Një trupë e KPK-së gjatë shpalljes së një vendimi. Foto: LSA
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Agron Gjana jep dorëheqjen pasi njihet me rezultatet e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të ndërpresë procesin e rivlerësimit për prokurorin e Durrësit, Agron Gjana pas dorëheqjes së tij, si dhe t’i ndalojë rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Një trupë e KPK-së gjatë shpalljes së një vendimi. Foto: LSA

Prokurori i Durrësit, Agron Gjana është dorëhequr nga detyra pasi u njoh me rezultatet e hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në kuadër të procesit të rivlerësimit të tij. Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për mbarimin e statusit të magjistratit të prokurorit Gjana për shkak të dorëheqjes së tij, Komisioni ka vendosur të ndëpresë vetingun ndaj këtij subjekti rivlerësimi, si dhe t’i heqë të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për 15 vite.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se hetimi administrativ për prokurorin Gjana ka filluar më 12 nëntor të vitit 2019. Më 6 korrik, trupi gjykues i kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Genta Tafa(Bungo) ka vendosur të mbyllë hetimin kryesisht për të tria kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Megjithëse subjektit i janë njoftuar rezultatet e hetimit, ai nuk është paraqitur për t’u njohur me provat dhe dosjet e procedurës së rivlerësimit. Më vonë ai i ka dërguar Komisionit prapësimet e tij për disa gjetje dhe njëkohësisht ka kërkuar ndëprerjen e procesit të rivlerësimit, duke shpjeguar se kishte dorëzuar në KLP dorëheqjen nga detyra.

Gjana ka vazhduar të japë shpjegime lidhur me gjetjet e Komisionit si dhe të dorëzojë prova, duke kërkuar që ato të administrohen në dosjen e tij.

Kur KLP ka dërguar vendimin për “deklarimin e mbarimit të statusit për shkak dorëheqje të subjektit Agron Gjana” si dhe ka konfirmuar mosankimin e tij, Komisioni ka njoftuar Gjanën që të paraqitet në seancë dëgjimore për t’u dëgjuar, por ai ka refuzuar ta ushtrojë këtë të drejtë.

Të mërkurën më 1 shtator, KPK ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokurorin Agron Gjana, si dhe t’i ndalojë atij emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *