Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici, Roland Ilia, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit. Foto: Malton Dibra/LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza Korrupsioni Në Fokus

Vendimi i KPK: kreu i Gjykatës së Përmetit u shkarkua për deklarim të rremë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga ka krijuar bindjen e brendshme se kreu i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci nuk ka qenë i sinqertë më deklarimet rreth pasurisë së tij.

Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici, Roland Ilia, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Pashk Gjaci, kryetar i Gjykatës së Përmetit në Tiranë më 19 mars 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur i Kualifikimit, KPK, e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Roland Ilia anëtar, nuk është bindur nga deklarimet dhe provat e paraqitura nga kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, Pashk Gjaci për kriterin e pasurisë, duke vendosur më 21 mars shkarkimin e tij nga detyra.

Pashk Gjaci ka ushtruar profesionin e avokatit përgjatë viteve 2000-2010. Në nëntor të vitit 2010 ai u emërua kryetar i Gjykatës së Përmetit. KPK e ka kryer procesin e rivlerësimit ndaj Gjacit për të tre kriteret e rivlerësimit, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Në vendimin e zbardhur të komisionit thuhet se janë konstatuar pamjaftueshmëri të deklarimeve dhe deklarim i rremë për një vilë tre katëshe që zotërohet nga ish-Kryetari i Gjykatës së Rethit Gjyqësor Përmet, Pashk Gjaci, si edhe pasaktësi në deklarimin e pasurive të tjera.

Ndërkohë, komisioni ka rrëzuar gjetjet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, për figurën duke e cilësuar të pabazuar në prova raportin për papërshtatshmërinë e figurës. Subjekti i rivlerësimit është vlerësuar “kalues” në aspektin e profesional.

Gjaci i shtohet listës së gjatë të krerëve të gjykatave të rretheve gjyqësore të cilët janë rrëzuar në KPK – kryesisht për kriterin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e promovimit të lidershipit të sistemit të drejtësisë në të kaluarën.

Deklarimet e rreme për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar se subjekti ka bërë deklarim të rremë lidhur me një shtëpi banimi 3-katëshe, në Laç, me sipërfaqe ndërtimi të katit të parë 191 m2 dhe truall 500 m2, ndërtuar me leje të vitit 2002, në emër të gjyqtarit Pashk Gjaci.

Sipas komisionit, kjo pasuri është regjistruar në ZVRPP në vitin 2011, 100% në emër të tij dhe vlera e deklaruar në atë moment ka qenë 11,5 milionë lekë. Në rivlerësimin e vitit 2012 shtëpia është çmuar më shumë se dyfshin, në shumën e 25,2 milionë lekëve. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se gjyqtari Gjaci është pajisur me leje sheshi dhe leje ndërtimi në nëntor të vitit 2002, për ndërtimin e një shtëpie banimi 3-katëshe me sipërfaqe ndërtimi 191 m2 dhe sipërfaqe trualli 500 m2, falë një aktmarrëveshje të nëntorit të vitit 2002, ku babai i subjektit e lejon atë të ndërtojë mbi truallin që i është dhënë nga shteti.

Babai i gjyqtarit ka deklaruar se, në momentin që ai do të bëhej pronar i ligjshëm i truallit, do t’ia kalonte në pronësi djalit të tij. Nga dokumentacioni ka rezultuar se në vitin 2003, babai gjyqtarit Pashk Gjaci ka blerë tokën në bashkinë Laç, në vlerën prej 190 mijë lekësh, pavarësisht faktit se leja e ndërtimit i ishte dhënë të birit. Të gjitha veprimet e kryera për ndërtimin deri në regjistrimin e pronës, janë kryer nga gjyqtari Gjaci dhe komisioni ka konkluduar se nuk ka një akt ligjor që vërteton kalimin e pronësisë së truallit nga babai në emër të tij, ndonëse rezulton e regjistruar në vitin 2011 në emër të subjektit.

Në deklarimin veting Gjaci ka përshkruar shtëpi banimi 3-katëshe, me sipërfaqe 140 m2 e truall 500 m2, 100% pronar. Në deklaratën para fillimit të detyrës, të vitit 2010, ai e ka deklaruar këtë pasuri si 33% bashkëpronar dhe si burim për ndërtimin e kësaj prone, në të dyja deklaratat ai ka pasqyruar kontribute të përbashkëta të tij, të vëllait dhe babait të tyre.

Komisioni ka konstatuar se sipërfaqja e objektit ndërtimor, deklaruar nga gjyqtari Gjaci prej 140 m2 , rezulton të jetë 191 m2. Ndërkohë, nga hetimi administrative është zbuluar se për të njëjtin shesh ndërtimi, nga Bashkia Laç, në vitin 1997 i është dhënë leje ndërtimi babait të gjyqtarit Gjaci për një objekt me sipërfaqe 140 m2.

“Nga hetimi rezultoi se, subjekti i rivlerësimit ka paraqitur në mënyrë të pasaktë këtë pasuri në formularin vetting dhe se ajo nuk përputhet me deklarimin e bërë nga subjekti i rivlerësimit për herë të parë në vitin 2010, as deklarimet ndër vite nuk kanë pasqyruar ndryshime të kësaj pasurie. Subjekti i rivlerësimit nuk ka patur burime të ligjshme financiare, të mjaftueshme, për ndërtimin e kësaj pasurie”, citohet në vendimin e KPK-së.

Edhe pretendimi i gjyqtarit Gjaci se për kalimin e kësaj pasurie në pronësi 100% të tij, kishte marrëveshje me të vëllain për ti dhënë gjysmën e një sipërfaqe toke 3800 m2 në Velipojë, nuk e kanë bindur komisionin, pasi nuk ka dorëzuar dokumente provues.

“Subjekti nuk arriti të bind trupin gjykues lidhur me arsyet e deklarimit të sipërfaqes së shtëpisë në 140 m2 kur ajo në fakt është 191 m2 si në lejen e ndërtimit ashtu edhe në dokumentin e regjistrimit të pronës në ZVRPP,” thuhet në vendim, ku sipas komisionit, ka pasur fshehje të sipërfaqes reale të ndërtesës.

KPK ka gjetur pasaktësi edhe në deklarimet e kryera prej Gjacit lidhur me pasurinë tokë-arë me sipërfaqe 3.800 m2 në Velipojë të Shkodrës, blerë në vitin 2010 dhe me kontratën e shitblerjes të gushtit 2014, me vlerë totale 1.4 milionë lekë. Sipas KPK-së, gjyqtari e ka pasqyruar këtë pasuri që në deklaratën para fillimit të detyrës, në vitin 2010, kur ishte ende e paregjistruar. Por, nuk është gjetur i faktuar me dokumente pretendimi i Gjyqtarit Gjaci, se gjysmën e kësaj sipërfaqe toke ja kishte kaluar të vëllait në këmbim të kontributit të tyre për shtëpinë e banimit 3-katëshe në qytetin e Laçit.

Probleme janë evidentuar edhe në deklarimin e një ndërtese me sipërfaqe 300 m2 mbi një truall 320 m2 në Mirditë, e privatizuar në vitin 1995, me vlerë fillestare prej 163.188 lekësh dhe e rivlerësuar në shtator të vitit 2011, në vlerën 9 milionë lekë. Trupa gjykuese ka konstatuar se nuk kishte përputhje të deklarimit të gjyqtarit Gjaci me dokumentacionin e dorëzuar dhe përgjigjen e ZVRPP-së Mirditë.

Lidhur me një ndërtesë tjetër me sipërfaqe 21 m2 po në Mirditë, privatizuar në vitin 1995, e rivlerësuar në vitin 2011, gjyqtari Gjaci ka deklaruar para fillimit të detyrës në vitin 2010 se vlera e kësaj pasurie ka qenë 2.800 lekë. Komisioni ka konstatuar se kjo pasuri është blerë në gusht të vitit 1995, nga Ndërmarrja e Riparim-Shërbimit, Rrëshen në shumën e 12,801 lekëve dhe se nuk është deklaruar burimi. Vlera e kësaj pasurie, në rivlerësimin e kryer në shtator të vitit 2011 është përcaktuar 871,073 lekë. Gjyqtari Pashk Gjaci ka sqaruar për komisionin se ky është një lapsus në deklarim dhe se burimi kanë qenë të ardhurat nga puna e tij.

Ndërkohë, trupa gjykuese e KPK-së ka gjetur të rregullta deklarimet e gjyqtarit Pashk Gjaci për blerjen një automjeti “Isuzu, Autokarro” në vitin 2008 në vlerën e 350.000 lekëve; për dhurimin e letrave me vlerë nga nëna e tij në vlerën e 249.201 lekë; për pasurinë tokë-arë dhe truall me sipërfaqe 3100 m2 në Miriditë, e trashëguar; për autoveturën tip “Mercedes Benz”, e importuar më datë 28 janar 2011 me vlerë totale 692.516 lekë dhe për një depozitë bankare në “Raiffeisen Bank” në vlerën 3.5 milionë lekë, minus tërheqje. Bindëse janë gjetur bindëse edhe deklarimet për burimet e tij dhe mundësinë e të atit për blerjen e një pasurie tokë-arë në bashkëpronësi familjare, me sipërfaqe 2.406 m2, në, Laç me vlerë totale 1.717.882 lekë, ku pjesa e kontributit të subjekti i rivlerësimit është në vlerën 858.942 lekë. Gjyqtari Gjaci ka deklaruar si burim të investimit të tij të ardhurat e siguruara nga puna si avokat në vitin 2009, ndërsa për të atin ka sqaruar se ai është pensionist, ka kryer një punë të dytë dhe se djali tjetër që është emigrant që prej vitit 1996 i ka dërguar të ardhura ndër vite.

Analiza financiare negative

Gjyqtari Pashk Gjaci, në deklaratën veting ka pasyruar 16 milionë lekë të ardhura nga avokatia për periudhën 2000 – 2010, para fillimit të detyrës si gjyqtar. Edhe në deklaratën para fillimit të detyrës ai deklaron të njëjtën vlerë. Por komisioni ka gjetur se qarkullimi total vjetor për periudhën 2000-2010 ka qenë në masën 13.8 milionë lekë. Sipas komisionit, Gjaci nuk arriti të paraqiste dokumente ligjorë për shumën e pretenduar në deklaratën veting. Ndërkohë, nga analiza financiare është rrëzuar edhe pretendimi tjetër i Gjacit, se marzhi i fitimit të avokatit ishte 90%. Sipas Komisionit, marzhi i fitimit të tij ka qenë 80% e qarkullimit vjetor, pasi duhet të zbriten tatimet dhe taksat e paguara, detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore si dhe shpenzime për ushtrimin e aktivitetit si qira, shërbimet utilitare e shpenzime të tjera të nevojshme.

Në vendim thuhet se nga analiza financiare, rezultoi se pasuritë e deklaruara nga subjekti i rivlerësimit në deklaratën para fillimit të detyrës të vitit 2010, nuk përballoheshin me të ardhurat e ligjshme të subjektit të rivlerësimit, pasi ato nuk ishin të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve për ndërtimin e shtëpisë 3-katëshe në Laç.

Figura, KPK rrëzoi DSIK

Sipas raportit të dorëzuar nga KPK nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ka rezultuar se ndaj gjyqtarit Pashk Gjaci është regjistruar një procedim penal në vitin 2014 nga prokuroria e Përmetit, por në mars të vitit 2015 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër ka vendosur ta pushojë çështjen. Sipas DSIK, gjyqtari Gjaci në situatat që ndodhet mund të vihet nën presion nga strukturat kriminale dhe se është i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën.

Por, pasi KPK ka nisur hetimin dhe ka administruar edhe shpjegimet e gjyqtarit Gjaci e ka rrëzuar konstatimin e DSIK. Gjaci ka deklaruar para komisionit se pushimi i kallëzimit penal ndaj tij është kryer pasi nuk ekzistonte fakti penal. Ndërkohë, që edhe ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD dhe Ministria e Drejtësisë kishin vendosur ndërprerjen e procedimit disiplinor për këtë rast duke mos e gjetur të bazuar në prova ankesën.

“Në përfundim, trupi gjykues vlerësoi se konkluzionet e arritura nga grupi i punës i DSIK-së nuk janë të mbështetura në prova dhe në ligj, dhe se ato nuk qëndrojnë”, thuhet në vendim.

Ndërkohë, komisioni ka zhvilluar një procedurë hetimore lidhur me një vendim gjyqësor, të ndjekur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet, si dhe transparencën e ndjekur ndaj kësaj çështjeje në të gjitha hapat. Nga kërkimet, ka rezultuar se vendimi gjyqësor, nuk figuronte i publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, por ai u gjet në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, e cila kishte trajtuar çështjen në shkallën e dytë të gjykimit. Në këtë vendim komisioni ka konstatuar se janë trajtuar kërkesat sipas objektit të çështjes dhe është dhënë vendimi bazuar në kërkesat e bëra. Ndërsa lidhur me mos publikimin, Gjykata e Përmetit ka sqaruar se kjo është përgjegjësi e kontraktorit që administron faqen online dhe se duhet marrë sqarim pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërkohë lidhur me profesionalizimin, gjyqtari Gjaci ka siguruar vlerësim kalues nga KPK. Sipas komisionit, ai ka treguar cilësi të mira në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve dhe konsiderohet “i aftë”. Sipas treshes gjykuese të KPK-së, Gjaci ka arritur nivelin minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Denoncimet nga publiku

Një ankesë nga publiku ka ardhur për kundërshtim të një vendimit gjyqësor të vitit 2013 të dhënë nga gjyqtari Gjaci, që është prishur nga Gjykata e Apelit në janar të vitit 2014, për shkelje të normave proceduriale-civile për thirrjen e palëve në gjykim, duke mos respektuar parimin e kontradiktoritetit dhe duke cënuar për pasojë të drejtën e pronësisë së palës si edhe cënimin e paanësisë në gjykim. Por, në tetor të vitit 2015, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar KLD-së që të ndërpritet procedimi disiplinor pasi nuk ekzistonin me kushtet dhe kriteret ligjore, gjë që është pranuar nga KLD-ja.

KPK ka hetuar edhe lidhur mbi shkrimet e publikuara në mediat e shkruara se gjyqtari Gjaci, ishte denoncuar lidhur me përpjekje për marrjen me forcë të një prone nga pronarët e ligjshëm. Sipas komisionit, në janar të vitit 2011, së bashku me disa persona të tjerë, ai ka ndërhyrë në pronën e shtetasit P.Gj. në zonën e njohur si “gryka e lumit” në një fshat të Lezhës. Për këtë çështje, është bërë kallëzim penal nga shtetasi P.Gj. për subjektin e rivlerësimit dhe babain e tij. Po ashtu, është hapur një procedim penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Por, prokuroria e Lezhës i ka përcjellë KPK-së dosjen prej nga është konstatuar se procedimi penal ka filluar ndaj babait të gjyqtarit Gjaci dhe jo ndaj tij. Gjaci ka sqaruar për komisionin se prona në fjalë është e blerë nga babai i tij dhe se konflikti me shtetasin P.Gj. ka ndodhur për arsye të mbivendosjes së pronës së blerë prej tij dhe pronës së blerë nga babai i subjektit të rivlerësimit. Ai ka deklaruar se ka qenë prezent në disa situata konflikti për të mbështetur dhe suportuar ligjërisht të drejtat e babait të tij, por se ai, në asnjë rast nuk ka qenë pjesë e ndonjë përplasjeje më këta shtetas dhe se nuk ka ushtruar asnjë ndikim lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila aktualisht është ende e pazgjidhur. Trupi gjykues i KPK-së i ka vlerësuar shpjegimet e Gjacit në përputhje me dokumentacion e administruar dhe nuk ka gjetur indice të cilat mund të ngrenë dyshime të arsyeshme mbi veprime korruptive të kryera prej tij apo në bashkëpunim me persona të tjerë.

Në përfundim, treshja gjykuese e KPK-së e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Roland Ilia anëtar, kanë vendosur shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Përmetit Pashk Gjaci, për deklarim të rremë të pasurisë, paraqitjes në mënyrë të pasaktë të pasurive në pronësi dhe se me shpjegimet dhe provat e paraqitura ai nuk arriti të bindë trupin gjykues për të kundërtën, duke mos arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *