Gjyqtari i Durrësit Rexhep Bekteshi duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Tiranë më 19 prill 2019. Foto: Malton Dibra/LSA
Korrupsioni Lajme Vendi

Kandidati për Kushtetuesen, Rexhep Bekteshi kalon me sukses vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Durrësit, pasi rezultoi pa asnjë problem në deklarimin e pasurisë dhe pastërtinë e figurës.

Gjyqtari i Durrësit Rexhep Bekteshi duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Tiranë më 19 prill 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Rexhep Bekteshi, gjyqtar i Gjykatës së Durrësit dhe kandidat për Gjykatën Kushtetuese e kaloi me sukses vetingun, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të premten konfirmimin e tij në detyrë.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia dhe anëtarë Firdes Shuli dhe Brunilda Bekteshi.

Rexhep Bekteshi është një gjyqtar me karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor. Ai e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1993 dhe për më shumë se 25-vjet ka shërbyer në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në shkurt 2018, pas thirrjes së hapur nga Presidenti i Republikës, Bekteshi ka kandiduar për një post në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka kandiduar edhe si pjesë e thirrjes së hapur nga Kuvendi në të njëjtin muaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk konstatoi probleme të pasurisë dhe pastërtisë së figurës gjatë seancës dëgjimore me gjyqtarin Bekteshi. Sipas hetimit, Z.Bekteshi zotëron një apartament 70.66 m2 në apartamentin e Durrësit, shtuar me 36 m2 sipas një lejeje ndërtimi të marrë në vitin 1995 si dhe depozita bankare me vlerë rreth 1.1 milionë lekë. Komisioni verifikoi gjithashtu edhe pasuritë e djalit të gjyqtarit, i cili zotëron një makinë të vitit 1997 me vlerë 300 mijë lekë si dhe një llogari rrjedhëse në vlerën e 390 mijë lekëve.

Gjyqtari Rexhep Bekteshi ka deklaruar edhe pasurinë dhe shpenzimet e vajzës së tij, edhe pse sipas komisionit nuk ka pasur detyrim për t’i deklaruar. Ai ka deklaruar tre llogari bankare në emër të vajzës të krijuar nga pagat si dhe dokumente për bursën për studime për arkitekturë që ajo ka fituar në vitin 2005 në Greqi.

Gjyqtari Bekteshi është vlerësuar pozitivisht edhe për pastërtinë e figures, ndërkohë që Komisioni nuk evidentoi problematika të theksuara edhe në aspektin profesional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *