohoi Llangozi dhe solli në vëmendje se kilenti i tij kishte bërë kërkesë për vendosjen në dispozicion vendimarjet e Komisionit në lidhje me administrimin e provave dhe për kërkimin për riçeljen e hetimit në të tre kriteret.

Kryesuesja Qirko sqaroi se Komisioni nuk e ka si procedurë që të shqyrtojë dokumentet kur sillen nga subjekti para seancës dëgjimore. Sipas saj, trupa i jep kohë dhe mundësi të shprehet në seancë dëgjimore dhe pasi tërhiqet për vendim, shqyrton dhe analizon gjithçka.

Trupa pasi shqyrtoi kërkesën e avokatit Llangozi për shtyrje të seancës vendosi t’i japë kohë për t’u njohur me dosjen deri më 13 qershor. Qirko theksoi se Komisioni nuk do të tolerojë vonesa apo shtyrje të tjera të panevojshme.

Në vijim, Qirko njoftoi se deri në këto momente nuk ishte pranuar kërkesa për riçeljen e hetimit për pasurinë, marrjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. “Përsa i përket kërkesës për riçeljen e hetimit dhe për dy kriteret e tjera, ju bëjmë me dije se deri në këtë fazë, përsa u përket provave, trupa ka vendosur t’ju kalojë barrën e provës vetëm mbi kriterin pasuror,” sqaroi Qirko.

Ajo shtoi se në këtë moment procedural nuk mund të shqyrtohej as kërkesa për përgatitjen e analizës ekonomike.

Në lidhje me kërkesën për t’u njohur me aktet që i janë njoftuar vëzhguesit ndërkombëtar, të përkthyera në anglisht, KPK bëri me dije se çdo akt që është pjesë e dosjes është në dispozicion të vëzhguesve ndërkombëtarë, në gjuhën origjinale.

Në përfundim, Komisioni njoftoi shtyrjen e seancës për më datë 13 qershor, në orën 10:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *