Ish -Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno gjatë betimit te presidenti Nishani. Foto:LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Vendimi i zbardhur i KPK-së: Petrit Çeno fshehu aksionet e djalit në 5 kompani

Gjyqtari i shkarkuar i Apelit Durrës Petrit Çeno, i cili është nën hetim për korrupsion nga Krimet e Rënda,  u gjet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me një sërë mosdeklarimesh e deklarimesh të rreme, të cilat çuan në shkarkimin e tij.

Ish -Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno gjatë betimit te presidenti Nishani. Foto:LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rendit në vendimin e zbardhur për shkarkimin e Petrit Çenos, një listë problemesh në kriterin e pasurisë, të cilat sipas KPK çuan në shkarkimin e gjyqtarit të Apelit Durrës.

Çeno sipas Komisionit veç mungesës së të ardhurave të ligjshme për të justifikuar pasurinë, kishte fshehur në “Deklaratën Vetting” dhe ato vjetore, pjesëmarrjen e të birit si aksioner në 5 kompani.

KPK shprehet se mbrojtja e Çenos nuk arriti të provonte të kundërtën e barrës së provës në lidhje me këto gjetje.

“Subjekti i rivlerësimit ka fshehur në deklaratën “Vetting” të vitit 2017 aksionet e personit të lidhur, z. E. Ç., në shoqëritë: “P. L.” sh.p.k; “S.” sh.p.k; “Ç. & P. C.” sh.p.k; “P. E.” sh.p.k; “B. M. I.” sh.p.k.”, thuhet në vendimin e Komisionit.

Sipas KPK-së gjyqtari iu gjetën po ashtu probleme në blerjen e një apartamenti 98 m2 dhe një garazhi 22 m2, shitjen e një apartamenti në Durrës dhe blerjen e një apartamenti në Golem. Komisioni e akuzon subjektin për një sërë fshehjesh të pasurisë, përfshi vlerën e një apartamenti 144 m2 të blerë nga bashkëshortja, ndërsa shprehet se Çeno  kishte mashtruar bankën për një kredi të cilës i ishte ndryshuar destinacioni.

Gjatë seancës dëgjimore në shkurt të këtij viti mbrojtja e Çenos, pjesë e të cilës ishte e bija Gloria Ceno dhe avokati i ndjerë Ravik Gurra, pretenduan se KPK kishte bërë një sërë shkeljesh gjatë hetimit, duke filluar nga mosdhënien e mundësisë për njohje me dosjen e plotë.

Gloria Çeno e akuzoi KPK për standarde të dyfishta sa i përket mos pranimit të të ardhurave të bashkëshortes së Çenos për të cilat nuk provohej se ishin paguar detyrimet tatimore, duke iu referuar rasteve të Donika Prelës dhe Xhezair Zaganjorit. Ajo pretendoi se mosmarrja në konsideratë e të ardhurave të nënës së saj shkaktonte edhe bilancin negativ.

Petrit Çeno ka një karrierë 28 vjeçare në sistemin e drejtësisë dhe prej më shumë se 15 vitesh e ka ushtruar funksionin e tij në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Prej vitit 2015, ai është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me gjyqtarit Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, të cilët akuzohen se kanë përfituar një udhëtim falas për të parë një ndeshjen e futbollit mes Barcelonës dhe Real Madrid, e njohur si derbi “El Classico”.

Mosdeklarimi i aksioneve të djalit

Megjithëse e radhitur në fund të vendimit, sipas KPK-së mosdeklarimi dhe fshehja e aksioneve të të birit në 5 kompani, janë argumenti kryesor për shkarkimin e gjyqtarit Petrit Çeno.

Çeno sipas KPK-së nuk kishte deklaruar pjesëmarrjen e të birit si aksioner dhe në disa raste punësimin e tij si administrator në pesë kompani. Po ashtu KPK shprehet se edhe në një rast kur pjesëmarrja ishte deklaruar, përqindja e pjesëmarrjes dhe viti kur aksionet ishin blerë janë deklaruar gabim.

KPK nuk jep në vendim detaje se çfarë qëndrimi mbajti subjekti në lidhje me këto akuza të Komisionit, por thotë se argumentet e tij “nuk provuan të kundërtën e rezultateve të hetimit kryesisht”.

Problemet e Çenos në lidhje me pasurinë e të birit si person i lidhur, fillojnë sipas KPK-së që me faktin se pjesëmarrja e tij si aksioner në disa kompani nuk ishte deklaruar më herët as për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) në vite.

KPK tha se gjeti po ashtu se gjyqtari i shkarkuar ishte angazhuar në mashtrim të një banke nga e cila kishte marrë 80 mijë euro kredi, të cilat i ishin transferuar kompanisë së të birit e identifikuar në vendim me inicialet H.I.shpk.

“Në lidhje me kredinë në vlerën prej 80,000 eurosh, marrë nga banka “Societe Generale Albania”, subjekti i rivlerësimit së bashku me bashkëshorten dhe djalin E. Ç.: Kanë kryer deklarim të rremë ndaj bankës “Societe Generale Albania”, në lidhje me destinacionin e përdorimit të kredisë”, shkruhet në vendimin e zbardhur.

Komisioni shprehet se sa i përket kësaj kredie, mungonte edhe dokumentacioni për likuidimin e kësteve nga kompania minerare në të cilën djali i gjyqtarit ishte aksioner, ishte fshehur kontrata për apartamentin që supozohej të blihej dhe prishja e kësaj kontrate.

Komisioni deklaron se gjyqtari Çeno vijoi të deklaronte në vitin 2013 pagesa për shlyerjen e kësaj kredie, ndërsa ajo kishte kaluar në vitin 2012 në favor të kompanisë.

Po në lidhje me këtë kompani, KPK thotë se kishte gjetur “deklarim të rremë në deklaratat ndër vite pranë ILDKPKI-së”. Sipas Komisionit ishte deklaruar blerje aksionesh në vitin 2011, por ato ishin blerë në vitin 2010.

Po ashtu ndryshimet në aksionet në këtë kompani, të dhënat për të cilat KPK thotë se i mori nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), nuk ishin deklaruar. Ndërkohë sipas Komisionit në në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, Çeno kishte fshehur aksionet e të birit në pesë kompani – një pjesë e të cilave në aktivitet dhe të tjera të peulluara.

Komisioni tha se gjeti që këto aksione ishin “fshehur edhe në deklarimet vjetore”

Pasuritë e paluajtshme

Probleme Çenos iu gjetën edhe sa i përket shit-blerejes së një sërë pasurish të paluajtshme. Komisioni thotë se gjeti që për një apartament 98 m2 dhe një garazh me sip. 22 m2, subjekti nuk kishte shpjeguar burimin e ligjshëm të të ardhurave “që kanë shërbyer si burim për blerjen e apartamentit dhe garazhit”. Po ashtu sipas Komisionit ai kishte fshehur vlerën e blerjes së këtij apartamenti në vitin 2003.

Në arsyetim KPK thotë se kishte rrëzuar pretendimin e Çenos se apartamenti ishte blerë pjesërisht me paratë e përfituara nga shitja e një apartamenti në Durrës. Sipas Komisionit edhe pse transaksionet janë bërë në të njëjtin vit, apartamenti është blerë në pranverë, ndërsa ai që ndodhej në Durrës ishte shitur në korrik.

Ngjashëm, KPK arsyetoi edhe për një apartament 79 metra në Golem. Sipas Komisionit ai ishte blerë nën koston mesatare të ndërtimit në zonë. Çeno e kundërshtoi këtë gjetje duke paraqitur në KPK kontrata të ngjashme, por kjo nuk ka bindur Komisionin.

Në vendim Komisioni bën të qartë se nuk ishin marrë parasysh të ardhurat e bashkëshortes së Çenos deri në vitin 1997, ndërsa i cilësoi dokumentet e paraqitura përfshi pagimin e sigurimeve shoqërore si të pamjaftueshme për të mësuar të ardhurat e saj. Sipas KPK-së Çeno nuk paraqiti prova se mungesa e dokumentacionit nuk i ishte mundësuar prej organeve shtetërore.

Mbrojtja e gjyqtarit pretendoi se arkiva e Drejtorisë së Tatimeve në Durrës ishte djegur gjatë trazirave të vitit 1997 dhe për këtë dokumentet nuk mund të siguroheshin. “Për këto vite për shkak të trazirave të vitit 1997, e gjithë arkiva dhe dokumentacioni i mbajtur pranë zyrës në portin e Durrësit u dogj”, pretendoi Çeno.

Megjithatë KPK vlerësoi se “Komisioni, vlerëson se subjekti nuk shpjegoi apo provoi bindshëm se personi i lidhur me subjektin e rivlerësimit është në pamundësi objektive për të disponuar dokumentin”.

Ndërkohë KPK vuri në dukje se ndryshimi i deklarimeve në vite rreth burimit të kësaj pasurie e kishte penalizuar gjyqtarin e shkarkuar. “Subjekti i rivlerësimit ka deklarim të rremë në lidhje me burimin e krijimit, për shkak se ka deklarime të ndryshme në periudha të ndryshme”, thuhet në konkluzionet mbi kriterin e pasurisë.

Probleme të ngjashme u identifikuan edhe për një apartament 144 metra në Tiranë. Sipas KPK për apartamentin e blerë nga bashkëshortja e çenos ishte fshehur vlera në në deklaratën e pasurisë “Vetting” të vitit 2017, ashtu edhe në deklaratat ndër vite pranë ILDKPKI-së.

Komisioni vuri në dukje se edhe për këtë apartament mungonin burimet e ligjshme. Ndërkohë sipas KPK ishin gjetur mospërputhje sa i përket deklarimit dhe dokumenteve në lidhje me fitimin e pronësisë mbi një ullishte, me sip. 3000 m2 dhe një pronë 2775 m2 në Durrës.

“Subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur, bashkëshortja e subjektit, nuk provoi me anë të shpjegimeve apo dokumenteve mospërputhjet që ekzistonin midis deklarimit të tij dhe dokumentacionit të administruar në dosje, për mënyrën e fitimit të pronësisë së këtij aseti”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Në fund Komisioni vendosi shkarkimin e Çenos për “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë” dhe për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *