Prokurorja Shqiponja Milla (majtas) dhe avokatja Romina Zano pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Prokurorja Shqiponja Milla jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurorja e Shkodrës, Shqiponja Milla dha shpjegime për konstatimet e Komisionit, që i kërkoi të vërtetonte se nuk gjendej në kushtet e fshehjes së një apartamenti dhe të një automjeti. Milla i cilësoi si “gabime materiale” të noterëve shënimet për një apartament tjetër në kontratën parprake të banesës duke pranuar se nuk i kishte lexuar parashikimet nen për nen për shkak të besimit. Për makinën në përdorim vërejit se bashkëshorti kishte prerë policisë sigurimi që sipas saj tregon se nuk kanë pasur qëllim ta fshehin.

Prokurorja Shqiponja Milla e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër u përball të martën më 28 shkurt 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për dy gjetje, në të cilat i kërkohej të shpjegonte dhe vërtetonte se nuk gjendej në kushtet e fshehjes së pasurisë, si dhe për konstatimet në kriterin profesional për disa çështje. Për disa informacione të përcjella nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK në kuadër të vlerësimit të pastërtisë së figurës, Komisioni nuk ka gjetur indicie dhe e ka vlerësuar pozitivisht prokuroren Milla në këtë kriter.

Procesi i vetingut për Millën po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Shqiponja Milla përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Pukës. Prej vitit 2014, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Shkodër.

Gjatë seancës dëgjimore ajo u paraqit me avokaten Romina Zano.

Barrat e provës për pasurinë

Si burime krijimi për blerjen e një apartamenti në Shkodër më sipërfaqe 107.1 m2 kundrejt çmimit 46 mijë euro në vitin 2015, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti të mëparshëm për vlerën 24 mijë euro dhe 22 mijë euro kredi. Nga verifikimi i kryer prej Komisionit ka rezultuar se ky apartament është bllokuar nga banka si kolateral për kredinë.

KPK ka verifikuar burimet e apartamentit të shitur në 2015-ën. Si burime krijimi të kësaj pasurie të blerë në 2001-in, subjekti ka shpjeguar se kanë shërbyer të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni, por pa arritur t’i dokumentojë ato.

Edhe gjatë seancës dëgjimore, prokurorja Milla deklaroi se është gjendur në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion për të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti në emigracion në Greqi gjatë periudhës 1993-1999. Ajo vërejti se institucionet e pikës kufitare me shtetin grek kanë kthyer përgjigje se nuk disponojnë as listat e personave të kthyer nga autoritetet e vendit fqinj për shkak të qëndrimit ilegal atje.

Po, ashtu ajo theksoi se ky apartament është blerë nga bashkëshorti përpara lidhjes së martesës së tyre dhe shumë vite përpara se të fillonte detyrën.

Pine sqaroi se Komisioni ka konstatuar se kredia është disbursuar pas pagesës së këstit të dytë në shumën 22 mijë euro dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë shërbyer për këtë qëllim. Sipas KPK, nga analiza financiare paraprake duket se subjekti dhe bashkëshorti i saj nuk kanë pasur mundësi për pagesat e kryera për apartamentin në vitin 2015.

Prokurorja Milla deklaroi në seancë se provohej me dokumentacion bankar se shuma e marrë kredi i kishte kaluar shoqërisë ndërtuese. Ajo sqaroi se në kontratën e shitjes ishte përcaktuar se pagesa ishte kryer, me qëllim që të kalohej në pronësi apartamenti që do të lihej si kolateral dhe të përfitohej kredia. Ajo pohoi se nuk kishin pasur mundësi për të vendosur kolateral një tjetër pasuri dhe prandaj ishte veprur me dakordësi të shoqërisë ndërtuese në këtë mënyrë.

Ndërkohë, nga verifikimi i dokumentacionit të praktikës për blerjen e apartamentit dhe marrjen e kredisë, Komisioni ka identifikuar një tjetër mandat pagese në cash në shumën 22 mijë euro. Bazuar në këtë dokument, subjektit i janë kërkuar shpjegime se dukej se çmimi i paguar nuk ka qenë ai i deklaruar në shumën 46 mijë euro, por më i lartë.

Prokurorja Milla e kundërshtoi këtë gjetje, duke këmbëngulur se nuk kishte pasur dijeni apo lidhje me këtë mandat pagese.

Pine konstatoi se nga verifikimi dokumenteve të praktikës së kredisë, ka rezultuar edhe shënimi se ata janë bashkëpronarë të gjysmës së një apartamenti tjetër në pronësi të shtetasit H.D., pasuri që gjendet që gjendet e pasqyruar edhe në kontratën paraprake.

KPK ka verifikuar nëse subjekti ka hetuar ndonjë çështje ku palë ka qenë ky shtetas, por nuk ka rezultuar një gjë e tillë. Megjithatë i janë kërkuar sqarime si dhe të vërtetojë se nuk gjendet në kushtet e fshehjes së pasurisë. E pyetur për këtë situatë, Milla ka shpjeguar për Komisionin se këto shënime janë “gabime material” të notereve që kanë përpiluar kontratat.

Milla mbajti të njëjtin qëndrim edhe gjatë seancës dëgjimore, duke shpjeguar se kishin qenë noterët që kishin punuar kontratat mbi dokumente me të dhëna të mëparshme, duke sjellë për rrjedhojë këto gabime materiale.

“Është nonsens juridik që nga ana jonë të jetë lidhur kontratë paraprake shitjeje për blerjen e një pasurie, për të cilën pala shitëse nuk ishte më pronar i saj, që e kishte shitur 3 vite përpara se të lidhnim kontratën,” deklaroi ndër të tjera Milla, duke këmbëngulur se pala shitëse në vitin 2015, nuk kishte asnjë të drejtë reale mbi apartamentin tjetër.

Milla cilësoi si nosens juridik edhe aludimin e ngritur se ajo dhe bashkëshorti mund të jenë pronarë të apartamentit tjetër të shënuar në kontratën paraprake, duke theksuar se një gjë e tillë nuk bazohej në asnjë akt shkresor.

Në vijim, subjekti vërejti se këto gabime në kontratën e hipotekimit të hartuar nga banka, që është bazuar në aplikimin për kredi të përpiluar nga noterja, ku shënohej se ajo dhe bashkëshorti ishin bashkëpronarë në apartamentin tjetër, ishin korrigjuar me iniciativë dhe në mënyrë të njëanshme prej vetë bankës.

Milla e mbështeti qëndrimin e saj në faktin se në kontratën përfundimtare të shitjes pasqyrohej vetëm apartamenti që ajo dhe bashkëshorti kanë blerë dhe zotërojnë.

Kur u pyet nga relatorja Pine dhe anëtarja Firdes Shuli nëse i kishin lexuar kontratat noteriale ku gjenden të dhënat për apartamentin tjetër, Milla u shpreh se nuk ishin ndalur nen për nen për shkak të besimit, pasi noterja në fjalë realizonte shumë kontrata të tilla.

Shuli e pyeti nëse kishin ndërmarrë hapa ligjorë për t’i shpallur të pavlefshme këto kontrata noteriale ose nëse kishin kryer kallëzim penal ndaj noterëve që i kishin përpiluar.

Avokatja Zano vërejti se kundërshtimi i akteve mund të kryhej nëse do të kishin sjellë pasoja. “Në këtë rast, banka e ka konstatuar dhe korrigjuar,” shpjegoi Zano dhe ritheksoi faktin se apartamenti tjetër ishte pasuri e tjetërsuar tre vite përpara transaksionit të kryer nga subjekti.

Komisioni ka konstatuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë përdorur një autoveturë në pronësi të një shtetasi tjetër. Nga hetimi ka rezultuar se ata kanë udhëtuar me këtë makinë disa herë jashtë shtetit, ndërsa pronari asnjëherë. Po ashtu, nga hetimi paraprak nuk është vërtetuar mundësia e pronarit të mjetit për blerjen e tij, ndërkohë që shitja e kësaj makine në vitin 2017 përkon me blerjen nga kunati i subjektit.

Edhe në këtë rast, KPK i ka kërkuar Millës që të shpjegojë se nuk është në kushtet e fshehjes së pasurisë.

Milla sqaroi se në deklarimet periodike nuk kërkohej pasqyrimi i përdorimit të pasurive. Sipas saj, një gjë e tillë është kërkuar në dekaratën “veting”, ku dhe e ka shënuar përdorimin e automjetit në fjalë.

Subjekti argumentoi se në emër të bashkëshortit është prerë siguracioni i mjetit dhe se ky fakt tregon që nuk ka pasur asnjë qëllim fshehjeje.

Milla pretendoi se fakti pse pronari i makinës nuk e ka përdorur atë për udhëtime jashtë shtetit, nuk mund të shpjerë apriori në konkluzionin se nuk ka qenë në pronësi e përdorim të tij deri në momentin e shitjes. Milla kërkoi që të mos rëndohet situata e saj nga pamundësia financiare e konstatuar për pronarin e mjetit.

Sipas subjektit, në periudhën kur automjeti është blerë nga kunati, kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për të blerë një makinë në emrin e tyre, pasi kishin marrë shpërblimin si pasojë e aksidentit të ndodhur bashkëshortit në vitin 2016.

Subjektit i janë kërkuar shpjegime edhe për ndryshimin e deklarimit në lidhje me burimet financiare që kanë shërbyer për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të bashkëshortit për shkak aksidentit. Pine vërejti se subjekti në deklaratën “veting” ka shënuar se për mbulimin e këtyre shpenzimeve ka marrë hua nga një shtetase, ndërsa gjatë hetimit administrativ ka deklaruar se është ndihmuar nga prindërit.

Sipas Komisionit, huaja e marrë nga shtetasja E.L. nuk mund të përfshihet si burim për shpenzimet mjekësore, pasi nuk është deklaruar në vitin 2016 dhe se rezulton se është dhënë 2 muaj pas kryrjes së këtyre shpenzimeve.

Po ashtu, është konstatuar mungesë dokumentacioni për burimin financiar të shpenzimeve mjekësore dhe mospërputhje e vlerës.

Milla këmbënguli se nuk kishte ndryshuar deklarimet për burimin që ka shërbyer për mbulimin e shpenzimeve mjekësore. Ajo tha se në çdo deklarim kishte shënuar se vlera e marrë hua është përdorur për mbulimin e një pjese të mjekimit të bashkëshortit. Subjekti shpjegoi se nuk kishin pasur kursime të mjaftueshme për mbulimin e këtyre shpenzimeve dhe e gjendur në këto kushte, u kishte kërkuar ndihmë familjarëve.

Komisioni konstatoi se subjekti në deklaratën përpara fillimit të detyrës në vitin 2008 ka deklaruar gjendje cash në shumën 2 milionë lekë, vlerë për të cilën është konstatuar pamundësi financiare. Lidhur me këtë gjetje, Milla shpjegoi se kishte qenë deklarimi i parë dhe nuk kishte pasur njohuritë e duhura për plotësimin e deklaratës. Ajo shtoi se në fakt vlera kishte qenë 200 mijë lekë, por kishte shënuar duke iu referuar “lekëve të vjetra”.

Për të mbështetur këtë pretendim, ajo solli në vëmendje faktin se bashkëshorti kishte marrë kredi në vitet 2008 dhe 2009. Sipas subjektit, nëse do të dispononin këtë gjendje cash, nuk do të kishin pasur nevojë të merrnin kredi që ishin në vlera më të vogla.

Në vijim, avokatja Romina Zano paraqiti analizën financiare sipas shpjegimeve të subjektit, duke pretenduar se rezultonte me bilanc pozitiv. Zano vërejti se vetëm në një vit rezultonte me balancë negative në shumën 22 mijë lekë, që sipas saj nuk mund të sjellë pasoja.

Profesionalizmi

Lidhur me aspektin profesional, Pine renditi gjetjet për disa çështje të hetuara nga prokurorja Milla, për dy prej pesë dosjeve të shortuara dhe disa të tjera nga 11 prej denoncimeve të dorëzuara në Komision nga publiku.

Sipas KPK, në një rast, Gjykata e Apelit Shkodër ka konstatuar se subjekti nuk është investuar për kryerjen e një pjese të veprimeve hetimore; për një çështje i është dhënë urdhër që të hetojë pasi kishin kaluar rreth 6 muaj pa u kryer veprime hetimore; se ka vendosur mosfillimin e hetimeve për një çështje tjetër, pasi kishin kaluar dy muaj nga kallëzimi i kryer; si dhe nuk ka kryer në një rast detyrat që i ka lënë gjykata. Po ashtu, u relatua se i janë kërkuar shpjegime për një çështje të denoncuar në medie, por pa u dhënë detaje.

Prokurorja Milla deklaroi se vonesa për vendimarrje ka ndodhur për shkak të ngarkesës. Ajo pretendoi se kishte kryer hetim tërësor të të gjitha çështjeve. Lidhur me konstatimin e gjykatës për mosthellimin në hetime, ajo shpjegoi se bëhej fjalë për një rast ku i dëmtuari fillimisht nuk kishte paraqitur të dhëna që të mund të ngriheshin dyshime se bëhej fjalë për një ngjarje penale, pasi kishte deklaruar se ishte rrëzuar vetë dhe se kishte rezultuar me dëmtime të lehta.

Lidhur me nxjerrjen e urdhërit për kryerjen e hetimeve, subjekti sqaroi se një gjë e tillë kishte ndodhur pasi oficeri i policisë gjyqësore nuk kishte vepruar për të kryer hetimet e urdhrit të parë, prandaj ishte nxjerrë i dyti.

Në vijim, Milla dha shpjegime për një denoncim publik të kryer në medie për një çështje të verifikuar prej saj duke vendosur mosfillimin e hetimeve. Ajo shpjegoi se bëhej fjalë për kallëzime të kryera nga një shtetase për ndërtim pa leje, çështje për të cilën tha se e heton një tjetër prokuror.

Subjekti pohoi se ka verifikuar pretendimin e kësaj shtetase se është rrahur dhe i është dëmtuar telefoni. Sipas Millës, nga akti mjeko-ligjor kanë rezultuar dëmtime të lehta që ndiqen në gjykatë nga i dëmtuari, ndërsa nuk është arritur të provohet dëmtimi i aparatit celular.

Në përfundim, prokurorja Shqiponja Milla kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 2 mars, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *