Trupa e KPK për çështjen ndaj prokurores Esmeralda Ndoci. Foto:Vladimir Karaj/BIRN.
KPK Lajme Veting

KPK mbyll me sanksion karrierën e Esmeralda Ndocit në Prokurori

Në nëntor të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit caktoi trupën që do të kryente procesin e rivlerësimit kalimtar për prokuroren e Shkodrës, Esmeralda Ndoci dhe e filloi hetimin administrativ tetë muaj më vonë.

Në janar të vitit 2020, KPK konstatoi se Ndoci kishte marrë leje të papaguar për dy vite, ndërsa në nëntor të po këtij viti u njoftua në rrugë elektronike nga subjekti se kishte qenë në pamundësi absolute dhe objektive për të marrë njoftimet dhe për t’iu përgjigjur email-eve, pasi ndodhej në Afrikë.

Ndoci depozitoi fillimisht një kërkesë paraprake për konstatimin e moskompetencën lëndore të KPK-së për fillimin e procedurës së vetingut ndaj saj dhe se në rast që do t’i rrëzohej kërkesa, atëherë t’i lihej një afat i arsyeshëm për kthimin e përgjigjeve të formularit, duke marrë në konsideratë edhe  largësinë e saj jashtë vendit.

Në tetor 2021, përfaqësuesja ligjore e Ndocit, avokatja Antoneta Sevdari informoi Komisionin mbi mbrojtjen nga ana e saj e këtij subjekti rivlerësimi. Në vijim, ajo kërkoi përshpejtimin e procesit të vetingut për Ndocin dhe përfundimin deri më datë 31 dhjetor 2021, me argumentin që të mos i cënohet e drejta për një jetë familjare.

Subjekti ka parashtruar si argument faktin se prej dy vjetësh qëndron jashtë vendit pranë bashkëshortit të saj, pas marrjes së lejes së papaguar 2-vjeçare. Ndoci ka shprehur vullnetin e saj për t’u vetuar dhe jo për t’iu shmangur procesit, por ka theksuar se për të qëndruar pranë bashkëshortit, i duhet të japë dorëheqjen nga detyra.

Në mars të vitit 2022, KPK ka administruar vendimin e KLP-së për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për prokuroren Esmeralda Ndoci për shkak të dorëheqjes së saj.

Komisioni ka verifikuar se subjekti nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimit të KLP-së dhe në prill të vitit 2022 i është kërkuar të shprehet lidhur me ushtrimin e të drejtës së saj për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore. Përfaqësuesja e Ndocit ka njoftuar se subjekti nuk dëshironte të dëgjohej.

Kërkesa për moskompetencën

Në përfundim të procesit të kryer ndaj saj, Ndoci nëpërmjet avokates Sevdari kërkoi që Komisioni të deklarojë që nuk ka kompetencën dhe ta përfundojë pa vendim procesin e rivlerësimit ndaj saj.

Kërkesën për moskopetencë të KPK-së, Ndoci e argumentonte me pretendimin se kur ajo dhe magjistratë të tjerë të maturës së saj të vitit 2016 kishin përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës, kishte hyrë në fuqi ligji për ndryshimet kushtetuese. Sipas saj, bazuar në këto ndryshime, magjistratët e rinj duhej të kalonin vlerësimin e pasurisë dhe të figurës nga institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ashtu si kryhet aktualisht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Avokatja Sevdari ka sqaruar se subjekti i është nënshtruar procesit të rivlerësimit dhe ka vijuar kthimin e përgjigjeve, duke menduar se vazhdimi i vetingut ishte e vetmja mënyrë për ankimin e vendimit.

KPK i ka vlerësuar të pabazuara pretendimet e Ndocit. Sipas trupës, vetë prokurorja Ndoci është sjellë si subjekt rivlerësimi kalimtar duke plotësuar formularët përkatës të kërkuar nga ligji për vetingun e magjistratëve.

Komisioni konstaton se Ndoci ka qenë e emëruar si prokurore e përkohshme në stazh dhe për rrjedhojë ka ushtruar detyrën duke hetuar, konkluduar dhe përfaqësuar organin e akuzës apo ndërmarrë vendime përgjatë vitit 2016.

“Trupi gjykues vlerëson se veprimtaria e ushtruar nga subjekti në mënyrë individuale dhe nën përgjegjësitë e duhura ligjore, merr shkas nga qenia e saj magjistrat, duke mos konkurruar thjesht dhe vetëm me termin ‘kandidat’”, argumenton KPK.

Duke ju referuar dispozitave kushtetuese dhe ligjore, trupa e Komisionit vëren se procesit të rivlerësimit ex officio i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe kategoritë e tjera, pa bërë asnjë specifikim, ndarje në nënkategori apo dallim midis gjyqtarëve apo prokurorëve në detyrë dhe atyre jo në detyrë. Në përfundim, trupa konkludon se rivlerësimi i Ndocit është kompetencë e KPK.

Pretendimet për sanksionin

Veç pretendimit për moskompetencë të KPK-së për rivlerësimin e saj, subjekti paraqiti kërkesë alternative që, nëse përfundohet procesi i vetingut për shkak të dorëheqjes së saj, të mos aplikohet sanksioni që i heq të drejtën për rikthimin në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Përfaqësuesja Sevdari ka parashtruar faktin se subjekti në shkurt të vitit 2020 ka lidhur martesë me një shtetas francez dhe për arsye familjare ka marrë lejen e papaguar me afat 2-vjeçar. Duke theksuar se dorëheqjen e ka dhënë për të qëndruar pranë bashkëshortit, Ndoci e ka vlerësuar jo proporcional aplikimin e sanksionit që i heq të drejtën e ushtrimit të funksionit të magjistratit për 15 vjet.

“Vetëm e vetëm që të mos i shmangej procesit ka marrë leje të papaguar, ka shkuar pranë bashkëshortit, ka qëndruar 2 vjet pa punë, ka respektuar të gjitha detyrimet e magjistratit vetëm e vetëm me kushtin e vetëm që të mbaronte procesi i rivlerësimit ndaj saj. Në momentin kur znj. Esmeralda Ndoci ka marrë lejen e papaguar ka vlerësuar se afati 2- vjeçar, që ajo shfrytëzoi sipas ligjit nr. 96/2016 ishte i mjaftueshëm që procesi i rivlerësimit të përfundonte,” ka parashtruar Sevdari para KPK-së.

Po ashtu, ka sjellë si argument faktin se Komisioni e kishte mandatin 5 vjeçar dhe se subjekti kishte vlerësuar se procesi i saj i vetingut do të kishte përfunduar brenda asaj periudhe. Ndërsa kur ishte njohur me shtyrjen e mandatit të KPK-së, Ndoci i kishte kërkuar Komisionit përshpejtimin e procesit përpara se të përfundonte lejen e papaguar, që dosja e saj të vlerësohej si prioritare mes subjekteve të tjerë.

Një përgjigje e Komisionit se dosja e saj do të shqyrtohej si prioritare në shortin përkatës, është vlerësuar nga Ndoci si refuzim për t’u marrë një vendim përfundimtar në një kohë të arsyeshme në funksion të kërkesave të saj, si dhe në cënim të të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Komisioni e vlerëson të pabazuar dhe pretendimin e subjektit se mosushtrimi me prioritet i çështjes së saj i ka cënuar jetën private.

Trupa e KPK vëren se objekt i ligjit të vetingut janë të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në rang vendi dhe se për kryerjen e procesit të rivlerësimit ndiqet radha sipas periudhës kur është shortuar secili subjekt.

“Përjashtim nga rregulli bëjnë vetëm subjektet …të cilët kanë aplikuar për lëvizje të tyre në gjykatat më të larta apo në organet e tjera të krijuara në sistemin e drejtësisë, të cilët janë kategorizuar si subjekte prioritarë dhe, për pasojë, i janë nënshtruar apo i nënshtrohen në vijim me prioritet procesit të rivlerësimit,” konstaton KPK.

Sipas trupës së Komisionit, nëse kërkesa e subjektit për tu traituar me prioritet do të pranohej, do të dukej si krijim i një precedent të ri që do të krijonte idenë e një mosbarazie mes subjekteve të tjera.

“Trupi gjykues vlerësoi se është në zgjedhje të subjektit ushtrimi i lirë i detyrës deri në përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar ndaj saj, sipas parashikimeve ligjore të lartpërmendura, në raport me të drejtën për të jetuar pranë bashkëshortit,” citohet në vendim.

Komisioni sjell në vëmendje se Ndoci e ka kryer kërkesën për përshpejtim në dhjetor të vitit 2021, kur ishte e vetëdijshme se së shpejti i përfundonte leja e papaguar dhe e konsideron të sforcuar.

“Nuk mund të përdoret si argument i suksesshëm pretendimi i depozitimit të kërkesës për përshpejtim në dhjetor të vitit 2021, për faktin se u mësua zgjatja e mandatit të institucionit të Komisionit,” argumenton KPK.

Duke iu referuar edhe jurisprudencës së Kolegjit, trupa e KPK, çmon se zbatimi i nenit G të Aneksit të Kushtetutës që i heq të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, ka ardhur si pasojë e vullnetit të qartë dhe të parevokueshëm të Ndocit për të mos ushtuar detyrën e prokurorit.

Komisioni konstaton se bazuar në kërkesën për dorëheqje të subjektit, vendimarrjen e KLP-së për mbarimin e statusit të magjistartit dhe mos ushtrimin e ankimit ndaj këtij vendimi, konfirmohet vullneti i pavesuar i Ndocit për t’u larguar nga detyra.

Për rrjedhojë, KPK ka disponuar me ndërprerjen e vetingut për Ndocin dhe ndalimin e emërimit të saj si gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë i Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *