Prokurorja Mariola Mërtiri pas seancës në KPK. Foto:BIRN
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik kërkon në Kolegj shkarkimin e prokurores Mariola Mërtirit

Komisionerja Publike Irena Nino bëri ankim ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës  Mariola Mërtiri. Nino thotë se hetimi i Komisionit dhe vlerësimi i fakteve të bëra nga KPK  kishte mangësi dhe i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të vendosë shkarkimin e prokurores për shkelje në të tri kriteret e rivlerësimit.

“Ndryshimin e vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra e subjektit të rivlerësimit, zonjës Mariola Mërtiri”, thuhet në kërkesën e paraqitur nga Nino.

Mërtiri u konfirmua me shumicë votash më 21 dhjetor të vitit që shkoi. Relatori i çështjes, Roland Ilia dhe anëtarja Pamela Qirko arritën në konkluzionin se problemet e gjetura ishin sqaruar dhe se Mërtiri kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit.

Në pakicë, kryesuesja e trupës Etleda Çiftja arsyeton se ndërsa veç e veç problemet e gjetura në rivlerësimin e Mërtirit nuk ishin të mjaftueshme për të sjellë shkarkimin, të marra së bashku ato çonin në shkarkimin e saj dhe se “subjekti i rivlerësimit dështoi të kalonte testin e moscënimit të besimit të publikut”.

Por vëzhguesit ndërkombëtare, gjetjet e të cilëve ishin edhe elementët kyçë në seancën publike që u zhvillua me Mërtirin në dhjetor, kërkuan rihetim të dosjes, duke vënë në dukje mangësi në arsyetimin e shumicës, sidomos sa i përket gjetjeve të përcjella nga vetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në kriterin e figurës.

Mërtiri i kundërshtoi këto gjetje, që kishin të bënin kryesisht me cilësimin si kontakt të papërshtatshëm të lidhjeve të saj dhe bashkëshortit me personat e përfshirë në afërën e inceneratorëve. Mërtiri është kunata e Stela Gugallaj dhe Mirel Mërtirit, të shpallur në kërkim nga SPAK për akuzat e korruspionit dhe pastrimit të parave.

Bazuar në rekomandim Komisionerja Nino i kërkon Kolegjit të vendosë shkarkimin e Mërtirit. Sipas ankimit vendimi i shumicës së KPK ishte i rrëzueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit. Duke iu referuar pasurisë dhe burimit të ligjshëm të të ardhurave të marra hua nga Mërtiri, prej vëllait të bashkëshortit Mirel Mërtirit, Komisionerja thotë se nuk u vërtetua burimi i ligjshëm. Huaja shërbeu për blerjen e një apartamenti.

“Duke përfunduar, Komisioneri Publik vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë dhe justifikojë bindshëm burimet e ligjshme të të ardhurave të personave të tjerë të lidhur”, thuhet në ankim.

Po ashtu Komisionerja Publike, gjen me probleme përfitimin nga Mërtiri të një huaje për strehim social, duke vënë në dukje se ajo nuk plotësonte kriteret për të përfituar huanë që po ashtu kishte shërbyer në blerjen e apartamentit. Nino thotë se kredia e përfituar nga prokurorja ishte e destinuar për shtresat në nevojë me të ardhura të pakta dhe se prokurorja nuk binte në atë kategori.

“Duke vlerësuar rastin në raport me kushtet financiare faktike të subjektit të rivlerësimit në momentin e aplikimit, rezulton se kjo normativë ligjore, nuk plotësohej nga ana e subjektit, pasi të ardhurat familjare të tij kanë qenë të larta”, thuhet në ankim.

Qëndrim të ngjashëm mban Nino sa i përket rivlerësimit në kriterin e figurës. Komisionerja duke u nisur nga rekomandimi i ONM, vë në dukje se prokurorja kishte detyrim deklarimin e kontakteve dhe lidhjeve me personat e përfshirë në aferënne inceneratorëve edhe pas periudhës së deklarimit por të paktën nisur prej vitut 2018 kur afera u denoncua publikisht.

Po ashtu fakti që bashkëshorti i saj ka punuar për kompaninë e inceneratorëve dhe fakti që prokurorja dhe bashkëshorti kanë përdorur automjete të personave të tjerë të shpallur në kërkim apo të arrestuar për këtë aferë, është përfshirë në ankim.

Komisionerja e cilëson të mangët vlerësimin e KPK në këtë pikë. “Komisioneri Publik, mbështetur në Rekomandimin për paraqitje ankimi të ONM-së dhe përmbajtjes së gjetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar, çmon se përfundimi i Komisionit nuk është rrjedhojë e një vlerësimi tërësor të fakteve dhe interpretimit të drejtë të ligjit të posaçëm. Duket se Komisioni, në vlerësimin e kriterit të figurës, mbështetet në një interpretim të ngushtë dhe formal të dispozitave ligjore të zbatueshme”, thuhet në ankim.

Komisionerja po ashtu cilëson si problematike mosdeklarimin e kontaktit me një person të përfshirë në krimin e organizuar. Sipas Komisioneres dorëheqja e mëvonshme e subjektit nga një hetim mbi këtë person, tregon se ajo ishte në dijeni të situatës dhe se duhej të kishte deklaruar këtë kontakt aq më shumë që personi në fjalë ishte ai me të cilin ishte kryer marrëveshja e shit-blerjes së apartamentit.

Në vijim Komisionerja e cilëson Mërtirin të papërshtatshme sa i përket kriterit të figurës. “Ky vlerësim negativ qëndron edhe nga një vlerësim tërësor i çështjes, pasi gjenden një sërë rrethanash, të vlefshme për të konkluduar se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut, sipas parashikimeve të nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016”, thuhet në ankim.

Ankimi gjen probleme edhe sa i përket kriterit të profesionalizmit, duke analizuar se parë në tërësi me pjesën tjetër të dosjes edhe këto elementë duhej të konsideroheshin shkarkues. Sipas ankimit vendimet e mosfillimit apo pushimit të ndërmarra nga Mërtiri kishin “të meta të dukshme dhe mungesë arsyetimi”.

“Duke përfunduar për sa u parashtrua për kontrollin e kriterit të aftësive profesionale, mbështetur në Rekomandimin për paraqitje ankimi të ONM-së, dhe përmbajtjes së gjetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar, vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës e provës”, thuhet më tej në ankim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *