
Drejtuesja e Prokurorisë së Pukës, Elidiana Kasa (Morina) do të përballet të premten më 26 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Kasën po kryhet nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari.
Elidiana Kasa e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe e ushtron funksionin e saj prej më shumë se 25 vitesh në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë. E komanduar drejtuese dhe e mbetur vetëm në këtë Prokurori, Kasa iu drejtua së fundmi Këshillit të Lartë të Prokurorisë me kërkesën për të plotësuar organikën për shkak të ngarkesës së lartë dhe faktit se disa prej të pandehurve kishin marrëdhënie farefisnore më të.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Elidiana Kasa nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Kasa zotëronte pasuri me vlerë 920 mijë lekë në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë interesat private pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e drejtueses së Prokurorisë së Pukës është rritur me 11 herë dhe shënon vlerën e 10.6 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme përbëjnë pjesën kryesore të Kasës me vlerë të deklaruar prej 5.3 milionë lekësh.
Referuar deklaratave të saj, ajo zotëronte në vitin 2003 një apartament banimi në Pukë dhe gjatë vitit 2004 ka porositur një apartament të dytë me vlerë 37 mijë euro.
Likujditetet familjare bankare llogariten në rreth 4.2 milionë lekë, ndërsa kursimet në cash në vlerën e 490 mijë lekëve. Prokurorja Kasa deklaron gjithashtu automjet me vlerë 485 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese kapin në total vlerën e 30.9 milionë lekëve. Burimi kryesor i të ardhurave është paga nga funksioni i prokurores në masën 55%, ndërkohë që paga e bashkëshortit si mjek zë rreth 35% të buxhetit të familjes. Prokurorja Elidiana Kasa ka deklaruar gjithashtu se ka përfituar dhurata në cash nga të afërmit e bashkëshortit në vlerën e 20 mijë dollarëve gjatë viteve 2004 dhe 2005, të cilat në analizën e BIRN konsiderohen si “flamuj të kuq”. Dhuratat në cash zënë 6% të të ardhurave totale të familjes.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.
Megjithatë, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” dhuratat nga vëllai dhe motra e bashkëshortit, të cilat kanë shërbyer pjesërisht për shlyerjen e një apartamenti të porositur në vitin 2004 nga familja Kasa.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar është investimi në vitin 2010 në blerjen e 20 kompjuterave dhe pajisjeve për sallë interneti, përmes një kredie dhe kursimeve familjare. Një vit më vonë, subjekti deklaron se i ka shitur pajisjet në vlerën e 1 milion lekëve, por nuk ka të dhëna nëse është ushtruar aktivitet tregtar përgjatë një viti.
Në vitin 2016, bashkëshorti i prokurores Kasa deklaron pronësinë mbi 400 m2 tokë me burim nga akti i marrjes së tokës në pronësi. Deklarimi i vonë i kësaj prone shpjegohet me faktin se ai nuk ka pasur më parë dijeni për ndarjen apo regjistrimin e kësaj sipërfaqeje toke.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al