Prokurori Florian Bonjaku në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Florian Bonjaku jep shpjegime për çmimin e shitjes së një apartamenti

Prokurori i Krujës, Florian Bonjaku dha shpjegime në seancën e tretë dëgjimore të premten më 27 maj lidhur me hetimin e kryer rishtazi nga Komisioni për dyshimet e ngritura për veprime fiktive në shitjen e një apartamenti.

Në seancën e 27 prillit, kur pritej që prokurori Bonjaku të njihej me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, kryesuesja e trupës Xhensila Pine njoftoi se ishte vendosur riçelja e hetimit administrativ. Bonjaku iu nënshtrua rivlerësimit në të tri kriteret nga një trupë e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sabxhaktarin.

Gjatë seancës dëgjimore në 20 prill u konstatua një kontratë fiktive me vjehrrin dhe transaksionet në shitjen dhe blerjen e dy apartamenteve. Po ashtu, Bonjakut iu kërkuan shpjegime në lidhje me zbutjen e akuzës ndaj një personi të arrestuar për kultivim narkotikësh, të dërguar në gjykim për “moskallëzim krimi”. Subjekti i kundërshtoi gjetjet dhe këmbënguli të konfirmohej në detyrë.

Të premten më 27 maj, relatori Komici sqaroi se pas shpjegimeve të subjektit, Komisioni kishte vlerësuar të nevojshme që të merreshin informacione zyrtare lidhur me çmimin e tregut të lirë në zonën ku gjendet apartamenti i shitur prej subjektit.

“Trupa riçeli hetimin për të siguruar dokumentet e nevojshme për vendimarrjen,” deklaroi Komici dhe sqaroi se prej dokumenteve të dorëzuara nga AKSH për shitjen e apartamenteve të tjerë në atë zonë ku gjendet dhe apartamenti i shitur prej Bonjakut për çmimin rreth 9.5 milionë lekë, çmimi për një metër katror varion deri në 120 mijë lekë. Sipas Komicit, subjektit i janë kërkuar shpjegime dhe është vendosur mbyllja e hetimit.

Prokurori Bonjaku deklaroi në seancë se prej dokumenteve të dorëzuara nga ASHK, rezulton se në atë zonë ka kontrata shitjeje me çmime të ndryshme, që janë më të larta se çmimet e referencës.

“Një apartament rezulton se është blerë për çmimin 51 mijë lekë për m2 dhe është shitur një vit më vonë për 119 mijë lekë për m2. Më shumë se dyfishi dhe tregon se si është rritur vlera në atë zonë që vërteton edhe rritjen e vlerës së apartamentit tim,” argumentoi Bonjaku dhe shtoi se kishte dorëzuar kontrata të tjera që vërtetojnë se apartamente të tjerë janë shitur me çmim më të shtrenjtë nga sa e ka shitur ai.

Subjekti vërejti se kishte sjellë si prova edhe njoftime në gazetë për shitjen e apartamenteve në atë zonë dhe në atë periudhë, si dhe vlerësim nga një eksperte.

Bonjaku këmbënguli se provat krijojnë bindjen se çmimi i shitjes së apartamentit të tij është ai i tregut.

Relatori Komici dhe vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler e pyetën subjektin se përse kishte zgjedhur që transaksioni i vlerës së shitjes së apartamentit të mos kryhej nëpërmjet sistemit bankar dhe pse kishte zgjedhur që të mbante në shtëpi një shumë rreth 9.5 milionë lekë për disa muaj.

Prokurori Bonjaku deklaroi se në atë periudhë kishte gjetur një apartament tjetër që mund të shitej në çdo kohë dhe se e kishte parë të panevojshme të depozitonte paratë në bankë, përderisa kishte qenë një kohë e shkurtër. Ai sqaroi se pas shitjes së apartamentit kishte jetuar pak javë në atë banesë, derisa e kishte dorëzuar tek pala blerëse dhe për periudhën tjetër para blerjes së apartamentit tjetër, kishte jetuar përkohësisht në banesën e prindërve.

Për vlerën e mbetur pas blerjes së apartamentit që disponon dhe aktualisht, subjekti sqaroi se e kishte shpenzuar për shkollimin e vajzave dhe për rregullime në banesën e re.

Në fund të seancës prokurori Bonjaku falënderoi Komisionin për hetimin e kryer. Ai vërejti se ishte treguar gjithmonë i kujdeshëm në ushtrimin e detyrës, si për kontaktet që kishte pasur ashtu edhe në drejtim të konfliktit të interesit. Ai pohoi se për shkak të detyrës dhe çështjeve që kishte hetuar, kishte pasur mbrojtje të posaçme. Në përfundim, Bonjaku kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 31 maj, në orën 11:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *