Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK | LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza KPA Në Fokus

Kolegji rrëzoi ankesat e Shkëlzen Selimit për shkelje të drejtash nga KPK

Pretendimet e gjyqtarit të shkarkuar të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi se komisioni që vendosi shkarkimin e tij ishte “i njëanshëm” dhe “i ndikuar” u rrëzuan nga KPA. Kolegji gjeti të bazuara akuzat për kontaktet e Selimit me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK | LSA

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selmi i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të prishte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin  e tij nga detyra, me pretendimin se ky vendim ndër të tjera ishte “i njëanshëm, i ndikuar nga konflikti i interesit dhe se ishte marrë nën presionin mediatik të një televizioni”.

Selimi po ashtu mëtoi se “në arsyetimin e vendimit ka mungesa të pasqyrimit të fakteve, pasqyrim të pasaktë e të rremë të rrethanave të faktit, pasqyrim të fakteve të pahetuara dhe konkluzione alogjike”. Ai po ashtu u ankua se nuk ishte pyetur për lidhjet me Arben Isufajn, një person i cilësuar nga KPK dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) “si person i përfshirë në krimin e organizuar”.

Por Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk i dha të drejtë Selimit në asnjë prej pretendimeve, duke i rrëzuar ato si të pabazuara dhe duke arsyetuar në vendimin e zbardhur sëfundmi se subjektit, megjithëse i ishte kaluar barra e provës “në shpjegimet e dhëna për rezultatet paraprake të hetimit, në asnjë rast, nuk shprehet direkt nëse ai ka pasur marrëdhënie konkrete” me Isufajn që identifikohet në vendim si “shtetasi A.I.”

Vendimi i zbardhur i KPA është i ndarë në dy pjesë, kjo bazuar edhe në ankimin e Selimit. Pjesa e parë i përket anikimit për shkelje të procedurave dhe të gjykimit të drejtë, ndërsa pjesa e dytë është mbi shkaqet e konstatuara nga KPK që çuan në shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

Shkëlzen Selimi ishte anëtar i Gjykatës së Lartë që nga viti 2011. Ai është diplomuar në fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000. Në tetor 1999 deri në shtator 2000, Z. Selimi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe gjatë periudhës 2000-2011 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Vlorës.

Ankesat për shkelje procedure

Shkëlzen Selmi e bazoi apelin e tij për shkelje proceduriale dhe të drejtash kryesisht në pretendimin se relatorja e çështjes së tij në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit kishte pasur konflikt interesi. Ndër argumentet kryesore që Selimi dërgoi në KPA ishte pretendimi se Valbona Sanxhaktari ishte ndikuar nga ish-bashkëshorti A.R. për të qenë e njënashme ndaj tij.

Sipas Selimit, A.R. ishte arrestuar si pjesë e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” dhe se ai vetë si gjyqtar kishte shqyrtuar çështjen kundër kësaj organizate, në të cilën edhe pse nuk ishte si i akuzuar ish-bashkëshorti i komisioneres, ishin marrë të pandehur shokët e tij.

Në ankim, subjekti parashtron se edhe pse për z. R. çështja u pushua, kjo çështje vazhdoi për anëtarët e tjerë të organizatës kriminale, shokë të këtij shtetasi, duke shpjeguar se kjo çështje është gjykuar prej tij në Gjykatën e Lartë në cilësinë e gjyqtarit relator dhe ky fakt e bën komisioneren të jetë e njëanshme dhe e ndikuar negativisht në drejtim të subjektit të rivlerësimit”, citohet pretendimin i Selimit në vendimin e KPA.

Por Kolegji e ka rrëzuar filimisht mundësitë e një konflikti interesi duke theksuar se ish-bashkëshorti nuk ishte në rrethin e personave që parashikoheshin prej ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave” dhe se një marrëdhënie e tillë duhej të “çmohet rast pas rasti në varësi të rrethanave të çështjeve konkrete”.

Kolegji megjithatë, pasi ka përjashtuar konfliktin e interesit, arsyeton se edhe në rast se do të ishim në këtë situatë do duhej që vetë A.R. të ishte i akuzuar dhe palë në proces që pretendimi i Selimit të përmbushej.

Madje, në arsyetim trupa gjykuese çmon se vendimmarrja e Selimit në këtë rast nuk ishte arsye që ai të mund të pretendonte se ndaj tij do mbahej qëndrim negativ.

“Nga faktet e analizuara rezulton se vetë subjekti i rivlerësimit ka kryer një gjykim të finalizuar me një vendimmarrje në favor të personave (anëtarëve të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”), që indirekt vetë ai i konsideron si të lidhur/shokë me shtetasin A. R.”

Më herët Kolegji rrëzoi kërkesën për kalim të çështjes në seancë publike duke arsyetuar ndër të tjera se ato që ishin paraqitur nga Selimi si prova të reja ishin të njohura botërisht.  Provat ishin kryesisht lajme të publikuara rreth tij në Top-Channel TV dhe akuza të bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha ndaj komisioneres Valbona Sanxhaktari.

Më tej KPA rrëzoi edhe pretendimin e Selimit se Sanxhaktari ishte në konflikt interesi për shkak të lidhjeve të miqësisë me një prej drejtuesve të Top-Channel dhe se ishte ndikuar nga aksionerja e TCH, Vjollca Hoxha.

Selimi po ashtu pretendoi se  i gjithë trupi gjykues ishin ndikuar dhe vënë nën presion nga lajmet në Top-Channel kundër tij.

Selimi, ish-gjykatësi Artan Zeneli dhe gjykatësi Ardian Dvorani u sulmuan në media të ndryshme prej palëve ndërgjygjësuese, pasi kishin në shqyrtim çështje të pronësisë së këtij televizioni. Dvorani dha dorëheqjen nga çështja, ndërsa Selimi dhe Zeneli u shkarkuan nga procesi i vettingut.

KPA i rrëzoi pretendimet e ish-gjyqtarit duke arsyetuar fillimisht se nuk kishte prova për një marrëdhënie miqësie mes Sanxhaktarit dhe një prej drejtuesve të TCH. “Nuk rezulton që komisionerja relatore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të ketë pasur apo të ketë interesa pasurorë apo biznesi me shtetasit A. J. dhe bashkëshorten e tij”, thuhet në vendim.

Kolegji po ashtu tha se pretendimi se Sanxhaktari kishte udhëtuar me A.J. dhe bashkëshorten e tij nuk rezultoi i provuar. Në arsyetim Kolegji tha se edhe nëse merrej i mirëqenë pretendimi për miqësinë mes Sanxhaktarit dhe A.J., kjo nuk e bëntë komisioneren të lidhur me aksioneren Vjollca Hoxha që i takonte të ishte “person i lidhur i personit të lidhur”.

“Kjo rrethanë do të bënte të pamundur aplikimin e ndonjë kufizimi prej këtij ligji në drejtim të veprimtarisë vendimmarrëse të komisioneres, për shkak të distancës dhe largësisë së lidhjes së shtetases V. H. me komisioneren Sanxhaktari”, thuhet në vendim.

Kolegji rrëzoi edhe pretencimet e Selimit se ndaj KPK ishte ushtruar presion përmes publikimeve kundër tij. Në arsyetim KPA vë në dukje se ish-gjyqtari nuk kishte bërë me dije sepse njëra nga palët në çështjen e pronësisë mbi TCH nuk ishte dakord “për qenien e tij anëtar i trupit gjykues në atë proces dhe se si është bërë e mundur që një palë ta konsiderojë atë si kundërshtar apo të padëshirueshëm, përderisa nuk është dhënë një vendim për atë çështje”.

Megjithatë, Kolegji arsyeton në vijim se kishte marrë në shqyrtim pretendimet e Selimit, përfshi akuzat se vendimi u ndikua nga materialet e publikuara në Top Channel një ditë para seancës dëgjimore.

KPA vë në dukje se Komisioni kishte vendosur të mos konsiderojë e të mos hetojë për faktet e pasqyruara në materialin denoncues në TCH.

“Fakti që ky material denoncues, ka mbetur jashtë ndikimit të trupit gjykues në Komision, për sa kohë që asnjë nga këto informacione, në asnjë formë, qoftë edhe të tërthortë, nuk është bërë pjesë e vlerësimeve të këtij trupi”, thuhet në arsyetim.

KPA rrëzoi më pas njëra pas tjetrës predentimet e tjera të subjektit përfshi atë për cënim procedural për shkak të hetimit vetëm në një kriter.

KPA po ashtu cilësoi të drejtë vendimin e Komisionit për të mbajtur sekret pjesë të të dhënave për Selimin duke arsyetuar se ato nuk kishin “cenuar thelbin e së drejtës të subjektit për t’u njohur me faktet që i atribuohen atij”.

Duke iu referuar vendimeve të ngjashme të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Kolegji ka arsyetuar se Selimit i ishin vënë në dispozicion faktet e konstatuara ndaj tij dhe burimet e tyre, që ishin organe ligjzbatuese dhe partnerë ndërkombëtarë.

“Subjektit i është dhënë aq informacion nga dokumentacioni i klasifikuar “sekret”, sa e ka konsideruar të arsyeshme dhe të nevojshme për t’i garantuar atij të drejtën për t’u mbrojtur”, thuhet në vendimin e arsyetuar.

Kolegji thotë se ai vetë pati akses mbi dokumentacionin e plotë dhe shqyrtoi çdo dokument të klasifikuar dhe se pas këtij shqyrtimi u bind “se të gjitha faktet që i atribuohen subjektit të rivlerësimit në arsyetimin e vendimit të Komisionit dhe për të cilat atij i ka kaluar edhe barra e provës për të provuar të kundërtën, janë të provueshme në një nivel tillë që legjitimojnë vendimmarrjen e Komisionit për shkarkimin e subjektit nga detyra”.

Ankesat mbi faktet

Pjesa e dytë e ankimit të Selimit është bazuar kryesisht në pretendimet e tij se ai nuk kishte pasur – në dijeni të tij, kontakte me persona të akuzuar për krim të organizuar, se nuk i ishte kaluar barra e provës për disa nga akuzat e përfshira në vendim dhe se Komisioni kishte gënjyer në çështjen ndaj tij.

Selimi po ashtu pretendoi se Shërbimi Informativ Shtetëror, kishte përcjellë informacion negativ për t’u hakmarrë ndaj Selimit.

“Informacioni i përcjellë nëpërmjet raportit të ShISh-it ka natyrë hakmarrëse, duke qenë se ka ekzistuar situata e konfliktit të interesit të personave që i hartojnë këto raporte me subjektin e rivlerësimit, konflikt i cili megjithëse ka vlerë thelbësore nuk është verifikuar dhe as nuk përmendet në vendim përfundimtar”, citohet pretendimi i Selimit.

Por KPA e rrëzoi këtë pretendim duke arsyetuar se institucioni përgjegjës për raportin nuk ishte ShISh, por Drejtoria e Sigurimit të Informacinit të Klasifikuar (DSIK).  Po ashtu Kolegji vuri në dukje se bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese vendimmarrja në këtë rast i takonte KPK dhe KPA dhe asnjërit prej institucioneve ndihmëse.

Më tej në arsyetim trupi gjykues e konsideroi këtë pretendim “të pabazuar dhe në tejkalim të ligjit për konfliktin e interesit, ku si i tillë konsiderohet konflikti midis dy individëve dhe jo midis një individi (në këtë rast, subjekti i rivlerësimit) dhe një strukture shtetërore, si ShISh”.

Kolegji rrëzoi të ish-gjyqtarit në lidhje me marrëdhënien e tij me dy persona të përmendur në vendimin e KPK-së si pjesë e krimit të organizuar.

Në një rast Kolegji rrëzoi pretendimin e Selimit se nuk kishte pasur informacion se një person i identifikuar me inicialet F.D. ishte përfshirë në aktivitet kriminal duke e cilësuar atë “naiv”.

“Lidhja e gjatë shoqërore e subjektit me këtë shtetas, e bën të pamundur e naiv shpjegimin që ai jep për natyrën e marrëdhënies mes tyre, si të afërt e të shëndetshme, por në padijeni të aktivitetit e mënyrës së jetesës së secilit”, thuhet në vendim.

Po ashtu më tutje, Kolegji shprehet se vetë Selimi “as në ankim, nuk ka paraqitur prova apo fakte që dëshmojnë të kundërtën” e asaj që ka gjetur KPK në vendimin e saj dhe as ka dëshmuar “se marrëdhënia e tij me këtë shtetas ka përfunduar”, pas vënies në dijeni për çështjen penale në ngarkim të F.D. për përfshirje në trafik narkotikësh.

Një tjetër ankim i subjektit për përfshirjen në verifikimin e figurës së tij të dy personave që nuk ishin akuzuar për pjesëmarrje në krimin e organizuar u rrëzua po ashtu nga Kolegji.

Sipas KPA Selimi kishte pretendcuar  se përfshirja e I.Ç dhe A. D. në vendimin ndaj tij “është bërë duke synuar të krijojë perceptimin tek opinioni publik se subjekti i rivlerësimit Shkëlzen Selimi është një gjyqtar problematik, të cilit kontaktet e papërshtatshme nuk i numërohen”.

Kjo sipas tij ishte bërë “duke pasqyruar në vendim edhe kontaktet me persona që ligji nuk i kërkon të deklarohen dhe as të jepen shpjegime apo barrë prove”. Po ashtu në këtë pikë Selimi pretendoi se “trupi gjykues (KPK) gënjen në pikën 33.1 të vendimit, ku thuhet se makina BMW është në pronë të I. Ç.”

Por Kolegji i rrëzoi pretendimet. Fillimisht ai arsyetoi se kontakti me këta persona – të dy me precedentë penalë, nuk ka qenë arsye për shkarkimin e tij, por përfshirja e tyre në vendim është bërë “për të dhënë një tablo të plotë të ambientit shoqëror tek i cili subjekti i rivlerësimit ka zgjedhur të bëjë pjesë”.

Kolegji po ashtu shprehet se Komisioni ka detyrim të bëjë me dije të dhënat e siguruara gjatë hetimit, pasi kjo është në “funksion të përmbushjes së një prej qëllimeve të kryerjes së reformës në drejtësi, i cili është rikthimi i besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë”.

Në asryetim u rrëzua edhe pretendimi se KPK kishte gënjyer në lidhje me pronësinë e makinës BMW. Kolegji nënvizon se Selimi dhe e shoqja kishin prerë polica sigurimi për këtë makinë në kohën që ajo ishte në pronësi të një personi tjetër, por këto polica kishin qenë të vlefshme edhe kur makina kishte kaluar në pronësi të I.Ç.

“Fakti se polica e sigurimit TPL është prerë prej subjektit dhe bashkëshortes së tij para se pronar i mjetit të bëhej shtetasi I. Ç., nuk e bën të pavërtetë faktin e rëndësishëm për këtë proces, se në kohën kur ky shtetas është bërë pronar i mjetit, kjo policë ka vazhduar të jetë e vlefshme”, thuhet në arsyetim.

Aty përfshihet edhe fakti se makina u sekuestrua për llogari të një procedimi penal ndaj F.D. që ishte një tjetër person i përmendur si kontakt i papërshtatshëm i Selimit.

Megjithatë fakti më i rëndë ndaj Selimit ishte edhe sipas KPA kontakti i tij me Arben Isufaj dhe ndërhyrja e tij për të penguar ekstradimin e tij në Itali.

Selimi sipas KPA “ka pretenduar gjithashtu se gjatë hetimit administrativ nuk i është adresuar asnjë pyetje në lidhje me shtetasin A. I.”, por trupa gjykuese e rrëzoi këtë pretendim duke i cituar pyetjen që i ishte drejtuar.  “Komisioni shprehet qartazi se atij i kalohet barra e provës për mosdeklarim të lidhjeve të tij me shtetasin A. I.”, thuhet në vendimin e Kolegjit.

Më tej KPA arsyeton se provat kundër Selimit në këtë çështje kishin ardhur nga organe ligjzbatuese të huaja dhe ishin paraqitur nga ONM dhe ishin prova që “me vështirësi mund të vihen në dyshim”.

Kolegji shprehet se burimi i këtyre informacioneve ishte i padiskutueshëm. “Ky i fundit, për shkak të nivelit të besueshmërisë, integritetit dhe paanësisë e profesionalizmit, vlerësohet se ka vlerë të veçantë krahas natyrës tepër specifike të mënyrës së mbledhjes së informacionit”, arsyeton KPA.

Po ashtu KPA thotë se Selimi nuk shpjegoi se nuk kishte ndikuar në procesin e mosekstradimit, por dha komente “të pavlera dhe të pakërkuara” se ai “nuk ka ndikuar as te bashkëshortja e tij, që në funksionin si gjyqtare në qytetin e Fierit, të mund të favorizonte shtetasin A. Sh. dhe A. I.”.

KPA thotë se ish-gjyqtari nuk ishte pyetur për këtë dhe se “një kërkim i thjeshtë në internet provon se vetë subjekti i rivlerësimit ka dhënë vendime gjyqësore për shtetasin A. I.”, dhe se barra e provës i ka kaluar “për veprime të tij të drejtpërdrejta dhe jo për influenca te bashkëshortja e tij”.

Megjithatë Kolegji thotë se Selimi iu shmang një përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me kontaktin me këtë person, duke qenë gjithmonë ambig mbi këtë çështje. Sipas KPA ai asnjëherë nuk u shpreh “direkt nëse ai ka pasur marrëdhënie konkrete me këtë shtetas”.

Ndërkohë në vendim bëhet me dije se sipas gjetjejes së ONM-së, subjekti i rivlerësimit jo vetëm që kishte lidhje të qëndrueshme me Isufajn, “por ai ka përdorur influencën e tij në sistemin e drejtësisë, qoftë nëpërmjet vendimeve të tij të drejtpërdrejta, por edhe ndikimit te funksionarë të tjerë që ekstradimi i këtij shtetasi drejt shtetit italian, në vitin 2014, të dështojë”.

KPA thotë se arriti në përfundimin që Selimi u përpoq ta fshihte këtë kontakt, i cili nga ana tjetër do e vendoste atë në vështirësi për të justifikuar edhe vendimmarrjen në Gjykatën e Lartë për çështje të kompetencës territoriale.

Vetë Selimi u përfshi vetëm në një rast drejtpërdrejt në çështjen e ekstradimit të Isufajt, kur një trupë gjykuese në Gjykatën e Lartë vendosi se gjykata e Faktit dhe Apelit në Tiranë nuk kishin kompetencë territoriale për të caktuar masën e sigurisë ndaj Isufajt, i cili ishte arrestuar në Tiranë, dhe se rasti i tij duhej të gjykohej në Fier.

Trasferimi i procesit në Fier, i kërkuar nga avokati i Isufajt siç del në vendimin e Gjykatës së Lartë, rezultoi fillimisht me heqjen e masës së sigurisë arrest me burg ndaj Isufajt dhe më pas refuzimin e kërkesës për ekstradim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *