Kryetari i Gjykatës se Shkodrës, Arben Zefi, duke dalë pas një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga: LSA
Lajme Vendi

KPA vulos largimin e gjyqtarit Arben Zefi nga sistemi i drejtësisë

Në unanimitet, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të KPK për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi.

Kryetari i Gjykatës se Shkodrës, Arben Zefi, duke dalë pas një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj anëtarë, pasi gjykuan në dhomë këshillimi ankimin e ish-gjyqtarit Arben Zefi kundër vendimit KPK, vendosën në unanimitet largimin e tij përfundimtar nga sistemi i drejtësisë.

KPK vendosi më datë 10 janar 2019 shkarkimin nga detyra të Arben Zefit, pasi u identifikuan probleme me pasurinë dhe konflikt interesi.  Komisioni gjeti deklarim të pasaktë dhe mungesë të burimeve financiare për një apartament 132,8 m2 në Shkodër. Gjithashtu, u gjet se ai kishte përfituar në kundërshtim me ligjin një tjetër apartament në vitin 2001, si i pastrehë.

Problematike për Zefin rezultuan edhe makinat që ai kishte në përdorim apo në posedim. Sipas KPK, një prej makinave u sekuestrua nga policia sepse rezultoi e vjedhur.

Problem rezultoi edhe destinacioni i një shume 50 mijë euro, nga ku rezultoi se Zefi kishte bërë një kontratë me një kompani për të përfituar hapësirë në ndërtimet që ajo do të kryente. Nga hetimi rezultoi se ai nuk e kishte pasqyruar dhënien e kësaj shume në deklaratën veting dhe se kishte mungesë burimesh për krijimin e saj.  Komisioni gjeti se gjyqtari kishte marrë pjesë në shqyrtimin e një çështje ku kjo kompani kishte qenë palë dhe çmon se Zefi e ka ushtruar veprimtarinë e tij në kushtet e konfliktit të interesit në këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *