Prokurori Gjergji Tako pas seancës së dytë dëgjimore,. Foto: LSA
KPK Lajme Veting

KPK rikthen prokurorin Gjergji Tako në Shkollën e Magjistraturës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi të premten më 17 qershor të pezullojë nga detyra për një vit prokurorin e Tiranës Gjergji Tako, pas problemeve të konstatuara në kriterin profesional, si dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e Shkollës së Magjistraturës. Sipas kryesuesit të trupës së KPK-së që kreu procesin e vetingut për Takon, Roland Ilia, pas verifikimit të rezultateve të arritura në Shkollën e Magjistraturës do të përfundohet procesi i rivlerësimit bazuar në të tre kriteret.

Gjatë dy seancave dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të zhvilluara në datat 27 prill dhe 15 qershor, prokurori Tako dha shpjegime për përdorimin e automjeteve pa dokumentacion të rregullt si dhe për pushimin e çështjeve pa kryer më parë veprimet hetimore të nevojshme.

Po ashtu, u gjetën probleme dhe në kërkesat e dërguara për gjykim, pasi sipas KPK-së mungonte analiza ligjore. Për një pjesë të konstatimeve për profesionalizimin Tako u mbrojt duke sjellë në vëmendje të trupës vendime të njëjta të kolegëve të tij, të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokurorin Tako u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me reatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Gjergji Tako përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjës. Prej vitit 2007, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Tiranë. Gjatë seancave dëgjimore dhe në shpalljen e vendimit Tako u paraqit së bashku me avokatin e tij, Robert Karati.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *