Gjyqtarja Lindita Hoxha duke dalë nga seanca e KPK | Foto : E. Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtarja e Apelit Shkodër, Lindita Hoxha përballet me probleme për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar probleme me pasurinë e subjektit dhe dy raste të mundshme konflikti interesi.

Gjyqtarja Lindita Hoxha duke dalë nga seanca e KPK | Foto : E. Hoxhaj

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Shkodër, Lindita Hoxha u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për të tri kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren Hoxha përbëhet nga Etleda Çiftja kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Sanxhaktari deklaroi gjatë se seancës dëgjimore se subjekti kishte bërë deklarime të pasakta të pasurive dhe burimeve të krijimit.

Gjithashtu u evidentua mungesë dokumentacioni për të provuar një pjesë të të ardhurave dhe burimin e dy huave.

Në seancë u identifikuan edhe dy raste kur subjekti kishte shqyrtuar çështje ku palë ndërgjygjëse kishte qenë një shoqëri ku punonte bashkëshorti, duke ngritur shqetësime për konflikt të mundshëm interesi.

Gjyqtarja Lindita Hoxha tha se me shpjegimet e saj u kishte dhënë përgjigje të gjithë problemeve të ngritura nga Komisioni.

Lindita Hoxha ka një karrierë 27-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Prej vitit 2003 ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër. Në vitin e 2019, Hoxha ishte një nga 5 gjyqtarët e Apelit që shqyrtuan çështjen e uljes së masës së dënimit ndaj Dritan Dajtit – një gangster famëkeq i dënuar për vrasjen e 4 policëve të shpallur dëshmorë të atdheut. Hoxha së bashku me ish-kreun e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha ishin kundër uljes së dënimit të Dajtit, nga dënim të përjetshëm në 25 vjet heqje lirie.

Problemet për pasurinë

Relatorja Valbona Sanxhaktari deklaroi se sipas raportit të Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, gjyqtarja Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë, ka mungesë të dokumentacionit ligjor për të ardhurat e bashkëshortit, por se ka pasur burime të mjaftueshme për krijimin e pasurisë, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Sanxhaktari evidentoi disa probleme të identifikuara nga Komisioni lidhur me pasuritë që disponon familja e gjyqtares Hoxha, kryesisht për mungesë të dokumentacionit për të provuar të ardhurat, shpenzimet e burimet e huave, si dhe mosdeklarime.

Për një apartament me sipërfaqe 92. m2 të blerë në Shkodër në korrik të vitit 2006 për vlerën 2 milionë lekë, Komisioni ngre dyshime se kjo pasuri mund të jetë disponuar prej vitit 2003, pasi ka pasur kontratë të lidhjes së energjisë.

Sanxhaktari tha se çmimi 2 milionë lekë që ka shërbyer për blerjen e këtij apartamenti duket më i ulët se i zonës ku gjendet dhe se subjekti nuk ka deklaruar një hua në vlerën 1 milion lekë nga shtetasi H.S. Në seancë u evidentua edhe mosdeklarimi i pakësimit të gjendjes cash në vitin 2006, kur është kryer blerja e apartamentit.

Sipas Komisionit, duket se Hoxha ka qenë në pamundësi për investimin e kryer si dhe nuk ka arritur të mundësojë dokumentimin e të ardhurave të huadhënësit.

Relatorja Sanxhaktari renditi disa konstatime për një objekt të ndërtuar pa leje nga bashkëshorti i subjektit. Sipas saj, gjyqtarja Hoxha nuk ka arritur që deri tanimë të provojë pronësinë e truallit ku është ndërtuar një objekt informal në fshatin Shtoj i Vjetër në Shkodër. Gjithashtu u evidentua pamundësia për të provuar vitin e ndërtimit të këtij objekti në proces legalizimi, si dhe investimi i kryer për arredimin e katit të dytë që sipas Komisionit duket se përdoret si restorant.

“Nuk ka asnjë dokument për vlerën e investimeve dhe nëse në shumën e deklaruar 1.4 milion lekë përfshihet ose jo arredimi i kryer,” pohoi Sanxhaktari.

Në seancë u evidentua se bashkëshorti i gjyqtares Hoxha është administrator i shoqërisë “Agro Zoo Tek”, aktiviteti i të cilës është mbarështimi i shpendëve dhe ushtrohet në objektin informal dhe në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Shtoj. Sipas Sanxhaktarit, bashkëshorti ka përfituar me trashëgimi pjesën e tij nga toka bujqësore të përfituar nga familja e origjinës prej ligjit “Për Tokën”.

“Subjekti nuk e ka deklaruar përdorimin e objektit si restorant”, tha relatorja.

Gjyqtarja Lindita Hoxha nuk preferoi të jepte shpjegime të hollësishme gjatë seancës dëgjimore lidhur me konstatimet e Komisionit.

“I mbetem çdo pike të sqaruar në parashtrimet me shkrim. Mendoj se problemeve të evidentuara u kam dhënë përgjigje. Jam dakord me gjithë procesin”, tha ajo.

“Kam punuar për 27 vite me ndershmëri e shumë sakrifica. Ka qenë shumë e vështirë të ruash emrin e mirë për 27 vite dhe tu bësh ballë presioneve”, shtoi ajo mes lotësh, duke bërë që Komisioni të ndërpriste seancës për pak minuta.

Në vijim, Hoxha pohoi se vlera e ndërtimit informal është 1.4 milion lekë. Ajo shpjegoi se arredimi nuk përfshihet në këtë vlerë dhe se plotësimi i pajisjeve është kryer pjesë-pjesë në kohë. Hoxha tha se aktualisht vazhdon vetëm aktiviteti i mbarështimit të shpendëve, por jo ai i restorantit.

Kryesuesja Etleda Çiftja e pyeti gjyqtaren Hoxha se kur ishte përfunduar ndërtimi i objektit informal në fshatin Shtoj dhe se sa ishte sipërfaqja totale e shfrytëzuar.

Gjyqtarja Hoxha shpjegoi se bashkëshorti merrej vetëm me mbarështimin e shpendëve dhe shitjen e tyre.

Sipas saj, sipërfaqja e terrenit ku mbarështohen shpendët është rreth 1000 m2, kurse ajo e objektit rreth 100 m2. Hoxha tha se mobilimi i katit të dytë me pajisjet, tavolinat dhe frigoriferët ishte kryer pas ndërtimit të objektit. Ajo shtoi se investimi rreth 300 mijë lekë i kryer në arredimin e katit të dytë të objektit nuk ishte kryer njëherazi dhe prandaj nuk ishte kryer deklarimi.

E pyetur nga vëzhguesja ndërkombëtare Elka Ermenkova lidhur me pronësinë e truallit ku është ndërtuar objekti informal, gjyqtarja shpjegoi se i përkiste një të afërmi të bashkëshortit.

Në interesim të Ermenkovas, subjekti sqaroi se bashkëshorti ishte lindur dhe rritur në atë fshat dhe se kishte krijuar aktivitetin për rritjen e shpendëve pasi e kishte edhe pasion. Lidhur me shfrytëzimin e katit të dytë, ajo shpjegoi se më parë është përdorur si lokal ku banorët e paktë të fshatit Shtoj shkonin për të pirë ndonjë kafe, por se aktualisht nuk kishte personel dhe se nuk ishte funksional.

Sipas KPK-së Hoxha ka rezultuar me pamundësi financiare në shumën 313 mijë lekë për pagesën e këstit të dytë për një apartament me sipërfaqe 56.5 m2 të blerë në vitin 2016 në Shëngjin të Lezhës në vlerën 35 mijë e 400 euro.

Për një apartament tjetër që bashkëshorti e ka blerë para martese, në vitin 2001, në shumën 500  mijë lekë, KPK konstaton pamundësi për të provuar të ardhurat e përfituara prej tij. Sipas relatores, Komisioni ka në vëmendje faktin se kjo pasuri është krijuar para martesës.

Sanxhaktari tha se gjyqtarja Hoxha nuk ka deklaruar në vitin 2005 blerjen e një autoveture tip Benz në vlerën 250 mijë lekë. Për një tjetër automjet tip Benz të blerë në vitin 2010 në shumën 5000 euro, Komisioni identifikon mospërputhje për burimin e krijimit, pasi ndryshe nga deklarata periodike ku janë shënuar kursimet familjare si burim, në atë veting është pasqyruar edhe një hua. Relatorja Sanxhaktari sqaroi se Hoxha nuk kishte arritur të provonte të ardhurat e huadhënësit.

Gjatë fjalës së saj, gjyqtarja Hoxha deklaroi se huadhënësit kanë patur burimet e mjaftueshme financiare për vlerat e huave.

Konflikti interesit

Komisioni evidentoi dyshime për konflikt interesi në dy çështje të shqyrtuara nga gjyqtarja Hoxha, ku palë kishte qenë shoqëria INSIG, ku rezultonte që bashkëshorti i saj të ishte i punësuar. “Në vlerësim të Komisionit, subjekti i rivlerësimit duhej të kishte dhënë dorëheqjen nga këto çështje”, pohoi Sanxhaktari.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se bashkëshorti i gjyqtares Hoxha ka patur marrëdhënie qiraje me shtetasin Gj.P. për një objekt që i është dhënë me qira shoqërisë INSIG. Sipas Shanxhaktarit, bashkëshorti i subjektit ka përfituar të ardhura nga qiraja në periudhën 2013-2014 dhe se deklarimet e gjyqtares Hoxha nuk përputhen me të dhënat dokumentacioneve të administruara.

“Bashkëshorti ka marrë të ardhura të vazhdueshme nga qiraja, ndërkohë që subjekti deklaron se ato vlera nuk janë të ardhura të përfituara prej bashkëshortit të saj”, pohoi Sanxhaktari.

E pyetur nga kryesuesja, Etleda Çiftja, lidhur me dijeninë e saj për marrëdhënien e biznesit të bashkëshortit me INSIG, Hoxha shpjegoi se në vitin 2008 nuk e dinte një gjë të tillë. “Fillimisht bashkëshorti ka punuar me Intersig. Në atë periudhë kur ka kaluar tek INSIG më është sëmurur rëndë babai dhe nuk kam qenë në dijeni”, shpjegoi Hoxha.

Më tej ajo tha se Gj.P. kishte disa dyqane të cilat i jepte me qira dhe se bashkëshorti i saj ka qenë më shumë si ndërmjetës mes qiradhënësit dhe shoqëritë Interesig e INSIG. “Nuk ka hyrë asnjë lekë për llogari të familjes tonë. Vlerat e qirasë nuk kanë qenë të ardhurat tona që t’i deklaroja”, pohoi gjyqtarja Hoxha.

Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 ka rezultuar një balancë negative në vlerën 548 mijë lekë. Sipas relatores, kjo analizë është e bazuar në deklarimet e subjektit dhe se, ende nuk reflekton qëndrimin e Komisionit.

Sanxhaktari tha se gjyqtarja Lindita Hoxha, në përgjithësi vlerësohet e aftë për aspektin profesional, por shtoi se ajo i shfaq njohuritë në mënyrë të diferencuar. Gjithashtu, nga hetimi administrativ ka rezultuar se Hoxha ka aplikuar zgjidhje të ndryshme për çështje të ngjashme në vendimmarrjet e saj.

Në seancë u bë me dije se, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD ka miratuar masën disiplinore “vërejtje” për gjyqtaren Hoxha për shkak të vonesave në dy çështje që kishin të bënin me caktimin e masave të sigurisë. Sipas Komisionit, ankimi i subjektit është rrëzuar nga Apeli Administrativ dhe vendimin e kësaj të fundit Gjykata e Lartë e ka lënë në fuqi.

Ish-KLD ka arkivuar 8 ankesa të kryera ndaj gjyqtares Hoxha për periudhën 2013-2016, pasi nuk janë konstatuar probleme. Gjithashtu në seancë u relatua se nuk janë evidentuar probleme edhe në 10 denoncimet e kryera në KPK dhe 5 denoncimet e kryera pranë ONM.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe Komisioni nuk kanë gjetur probleme për pastërtinë e figurës së gjyqtares Lindita Hoxha.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja e Apelit Shkodër, Lindita Hoxha u shpreh se i plotësonte kërkesat e të tri kritereve të rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK do të shpallë vendimin më datë 6 korrik, ora 13:15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *