Prokurori Erjon Imeraj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

KPK del me raporte pozitive për prokurorin Erjon Imeraj

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Erjon Imeraj u përball lehtësisht të mërkurën më 12 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan gjetje që ishin thuajse të gjitha pozitive. Imeraj falënderoi Komisionin për ‘hetimin objektiv’ dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i vetingut për prokurorin Erjon Imeraj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Relatori Ilia sqaroi në seancë se Erjon Imeraj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2005 me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe. Pasi ka punuar për shtatë vjet si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, në vitin 2012 ai u emërua si prokuror në Prokurorinë e Tiranës, ku e ushtron dhe aktualisht funksionin e tij.

Sipas Komisionit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka dorëzuar raport pozitiv për Imerajn.

Në vijim, relatori Ilia shpjegoi se kur subjekti është pyetur për ndryshimet familjare, ai ka shpjeguar se për periudhën 2012 kur ka filluar detyrën deri në vitin 2019 ka jetuar me prindërit dhe motrën. Nga relatimi u kuptua që babai i subjektit të rivlerësimit është ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj dhe për këtë arsye është administruar edhe dosja e hetimit administrativ të kryer në procesin e vetingut ndaj tij.

Besnik Imeraj u largua me dorëheqje nga sistemi i drejtësisë më 31 janar 2018 dhe KPK vendosi pushimin e procesit të rivlerësimit të tij, por një muaj më vonë e referoi çështjen në Prokurori për të vlerësuar nëse prej hetimit administrativ kishin dalë ose jo fakte që përbënin vepër penale.

SPAK kërkoi pushimin e hetimeve për 7 gjyqtarë, mes së cilëve edhe Besnik Imeraj, por kjo kërkesë u rrëzua Gjykata e Posaçme, e cila i riktheu aktet për hetime të mëtejshme në prokurori.

Në seancën dëgjimore të prokurorit Erjon Imeraj nuk u relatua asnjë problem lidhur me procesin e hetimit administrativ të kryer për babain e tij.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka pasur mundësi financiare për blerjen e një autoveture në vitin 2010 për çmimi 700 mijë lekë, por KPK vëren se subjekti e ka blerë më lirë nga sa kishte paguar kohë më parë pala shitëse, që kishte shpenzuar 6000 euro për makinën dhe 203 mijë lekë për zhdoganimin.

Lidhur me këtë gjetje, subjekti sqaroi se nuk kishte qenë në dijeni të shumës që kishte paguar pala shitëse. Ai vërejti se e kishte blerë makinën sipas vlerës së tregut, katër muaj pasi kishte hyrë në Shqipëri. Po ashtu, Imeraj theksoi se kjo pasuri është blerë dy vjet para se ai të fillonte detyrën.

Sipas KPK, edhe bashkëshortja e subjektit ka rezultuar se ka pasur mundësi financiare për blerjen e një automjeti tip “Smart” në vitin 2012, për shumën 3000 euro.

Ilia tha se KPK nuk ka gjetur probleme për një shumë 523 mijë lekë në llogarinë rrjedhëse të pages së subjektit dhe për një depozitë në emër të djalit në vlerën 336 mijë lekë.

Subjekti ka pasqyruar në deklaratën “veting” të ardhurat nga paga e tij si oficer i policisë gjyqësore, si prokuror dhe nga mësimdhënia, si dhe të bashkëshortes si oficere e policisë gjyqësore dhe pedagoge, nga nuk janë gjetur probleme.

Megjithëse KPK nuk ka konsideruar në analizën financiare të ardhurat para fillimit të detyrës dhe as disa dhurime nga familjarët që përfaqësojnë një pjesë të depozitës në emër të djalit, kjo metodologji nuk ka sjellë balanca negative.

Komisioni konkludon se subjekti dhe bashkëshortja kanë pasur mjaftueshmëri për krijimin e një depozite në shumën 1.2 milionë lekë dhe për një gjendje 128 mijë lekë në një llogari rrjedhëse.

Imeraj ka deklaruar nga viti 2014 si adresë një apartament në pronësi të xhaxhait të tij. Ilia sqaroi se për të hequr çdo dyshim lidhur me pronësinë e kësaj pasurie është hetuar mundësia e xhaxhait për kryerjen e investimit, i cili ka rezultuar me balancë pozitive.

Imeraj ka deklaruar se prindërit kanë paguar shpenzimet për një ndërhyrje kirurgjikale që ai ka kryer në një spital privat në Tiranë, në shumën totale 2500 euro. Sipas Ilias, nga analiza financiare ka rezultuar se prindërit e subjektit kanë pasur mundësi për kryerjen e kësaj pagese.

Analiza financiare për periudhën 2012-2016 ka rezultuar me balancë pozitive. Imeraj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin, pasi Komisioni u shpreh se nuk i ka kaluar barrë prove në këto dy kritere dhe as për tetë çështjet e denoncuara nga publiku.

Në fund të seancës, ai u pyet vetëm nga anëtarja Etleda Çiftja lidhur me një çështje të denoncuar nga publiku. Çiftja vërejti se katër prej denoncimeve lidhen me pretendime për zvarritje të hetimeve. Ajo veçoi një prej çështjeve, ku denoncuesi petendon se subjekti nuk ka kryer veprimet hetimore të urdhëruara nga gjykata për herë të dytë, duke zvarritur çështjen.

Imeraj deklaroi se nuk mendonte që kishte pasur zvarritje. Ai argumentoi se i kallëzuari nuk mund të merrej i pandehur apo të dënohej për të njëjtin fakt penal. Dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese dhe vëzhguesja ndërkombëtare, Marie Tuma deklaruan se nuk kishin asnjë pyetje për subjektin e rivlerësimit.

Në përfundim, prokurori Erjon Imeraj falënderoi Komisionin për hetimin administrativ që e cilësoi të plotë dhe objektiv. Ai kërkoi konfirmimin në detyrë duke theksuar se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *