Gjyqtari Luan Hasneziri pas seances ne Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

KPK ngre dyshime për pasurinë dhe figurën e gjyqtarit Luan Hasneziri

Gjyqtari i Krimeve të Rënda Luan Hasneziri u përball me dyshimet mbi blerjen e një apartamenti dhe mosdeklarimin e refuzimit të një vize amerikane, ndërkohë që subjekti deklaroi gjatë seancës se KPK ‘po kapej pas preteksteve’ dhe mori si shembull ish-Presidentin e SHBA-së Abraham Lincoln.  

Gjyqtari Luan Hasneziri pas seances ne Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi mbajti të enjten seancën dëgjimore për gjyqtarin Luan Hasneziri, i cili u vlerësuar për dy nga tre kriteret e vetingut – pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Një apartament i  blerë në vitin 2006 dhe i paguar me një skemë të komplikuar që përfshin hua, kredi bankare dhe një kontratë noteriale, i krijoi probleme para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Po ashtu problem rezultoi për të edhe mosdeklarimi në formularin për kontrollin e figurës së refuzimit të një vize për të udhëtuar në SHBA. Gjatë seancës dëgjimore u vunë në dukje edhe pasaktësi në deklarimet periodike të gjyqtarit dhe mungesë të ardhurash për dy vite.

Atij po ashtu iu vu në dukje fakti që vëllai i cili i kishte dhënë huanë në vitin 2007 nuk kishte burime të ligjshme për shumën e huazuar.

Në mbrojtjen e tij Hasneziri pranoi se veprimet e kryera për të blerë shtëpinë dhe mënyra si ato ishin deklaruar linin dyshime, por ai tha se versioni i dhënë në seancë dëgjimore sipas të cilit bëhej fjalë për një kontratë të bërë në një marrëdhënie të posaçme ishte i sinqertë.

“Është në të drejtën tuaj të vlerësoni dhe të dyshoni në gjithçka sepse juristi e ka si sëmundje dyshimin dhe në fakt edhe unë vuaj nga kjo sëmundje”, tha ai në përgjigje të një pyetje nga vëzhguesi ndërkombëtarë Theo Jacobs.

Ai pranoi pasaktësitë në deklarimin veting, por tha se mosdeklarimi i refuzimit të vizës nuk e kishte cilësuar detyrim ligjorë, ndërsa këmbënguli se kjo kishte qenë publike pasi ishte deklaruar po prej tij në deklaratat për ILDKPKI në vitin 2014.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Hasnezirin përbëhet nga Suela Zhegu, Lulzim Hamitaj dhe Alma Faskaj relatore. Hasneziri pati kërkuar në një seancë të mëparshme përjashtimin e kësaj trupe, duke e cilësuar atë të njëanshme për shkak se kishte mbyllur hetimet vetëm për dy kritere.

Një tjetër trup gjykues vendosi të rrëzonte kërkesën. Në seancën e të enjtes Hasneziri bëri dy kërkesa të reja. Ai kërkoi t’i vihej në dispozicion vlerësimi profesional i përfunduar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke u shprehur se vetëm duke e pasur atë mund të “bënte një mbrojtje efektive” dhe hapje të hetimit për kriterin profesional.

Trupa gjykuese e KPK-së u mblodh dhe vendosi t’i rrëzojë të dyja kërkesat.

Hetimi i Komisionit

Luan Hasneziri e ka filluar karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Tiranës dhe më pas në Vlorë. Ai është emëruar gjyqtar i Krimeve të Rënda në vitin 2005, ndërkohë që vazhdon të mbajë këtë pozicion prej gati 15 vitesh.  Hasneziri është gjithashtu një nga kandidatët në garë për Gjykatën Kushtetuese. Ai ka aplikuar për një nga vendet vakante të shpallura nga Gjykata e Lartë.

Relatorja Faskaj vuri në dukje gjatë leximit të relacionit se nga hetimet e KPK kishin rezultuar një sërë problemesh në blerjen e një apartamenti 135 metra katrorë në vitin 2006 nga Hasneziri. Sipas saj kishte një kontratë noteriale të nënshkruar mes Hasnezirit dhe shitësit në dhjetor të vitit 2006. Në kontratë ishte theksuar që shuma prej 5.9 milion lekësh ishte paguar jashtë zyrës së noterit në cash.

Ndërkohë po sipas relatores Hasneziri kishte deklaruar për vetingun se burimi i kësaj pasuri ishte një kontratë huaje më vëllain për 6 milion lekë e lidhur në janar të vitit 2007 dhe një kredi e marrë po në janar të vitit 2007 prej 5 milion lekësh.

Hasneziri kishte deklaruar se huaja ndaj vëllait ishte shlyer plotësisht. 4.9 milion lekë pas marrjes së kredisë dhe pjesa e mbetur me këste për disa vite. KPK tha se nuk kishte dokumentacion ligjorë për të provuar marrjen e shumës hua nga vëllai dhe po ashtu nuk ishte provuar që kredia pas dispursimit t’i kishte kaluar të vëllait.

“Komisioni ka marrë në konsideratë dy situata”, për këtë rast tha relatorja. Një bazuar në kontratën noteriale dhe një tjetër bazuar në deklarimet e subjektit. Duke marrë në konsideratë situatën e parë KPK tha se ajo bënte të dukej se kishte deklarim të pasaktë në deklarimet periodike, pasi huaja dhe kredija ishin marrë një muaj më vonë pas lidhjes së kontratës në të cilën thuhej se shlyerja ishte bërë para saj.

Po ashtu nisur nga kjo situatë rezultonte se Hasneziri nuk i kishte burimet financiare për të bërë pagesën para nënshkrimit të kontratës. Ai rezultoi sipas këtij skenari me bilanc negativ prej 4.6 milion lekësh.

Për skenarin e dytë KPK kërkoi burimin e ligjshëm të të ardhurave të vëllait. Relatorja tha se Hasneziri kishte deklaruar se i vëllai i kishte bërë të ardhurat “jashtë sistemi fiskal”. Duke iu referuar këtij skenari ajo tha se ai sërish rezultoi me bilanc negativ prej 277 mijë lekësh në vitin 2006, nëse të ardhurat nga i vëllai konsideroheshin të ligjshme. Sipas këtij skenari KPK dyshonte se gjyqtari kishte bërë kontratë fiktive.

KPK vuri në dukje po ashtu deklarimin e disa adresave të ndryshme nga gjyqtari. Ky i fundit pretendoi se ato ishin lapsuse dhe se e vetmja adresë ishte ajo e vendosur në deklaratën veting.

KPK po ashtu tha se kishte hetuar mbi përdorimin e një makine. Sipas Komisionit Hasneziri e kishte deklaruar makinën në përdorim në vitin 2016, por rezultoi se kishte paguar siguracion për të prej vitit 2013. Po ashtu KPK tha se kishte hetuar mbi burimet financiare të personave që kishin blerë makinën.

Ndërkohë KPK tha se kishte një situatë konfuze lidhur mbi kursimet cash të deklaruara. Hasneziri kishte deklaruar në veting shumë 600 mijë lekë, kursime nga paga dhe mësimdhënia, por sipas deklaratave periodike rezultonte një shumë prej mbi 3 milion lekësh e kursyer.

Po ashtu u diskutua edhe qarkullimi i një shumë prej 40 mijë dollarësh marrë si hua për tu përdorur si garanci për një vizë amerikane në vitin 2014. KPK tha se lëvizja e parave ishte bërë cash duke e bërë situatën në dukje të dyshimtë.

KPK vuri në dukje se në kriterin e figurës pas një hetimi nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, se Hasneziri nuk kishte deklaruar “refuzimin e një vize nga Ambasada e SHBA në Tiranë”. Për shkak të këtij mosdeklarimi DSIK e kishte cilësuar gjyqtarin të papërshtatshëm.

Mbrojtja e Hasnezirit

Hasneziri bëri një hyrje të gjatë të mbrojtjes së tij, ndërsa u fokusua të një term që e cilësoi si “çmimi i urtë i gjyqtarit”, ndërsa tha se KPK nuk duhej të vendoste bazuar mbi pretekste siç sipas tij ishin qëndrimet e paraqitura në relacion, por mbi “arsye dhe shkaqe”.

Ai solli si shembull Abraham Lincoln që sipas historisë kishte dhënë ryshfet për të mundësuar miratimin në Senatin dhe Kongresin e SHBA të amendamentit që shfuqizonte skllavërinë. Hasneziri tha se për këtë Lincoln nuk mund të gjykohej si i korruptuar.

Ngjashëm ai paraqiti një shembull me Skënderbeun që sipas tij për të bashkuar princat e kohës, përdori forcën. Sipas gjyqtarit nëse gjykohej në kohën e sotme me kriteret e kësaj kohe, këto veprime e bënin Skënderbeun diktator.

Ai tha se ajo që kërkonte ishte të mos gjykohej mbi pretekste dhe po ashtu të mos gjykoheshin veprimet e tij jashtë kohës kur ato ishin kryer. Duke iu referuar veprime cash, Hasneziri tha se në vitin 2006 ai edhe rrogën e merrte cash te llogaritarja e gjykatës dhe nuk mund të kërkohej që veprimet e tjera të ishin kryer në bankë.

Ai po ashtu tha se ende sot sipas një raporti të Bankës Botërore gjysma e ekonomisë së vendit ishte informale. Ndërkohë gjyqtari dha versionin e tij për kontratën e shtëpisë. Ai tha se në mirëbesim dhe për shkak të njohjes me ish-gjyqtarin Astrit Faqolli – i shkarkuar nga KPA,  kishte blerë nga ky i fundit një apartament në pronësi të të afërmve të Faqollit për të cilët ai kishte prokurë përfaqësimi.

Hasneziri tha se ai kishte përfituar nga një vendim i qeverisë që i mundësonte shtëpi me kredi të butë, por banka kishte refuzuar të disbursonte kredinë para se ai të kishte gjetur shtëpinë. Ai shpjegoi se për shkak të kësaj kishte bërë një kontratë me Faqollin, e cila edhe pse cilësonte se paratë ishin paguar ishte bërë e tillë vetëm për të lehtësuar marrëdhënien me bankën.

Ai tha se temat në kontratë kur bëhej fjalë për një marrëdhënie të posaçme nuk ishin fiks dhe kontrata mund të ndryshohej. Sipas tij pasi i kishte paguar në dorë shumën prej 1.5 milion lekësh Faqollit, Hasneziri kishte pritur për disa jave disbursimin e kredisë.

Ai tha se pati një përplasje me bankën, e cila kishte refuzuar disbursimin në kohë. Sipas Hasnezirit për të mbajtur fjalën e dhënë dhe për shkak se Faqolli përfaqësonte të tretë ai i kishte marrë të vëllait shumën prej 6 milion lekësh hua. Me këtë ai tha se kishte shlyer detyrimin ndaj kolegut dhe pjesën tjetër prej 1.5 milion e kishte përdorur për të bërë mobilimin.

Hasneziri shpjegoi se menjëherë pas marrjes së kredisë i kishte kthyer vëllait pas pjesën më të madhe të parave të marra hua dhe pjesën tjetër e kishte paguar me këste për disa vite me radhë. Hasneziri tha se apartamenti në fjalë ishte e vetmja pasuri e tij dhe i kërkoi KPK të mbante parasysh se apartamenti ende po shlyhej dhe kishte barrë deri në vitin 2032.

Sa i përket burimit të ligjshëm të të ardhurave të të vëllait Hasneziri vuri në dukje se ai kishte qenë emigrant në Greqi. Ai tha se po paraqiste dokumente që vërtetonin hyrjet dhe daljet nga Greqia deri në vitin 2006, po ashtu edhe lejet e punës dhe vërtetime të firmosura edhe prej oficerëve të policisë se zonës dhe të noterizuara për punën e të vëllait në emigracion. Ai pretendoi se i vëllai kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të dhënë huanë.

Për të shpjeguar mungesën e dokumentacionit tjetër provues Hasneziri tha se Greqia kishte pasur probleme me pagesën e sigurimeve shoqërore. Sipas tij vendi ishte penalizuar nga Bashkimi Europian për shkak të të dhënave jo të sakta financiare dhe se kishte pasur institucione shtetërore që nuk kishin paguar sigurimet për punonjësit.

Ai kundërshtoi gjetjen se kontrata ishte fitktive, pasi tha se ajo kishte sjellë një produkt që ishte i qartë dhe se ai e kishte blerë shtëpinë. Ai po ashtu këmbënguli se nuk kishte përdorur makinën e të afërmit të tij para vitit 2016 përveç 3-4 rasteve për udhëtime jashtë vendit për arsye shëndetësore dhe vizita pune. Ai tha se kishte prerë siguracion për makinën, pasi nuk ishte drejtues i mirë i mjetit dhe donte të ishte i mbrojtur për çdo rast.

Hasneziri solli si provë të kthimit pas të shumës 40 mijë euro të marrë hua për garanci, faktin që personi që kishte dhënë huanë kishte përdorur paratë menjëherë pasi i ishin kthyer.  Ai solli si dokumente blerjen e një njësie nga huadhënësi dhe mobilimin e kësaj njësie. Hasneziri tha se huadhënësi i kishte mundësitë financiare dhe solli disa dokumente për këtë.

Ai pranoi se kishte bërë lapsuse në deklarimin e kursimeve cash. Sipas tij në vitin 2008 shuma e deklaruar gabimisht, kishte të bënte me të ardhurat dhe jo kursimet. Ai tha se kjo ishte e qartë.

Hasneziri po ashtu dha shpjegime se pse nuk e kishte deklaruar refuzimin e vizës. Ai tha, duke iu referuar faqes së Ambasadës së SHBA, se ndalimi i hyrjes konsiderohej kthimi në një nga pikat e hyrjes edhe pse mund të kishe vizë dhe jo mosdhënia e vizës.

Pyetjet dhe qëndrimi përfundimtar

I pyetur nga relatorja Hasneziri shpjegoi se megjithëse nuk e kishte shënuar në formularin e deklarimit veting, viza e refuzuar ishte deklaruar prej tij në ILDKPKI në vitin 2014 kur ishte shpjeguar edhe huaja. Ai tha ndër të tjera se viza të cilën e kishte kërkuar për arsye shëndetësore i ishte mohuar për shkak se ishte vlerësuar “që ai dhe bashkëshortja kishin rrezik të mos ktheheshin sërish në Shqipëri”.

Për shkak të qëndrimit të Hasnezirit ndaj relacionit dhe kërkesës së tij që trupa të “mos kërkonte pretekst për ta shkarkuar, por arsye” anëtari i treshes Lulzim Hamitaj tha se nuk kishte pyetje, por bëri një koment që e cilësoi pyetje retorike. “Çfarë arsyesh ka kjo trupë për të kërkuar pretekste?! Zero arsye”, tha Hamitaj.

Polemizues ishte edhe qëndrimi i vëzhguesit Theo Jacobs, ai i tha gjyqtarit se kishte komplikuar shumë një marrëdhënie të thjeshtë si blerja e një sendi të paluajtshëm dhe se vetëm nga deklarimet e tij dhe kontrata dilnin të paktën tre skenare të mundshme. Jacobs mbrojti relatoren dhe tha se kishte bërë një hetim të mirë dhe të thelluar, pavarësisht qëndrimeve të Hasnezirit se ndaj tij ishin paraqitur pretekste.

Hasneziri pranoi se veprimet mund të linin dyshime, por tha se deklarata e bërë në seancë ishte e sinqertë dhe tregonte gjendjen e vërtetë të fakteve. Hasneziri kërkoi sërish në fund që të rihapeshin hetimet edhe për kriterin profesional, duke e cilësuar këtë si thelbësorë për të arritur në një përfundim të drejtë.

Ai po ashtu vuri në dukje punën e vështirë, ndërsa tha se për dy vjet kishte udhëtuar i shoqëruar nga RENEA dhe gjithmonë me një automatik pranë kokës. Ai tha se kishte dhënë dënime me burg të përjetshëm dhe se “për shkak të sistemit të drejtësisë” shumë nga personat që ai kishte dënuar ishin të lirë dhe se “nëse shkarkohej e hidhej në mes të katër rrugëve ai ndjehej i pasigurt për jetën”.  Gjyqtari kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *