Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një procesi. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi sanksionin ndaj ish-këshilltarit ligjor, Selami Zalli

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të premten lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ndëprerjen e vetingut për ish-ndihmësin ligjor të Gjykatës së Lartë, Selami Zalli, si dhe për ndalimin e rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

KPK vendosi më 23 dhjetor 2021 të mos e pranojë kërkesën e Zallit për pushimin e hetimit administrativ, me pretendimin se ishte larguar nga detyra brenda afatit që sillte shmangien e vetingut. Zalli pretendonte se ai nuk ishte në kushtet e heqjes dorë nga detyra sipas Aneksit të Kushtetutës, si dhe nuk e gëzon më statusin e magjistratit, pasi pozicioni i ndihmësit ligjor nuk ekziston më.

Selami Zalli ka punuar si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë për periudhën 2009-2017. Në muajin mars të 2017-ës, Zalli u lirua nga detyra me kërkesë të paraqitur prej tij. Megjithatë, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka rezultuar se subjekti ka qenë në detyrë duke gëzuar statusin magjistratit dhe për rrjedhojë ka kryer deklarimet përkatëse për të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Relatori i çështjes, Olsi Komici sqaroi gjatë seancës dëgjimore për 22 dhjetor 2021 se Zalli nuk e kishte kryer kërkesën për lirim sipas ligjit, pasi nuk ia kishte drejtuar Presidentit të Republikës dhe për rrjedhojë vijonte të ishte subjekt rivlerësimi.

Në përfundim, Komisioni ka konstatuar se Zalli vijonte të gjendej në kushtet e parashikuara në nenin G të Anksit të Kushtetutës, ku në rastet e dorëheqjes nga detyra përcaktohet që ndëprerja e vetingut të shoqërohet edhe me ndalimin e emërimit të subjektit në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtyllën, Mimoza Tasin dhe Sokol Çomon, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e ish-këshilltarit ligjor Selami Zalli, me shumicë votash ka vendosur ta rrëzojë atë duke lënë në fuqi vendimin e KPK-së.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *