Gjyqtari Besnik Shehu pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

“Blen lirë dhe shet shtrenjtë”, KPK konstaton bilanc negativ për pasurinë e Besnik Shehut

Gjyqtari Besnik Shehu i Gjykatës së Korçës u përball të hënën më 3 prill 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime nëpërmjet përfaqësues së tij ligjore lidhur me barrën e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin ishte përmbyllur hetimi administrativ paraprak. Shehu pretendoi se me provat dhe shpjegimet e provat e dorëzuara e kishte përmbysur barrën e provës dhe bilancin negativ përgjatë viteve, duke kërkuar çeljen e hetimit në dy kriteret e tjerë të rivlerësimit kalimtar, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Shehu po kryhet nga trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.

Besnik Shehu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Sipas konstatimeve të Komisionit, gjyqtari Shehu rezulton në pamundësi për të justifikuar burimet e ligjshme për krijimin e një apartamenti, pasi nuk ka vërtetuar mundësinë e një të afërmeje për dhënien e një huaje, si dhe u ngritën dyshime për shitje fiktive të një apartamenti me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme për shlyerjen e një detyrimi, krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve të tjera.

Si burime krijimi për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 126.4 m2 në Durrës kundrejt çmimit 46 mijë e 500 USD, të porositur në 2003-in, subjekti ka deklaruar një hua të marrë prej kunatës në vlerën 40 mijë euro; dakordësinë me ndërtuesin për dhënien e një sipërfaqe 20 m2 kundrejt truallit ku gjendej banesa që dispononte i ati; si dhe një vlerë 11 mijë e 500 USD të përfituar me trashëgimi ligjore po nga babai.

Sanxhaktari konstatoi se nuk rezulton dokumentacion ligjor lidhur me marrëveshjen e vitit 2003 me ndërtuesin për sipërfaqen 20 m2 dhe për rrjedhojë nuk është gjetur bindës ky pretendim. KPK nuk ka konsideruar si burim huanë e marrë nga kunata, me argumentin se nuk është provuar mundësia financiare e saj dhe për rrjedhojë është konstatuar bilanc negativ në vlerën 3.9 milionë lekë për krijimin e kësaj pasurie.

Përfaqësuesja ligjore e Shehut, avokatja Antoneta Sevdari deklaroi në seancë se pallati do të ndërtohej në truallin ku gjendej banesa ku kishte jetuar babai i subjektit. Sipas saj, megjithëse babai i Shehut dhe të tjerë banorë nuk ishin pronarë të objektit egzistues, por e dispononin kundrejt qirasë, ndërtuesi për të mos pasur probleme ishte dakordësuar për t’i kompesuar për prishjen e banesës ku ata jetonin. Ajo këmbënguli se ishte rënë dakord që subjekti të përfitonte sipërfaqen 20 m2.

Sevdari vërejti se subjekti ka mbajtur qëndrim të njëjtë gjatë dhënies së shpjegimeve në vite në ILDKPKI për këtë pasuri duke deklaruar se 20 m2 i janë dhënë prej ndërtuesit si kompesim për truallin. Ajo theksoi se në kontratën e vitit 2004 të paraqitur në ILDKPKI ka një shënim lidhur me këtë fakt duke këmbëngulur se ka gjurmë konkrete për marrëveshjen e vitit 2003 për dhënien e sipërfaqes 20 m2 nga pala shitëse.

Sipas Sevdarit, përputhen deklarimet e subjektit për pagesën e kësteve me dokumentacionin e paraqitur në kohë reale në ILDKPKI. Duke shtuar edhe vlerën e kësaj sipërfaqe të pretenduar se ka qenë si kompesim, pa pagesë, subjekti pretendon se është vërtetuar se çmimi i apartamentit është i njëjtë me kontrata të ngjashme në atë objekt.

Sevdari deklaroi se me dokumentacionin e dorëzuar kanë vërtetuar mundësinë e kunatës së subjektit për dhënien e huasë, si dhe të babait të tij për krijimin e shumës 11 mijë e 500 USD. Ajo vërejti se kunata e Shehut kishte pasur likujditete të krijuara nga të ardhurat e siguruara prej djemve në emigrim. Për babanë e subjektit, Sevdari deklaroi se ai kishte qenë një prej avokatëve më në zë në Shqipëri dhe se kishte qenë i regjistruar. Ajo sqaroi se vërtetohej me dokumentacion bankar se në atë ditë që është kryer pagesa me vlerën e trashëguar, po atë ditë është kryer edhe tërheqja e asaj shume.

Si provë për të vërtetuar mundësinë e babait të subjektit për krijimin e shumës 11 mijë e 500 USD, Sevdari përmendi gjendjet në llogaritë bankare si dhe dokumentacioni që vërteton ushtrimin e profesionit të avokatit nga ana e tij. “Duke konsideruar huanë e marrë nga kunata dhe vlerën e trashëguar nga babai, bilanci del pozitiv”, pohoi Sevdari.

Shehu ka deklaruar se bashkëshortja dhe vjehrra kanë shitur në vitin 2007 një apartament me sipërfaqe 82.88 m2 në Korçë, kundrejt vlerës 6 milionë lekë, shumë që është pretenduar se ka shërbyer për shlyerjen e huasë së marrë nga kunata dhe për krijimin e pasurive të tjera.

Sipas relatores, i pyetur për vlerën e shitjes së këtij apartamenti, subjekti ka shpjeguar se ka pasur dhe një shtesë, por ky investim ka rezultuar se nuk është pasqyruar në deklaratat periodike. Sanxhaktari vërejti se çmimi i shitjes së kësaj pasurie ka rezultuar se është më i madh nga vlera e tregut. Po ashtu, është konstatuar se kontratat për shërbimet utilitare vijojnë të jenë në emër të subjektit, megjithëse është shitur prej vitesh.

Bazuar në këtë gjetje, Komisioni ngre dyshime se transaksioni i shitjes mund të jetë fiktiv, me qëllim justifikimin e ligjshmërisë së burimeve financiare për investimet dhe shpenzimet e tjera të mëvonshme.

KPK ka hetuar edhe për burimet e krijimit të kësaj pasurie, që rezulton të jetë blerë nga prindërit e bashkëshortes në vitin 1997 për çmimin 1.8 milion lekë. Sipas Sanxhaktarit, rezulton se subjekti jetonte me familjen e bashkëshortes në këtë periudhë.

Si burim është deklaruar vlera e përfituar nga shitja e një apartamenti nga familja e bashkëshortes në vitin 1999, kundrejt shumës 400 mijë lekë dhe të ardhurat. Shuma 400 mijë lekë nuk është përfshirë në analizë dhe ka rezultuar bilanc negativ për blerjen e apartamentit të blerë në vitin 1997, që është shitur në 2007-ën.

Për këto arsye vlera 6 milionë lekë e deklaruar si e përfituar nga shitja e apartamentit në vitin 2007 nuk është konsideruar në analizën financiare, duke sjellë efekt negativ në shpenzimet dhe investimet e mëvonshme.

Subjekti ka deklaruar se 1 milion lekë nga vlera e përfituar prej shitjes së apartamentit në vitin 2007 ka shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të një apartamenti rreth 120 m2 në Korçë të blerë në vitin 2008 kundrejt çmimit 5.7 milionë lekë. Sanxhaktari konstatoi se ky apartament që gjendet në pallat të ri është blerë më çmim me kosto më të ulët nga sa bashkëshortja e subjektit ka shitur banesën në objekt egzistues një vit më parë.

“Duket se subjekti blen lirë dhe shet shtrenjtë”, vërejti relatorja Sanxhaktari dhe shtoi se Shehu duket se e ka blerë apartamentin në vitin 2008 me çmim preferencial dhe se ka jetuar aty kur kishte paguar vetëm 18% të vlerës së dakordësuar me palën shitëse.

Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 4.9 milionë lekë.

Sevdari deklaroi se provohej se ka pasur mundësi për blerjen e apartamentit në vitin 1997. Sipas saj, subjekti ka qenë ish-ushtrak dhe për këtë arsye ka pasur nga pagat më të larta në atë periudhë. Po ashtu, ajo shtoi se bashkëshortja e tij ishte trajtuar me pension si bashkëshorte e një ish-ushtarake. Ajo kërkoi që të përfshiheshin të ardhurat e fituara nga shitja e apartamentit tjetër të privatizuar më parë nga prindërit e bashkëshortes.

Avokatja Sevdari vërejti se apartamenti ishte shitur në vitin 2007 me çmim më të vogël nga mestarja e tregut, pasi përfshihej edhe shtesa. Ajo argumentoi se shtetasi E.S., kishte kujtim në atë apartament, pasi kishin jetuar gjyshërit e tij dhe prandaj e kishte blerë.

Lidhur me faktin se shërbimet utilitare ishin në emër të subjektit, Sevdari konstatoi se vetëm një muaj Shehu kishte kryer pagesë, duke u ngatërruar. Ajo shpjegoi se subjekti i kryente këto pagesa përherë nëpërmjet bankës dhe rezultonte se muajin që kishte shlyer faturën e ujit për banesën e shitur, nuk kishte paguar atë të apartamentit ku jeton.

Sevdari këmbënguli se apartamenti ishte blerë në vitin 1997 me burime të ligjshme dhe kërkoi që të konsiderohej në analizë shuma 6 milionë lekë.

Komisioni konstaton mospërputhje në deklarimin e subjektit për destinacionin e një kredie në shumën 4.6 milionë lekë. Ai ka deklaruar se kjo kredi e marrë në vitin 2012 ka shërbyer për blerjen e një garazhi; të një automjeti; për shpenzimet e kurimit të nënës së ndjerë; për studimet në një universitet të bashkëshortes; si dhe shlyerjen e huave të marrë tek të afërmit.

Ndërkohë, nga verifikimi i dokumentacionit bankar ka rezultuar se një pjesë e vlerës së kredisë në shumën 3.1 milionë lekë ka kaluar në llogarinë e shtetasit E.S., personit të cilit bashkëshortja i ka shitur apartamentin në vitin 2007. Sanxhaktari tha se duket se E.S. e ka përdorur këtë vlerë për arsye e tij personale duke rezultuar mospërputhje me ato çfarë ka pretenduar subjekti. Sipas relatores, duket se subjekti ka fshehur transaksionet e shtetasit E.S..

Sevdari tha se shuma që subjekti i ka dhënë shtetasit E.K. prej kredisë, ky i fundit e ka kthyer brenda vitit dhe prandaj kjo rrethanë nuk është pasqyruar në deklarime. Ajo e cilësoi të padrejtë konstatimin për fshehje të transaksioneve.

Në seancë u evidentua ndër të tjera edhe përdorja e një automjeti të llojit Benz nga subjekti, pasuri që ka qenë në pronësi të baxhanakut, i cili edhe e ka shitur më vonë. Nisur nga fakti se ‘kartoni jeshil’ që mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik ndaj dëmeve që u shkakton palëve të treta, ka qenë i prerë vetëm në emër të subjektit gjatë periudhës së përdorur prej tij, 2007-2014, si dhe për shkak se Shehu nuk ka pasur makinë të tijën në atë periudhë, KPK ngre dyshimne se duket se ai ka qenë pronari i kësaj makine.

Nga analiza financiare e përgjithshme e hetimit paraprak, Komisionit i ka rezultuar balancë negative në vlerën 12.3 milionë lekë, ku për periudhën 1995-2002 është gjetur pamundësi në shumën 1.5 milion lekë dhe 10.8 milionë lekë për vitet 2003-2016.

Sevdari e kundërshtoi analizën financiare paraprake të Komisionit duke pretenduar se ishte vërtetuar burimi i ligjshëm i huave. Sipas saj, nëse do të përfshihen huatë; shuma e përfituar nga shitja e apartamentit dhe vlera e kredisë për investimet dhe shpenzimet e deklaruara, atëherë do të rezultonte bilanc negativ në vitin 2015 në shumën 500 mijë lekë dhe në 2010-ën në masën 70 mijë lekë. Avokatja tha se në zbatim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, këto balance negative nuk mund të jenë penalizuese.

Kryesuesi Hamitaj kundërshtoi analizën financiare të subjektit lidhur me përllogaritjen e të ardhurave të huadhënëses së vlerës 40 mijë euro. Sipas tij, nëse do të përllogariteshin vlerat e disponuara si likujditete nga huadhënësja, ato arrinin në masën 28 mijë euro, që nuk mund ta mbulonin dot shumën 40 mijë e 700 euro të pretenduar. Sevdari shpjegoi se kishin paraqitur të dhëna edhe para vitit 2002, që prej 1998-ës. Sipas saj, nga një përllogaritje e shpejtë për këto vlera, rezultonte një bilanc negativ në shumën rreth 3000 euro që sërish do të ishte i parandësishëm për të sjellë pasojë.

Sanxhaktari deklaroi në seancë se pas shpjegimeve dhe provave të paraqitura në seancë dëgjimore do të vlerësohet kërkesa e subjektit për riçeljen e hetimit administrativ. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvilohet më 6 prill, në orën 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *