Trupa e KPK-së gjatë një seance dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtari Arben Lera u dorëhoq afro tre vjet pasi filloi procesi vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 31 tetor 2022 të ndërpresë procesin e vetingut për gjyqtarin e Korçës, Arben Lera, pas dorëheqjes së këtij të fundit nga detyra. Po ashtu, është vendosur edhe sanksioni që i ndalon Lerës të rikthehet në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Hetimi administrativ për gjyqtarin Lera filloi në dhjetor të vitit 2019 dhe ju komunikua atij një muaj më vonë. Pasi kishin kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë, në shtator të 2022-it ai ka kërkuar ndërprerjen e vetingut ndaj tij për shkak të dorëheqjes nga statusi i magjistratit. Sipas subjektit të rivlerësimit, arsyet e dorëheqjes kishin të bënin me ngarkesën në punë, problemet shëndetësore, si dhe nevojën për t’iu përkushtuar shëndetit dhe familjes. Kjo kërkesë është pranuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ më 23 shtator, që ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin Arben Lera.

Pasi KPK ka verifikuar se Lera nuk ka kryer ankim ndaj vendimit të KLGJ-së, e ka thirrur atë në seancë dëgjimore për t’u dëgjuar lidhur me përfundimin e procesit të rivlerësimit, sipas nenit G, paragrafët 1 dhe 2 të Aneksit të Kushtetutës, që në rastin e dorëheqjes përcakton edhe sanksionin 15-vjeçar.

Lera ka njoftuar KPK-në se nuk dëshironte të ushtronte të drejtën për t’u dëgjuar dhe në përfundim është vendosur ndërprerja e procesit të rivlerësimit dhe kufizimi i të drejtës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Vendimi është marrë prej trupës së KPK-së, të kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *