Prokurori i Vlorës, Hyrjet Lamaj pas seancës dëgjimore, Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

KPK largon nga detyra prokurorin Hyrjet Lamaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 26 maj vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Vlorës, Hyrjet Lamaj. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Kryesuesja Bungo sqaroi se Lamaj kishte dorëzuar një ditë pas seancës dëgjimore kërkesë për riçeljen e hetimit, por duke qenë se është administruar pas procesit të vendimmarrjes, është çmuar se nuk mund të vlerësohej.

Gjatë seancës dëgjimore më 24 maj, Lamaj u përball me pyetje mbi bilancin negativ në dy vite dhe një apartament të dhuruar nga vëllai në vitin 2015. Ai këmbënguli në ligjshmërinë e burimeve financiare dhe kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa u përket dy çështjeve profesionale.

Hyrjet Lamaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2002. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe e ushtroi funksionin prej asaj kohe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *