Gjyqtarja Eda Kaja e Gjykatës së Rrethit Durrës, pas vendimit të KPK. Foto:Vladimir Karaj
Analiza KPA Lajme Veting

KPA përgjysmon balancën negative, por lë në fuqi shkarkimin e Eda Kajës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, rrëzoi një pjesë të konkluzioneve të Komisionit në vendimarrjen për vetingun e gjyqtares së Durrësit, Eda Kaja si dhe përgjysmoi balancën negative, por megjithatë e la në fuqi shkarkimin e saj me arsyetimin se ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë.

Vendimi i Kolegjit u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo. Relatorja Tasi në pakicë vlerësoi se Kaja kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe kërkoi kthimin e çështjes në Komision për vlerësimin e figurës dhe profesionalizmit. Ajo shprehet se mban qëndrim të njëjtë me shumicën në vlerësimet që rrëzojnë konkluzionet negative të KPK-së.

Eda Kaja u shkarkua nga detyra më 16 nëntor 2021 pasi prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK u konkludua se kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë; deklarim të rremë dhe veprime fiktive; se ka zhvilluar procese gjyqësore në situatë konflikti interesi; është gjendur në papajtueshmëri me detyrën në zotërimin e aksioneve në një kantinë pijesh; si dhe në pamundësi financiare në shumën 8 milionë lekë për të justifikuar investimet dhe shpenzimet e kryera ndër vite.

Vendimi i KPK u ankimua nga Kaja, duke ngritur shkaqe lidhur me aspektin procedural dhe për hetimin pasuror. Shkaqet e ngritura lidhur me aspektet procedurale të vetingut u konsideruan të pabazuara.

Shkaqet për pasurinë

Komisioni ka konkluduar se Kaja ka kryer deklarim të pasaktë në lidhje me një shumë 4.2 milionë lekë të përfituar nga shitja e një shtëpie në emër të bashkëshortit, vjehrrës dhe kunatit, të deklaruar se është përdorur për punime dhe arredimin e një apartamenti në vitin 2005.

Sipas KPK, subjekti ka kryer veprime fiktive me depozitimin në Komision të kontratës së shitjes me vlerë 4.2 milionë lekë, ndërkohë që në ASHK rezulton e depozituar kontrata e shitjes me të njëjtat ekstremitete, por me vlerë 2 milionë lekë. Kjo rrethanë është vlerësuar se është bërë me qëllim shmangien e pagimit të tatimit mbi të ardhurat. Po ashtu, ka rezultuar se detyrimet tatimore janë paguar për vlerën 2 milionë lekë dhe për rrjedhojë kjo shumë është përfshirë në analizën analizën financiare si burim i ligjshëm.

Kaja ka parashtruar se nuk ka pasur asnjë lloj dijenie për ekzistencën e një kontrate me çmim të ndryshëm nga ajo autentike apo për procedurat e regjistrimit, pasi nuk ka qenë palë dhe nuk i ka ndjekur ajo procedurat.

Ajo ka këmbëngulur se me anë të dokumenteve të dorëzuara ka vërtetuar se në llogarinë e bashkëshortit është paguar shuma rreth 4.2 milionë lekë për shtëpinë.

Megjithëse Kolegji konstaton se vlera e kaluar në llogarinë e bashkëshortit të Kajës ka qenë rreth 4 milionë lekë, e gjen të drejtë qëndrimin e mbajtur prej Komisionit se, e ardhur e ligjshme duhet të konsiderohet vetëm shuma prej 2 milionë lekësh, që i është nënshtruar tatimit.Bazuar në këtë konkluzion, ashtu si dhe në KPK, nga analiza financiare për vitin 2004 është konstatuar pamundësi financiare, në vlerën 1.7 milionë lekë.

Tasi në pakicë vëren se ekzistojnë transaksione bankare që provojnë shitjen e kësaj pasurie dhe kreditimin e vlerës 4.2 milionë lekë në llogarinë e bashkëshortit të subjektit. Lidhur me mospagesën e detyrimit tatimore për gjithë shumën, Tasi konstaton se këto veprime janë kryer nga vjehrra e subjektit, e cila ka paguar aq sa i është kërkuar në faturë. Pakica çmon se shumica duhej të mbante në konsideratë aplikimin e parimit të proporcionalitetit duke e konsideruar të plotë vlerën e çmimit të shitjes së apartamentit në analizën e vitit 2004, si dhe se janë përdorur për punime dhe arredimin e një apartamenti në durrës në vitet 2005 e 2006. Sipas Tasit, konsiderimi i gjithë vlerës do ta eleminonte bilancin negativ në 2004-ën.

Kolegji e gjen të drejtë vlerësimin e KPK për deklarim të pasaktë e të papotë të vlerës së investimit në apartamentit në Durrës, megjithëse çmon ndryshe për konkluzionin se deklarimet e pasakta në vite përbëjnë shkak penalizues.

Tasi del kundër duke argumentuar se të gjitha veprimet me firmën e ndërtimit janë kryer nëpërmjet transaksioneve bankare, të cilat sipas saj janë qartësisht të provuara.

Për shkak se prej çmimit të shitjes së shtëpisë nga bashkëshorti dhe familjarët e tij është konsideruar si burim i ligjshëm vetëm shuma 2 milionë lekë, Kolegji e ka gjetur të bazuar konstatimin e KPK-së për balancën negative në shumën 473 mijë lekë lidhur me pagesat për investimet e kryera për moblimin dhe punimet në këtë apartament në vitin 2006.

Ndërkohë, Kolegji ka rrëzuar konstatimin e KPK-së për gjendjen e subjektit në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e një çështjeje ku palë ka qenë dhe ortaku i vetëm i shoqërisë ndërtuese nga ajo ka blerë apartamentin. KPA vëren se gjykimi i çështjes është zhvilluar në vitin 2018, disa vite pasi kushtet e marrëdhënies së shkëmbimit dhe të bashkëpronësisë ishin vendosur, jashtë çdo ndikimi të mundshëm ndaj ndonjë interesi të Kajës.

Nisur dhe nga fakti se vendimarrja e subjektit ka shkuar në dëm të interesave të administratorit të shoqërisë ndërtuese, Kolegji vlerëson se rrethanat nuk mund të konsiderohen si shkaqe të rëndësishme njëanshmërie.

 

KPA e ka gjetur të bazuar qëndrimin tjetër të Komisionit se, subjekti ka marrë pjesë në hartimin e kontratave fiktive, me synim zvogëlimin e vlerës mbi të cilën do të paguhej detyrimi tatimor për shitjen e një njësie në vitin 2012, pasi në kontratën e premtim shitjes është përcaktuar çmim më i lartë se ai në kontratën përfundimtare.

Por, ndryshe nga shkalla e parë që nuk e ka konsideruar në analizë të ardhurën në shumën 2 milionë e 659 mijë lekë sipas kontratës së shitjes të vitit 2012, Kolegji e ka përfshirë këtë vlerë. Pavarësisht konsiderimit të kësaj shume ka rezultuar pamundësi për shlyerjen e një kredie të marrë në vitin 2008.

Bazuar në shpjegimet dhe aktet e administruara, Kolegji ka arritur në konkluzion të ndryshëm lidhur bilancin negativ për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 55 m2 në vitin 2008. Duke konsideruar të ardhurat e pretenduara nga Kaja si të përfituara prej aktivitetit të bashkëshortit, si dhe nga vlera e shitjes së njësisë, Kolegji ka konkluduar se pamundësia financiare për krijimin e kësaj pasurie është në shumën 1.9 milionë lekë dhe jo 5.1 milionë lekë, sa është konstatuar prej Komisionit.

Tasi shprehet kundër shumicës për moskonsiderimin në analizën financiare të vitit 2008 të shumës 1 milion lekë të pretenduar si gjendje cash e krijuar në vitin 2003 dhe e përdorur pesë vjet më vonë për punimet në apartamentin me sipërfaqe 55 m2.

Ajo vëren se edhe pse subjekti nuk ka deklaruar likujditete cash gjatë periudhës 2003-2016, nga analiza e kryer për periudhën para vitit 2003 nga Komisioni, ka rezultuar mundësi kursimi në vlerën 2.5 milionë lekë.

“…Çmoj se pavarësisht mosdeklarimit të gjendjes cash, ka rezultuar se për çdo pasuri të krijuar nga subjekti i rivlerësimit dhe familja e tij, burimi financiar ka qenë i ligjshëm, i rrjedhur nga të ardhurat nga puna, biznesi apo veprime të tjera juridike të ligjshme. Në këto rrethana, nuk mund të bëhet zero kjo vlerë vetëm se nuk është deklaruar në deklaratat vjetore, sikurse argumenton shumica, edhe pse rezulton e provuar mundësia e krijimit të saj nga Komisioni dhe Kolegji”, arsyeton.

Kolegji ka rrëzuar një pjesë të konkluzioneve të Komisionit lidhur me të ardhurat të përfituara nga shitja e aksioneve të një kantine pijesh, që ishin përfituar nëpërmjet privatizimit. Megjithëse KPA vlerëson se Kaja duhej të kishte deklaruar zotërimin e këtyre aksioneve që në deklaratën e parë në vitit 2003 dhe në 2007-ën shitjen e tyre, konstaton se ajo i ka pasqyruar në një procesverbal të mbajtur në vitin 2010 në ILDKPKI, si dhe në deklaratën “veting”.

Sipas KPA, mosdeklarimi i zotërimit dhe shitjes se aksioneve në deklaratat periodike, pavarësisht detyrimit ligjor, nuk e vendos subjektin në kushtet e deklarimit të pasaktë, për sa kohë nuk ngrihet ndonjë çështje lidhur me mungesën e burimeve të ligjshme për fitimin e tyre.

Në vijim, KPA e vlerëson të pabazuar konkluzionin e Komisionit se, subjekti gjendej në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin e gjyqtarit në zotërimin e këtyre aksioneve, me argumentet se nuk kanë shërbyer për krijimin e ndonjë pasurie; rolin pasiv që subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur në administrimin e kësaj shqoërie, si dhe shitjes së aksioneve në vitin 2007m menjëherë pas konstatimit të konfliktit të interesit.

Kolegji ka rrëzuar qëndrimin e KPK edhe për moskonsiderimin si burime të ligjshme për krijimin e pasurive të të ardhurave të përfituara nga shitja e automjeteve, pasi detyrimet tatimore nuk janë paguar në kohë.

Trupi gjykues vëren se nuk ka një parashikim ligjor të qartë lidhur me të ardhurat e tatueshme në rastin e shitjes së automjeteve dhe çmon se të ardhurat e realizuara nga shitja e dy automjeteve për të cilat janë paguar detyrimet tatimore në vitin 2021, duhet të konsiderohen si të ligjshme.

Po ashtu, Kolegji i ka dhënë të drejtë subjektit edhe në pretendimet ndaj konkluzionit të KPK për moskonsiderimin si të ligjshme të të ardhurave të bashkëshortit nga aktiviteti i tij tregtar pasi nuk ka paguar tatimin mbi dividendin. “Shoqëria ‘{***}’ ShPK, si biznes i vogël i paregjistruar në TVSh, nuk ka qenë subjekt i tatimit mbi fitimin, nuk ka shpërndarë dividend dhe, rrjedhimisht, nuk ka pasur detyrim për pagesë të tatimit mbi dividendin”, asyeton KPA.

Kaja ka ankimuar analizën financiare totale të viteve 2003, 2005, 2006, 2009, 2014, të kryer nga Komisioni, që ka konkluduar balancë negative totale në vlerën prej 8 milionë lekësh. Pas rivlerësimit të akteve dhe pretendimeve të subjektit në Kolegj, balanca negative është rrudhur duke mbetur në vlerën 3.8 milionë lekë.

Kolegji konstaton se edhe nëse do të pranoheshin të gjitha pretendimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me të ardhurat e krijuara nga shitja e dy pasurive, apartament dhe njësi shërbimi në Durrës dhe të konsideroheshin ato si të ligjshme, sërish subjekti do të ndodhej në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme, që vjen për shkak të mosdeklarimit e mosprovimit të pasjes së likuiditeteve cash në vitet 2003 e 2007, të cilat janë përdorur si burim për krijimin e pasurive.

Sipas Tasit në pakicë, mosdeklarimi i gjendjes cash nuk e ngarkon subjektin me përgjegjësi të tillë sa të sjellë shkarkimin nga detyra. Ajo vlerëson se një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me qëllimin e ligjit dhe parimet e procesit të vetingut të magjistratëve, duke sjellë si argument faktin se ligji përkatës ka përcaktuar qartë rastet e shkarkimit nga detyra, ku nuk janë shënuar si të tilla pasaktësitë dhe mangësitë në deklaratat vjetore.

Në përfundim, Tasi vlerëson se shumica duhej të kishte aplikuar parimet e objektivitetit dhe të proporcionalitetit për kriterin e pasurisë, duke konkluduar se problemet e konstatuara në deklarimet e subjektit nuk mund të sillnin penalizim dhe pasi të prishej vendimi i KPK, të kthehej për vlerësimin e dy kritereve të tjera, figurës dhe profesionalizmit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *