Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancën e parë të procesit për gjyqtaren Alma Kolgjoka. Foto: LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

“Fundi i një makthi”, Komisioneri Publik tërheq ankimin kundër gjyqtares Alma Kolgjoka

Provat, kryesisht fatura të ujit e të dritave për një apartament të babait, qartësuan Komisionerin Publik mbi pasurinë e gjyqtares Alma Kolgjoka dhe ai i kërkoi Kolegjit që ta konfirmonte në detyrë subjektin e rivlerësimit.

Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancën e parë të procesit për gjyqtaren Alma Kolgjoka. Foto: LSA

“Është fundi i makthit”, i tha në anglisht vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs kryetares së Gjykatës së Krujës Alma Kolgjoka, që u paraqit të premten në seancën e radhës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Seanca e të premtes ishte e shkurtër. Fillimisht Luan Daci, kreu i trupës që po gjykon ankimin e Komisionerit Publik ndaj gjyqtares Kolgjoka, lexoi fije për pe – përfshi numra kartash identiteti e numra kontratash uji e dritash, provat e mbledhura. Pasi palët njoftuan dijeninë dhe faktin që nuk kishin kundërshtim për provat dhe i pranuan rezultatin e tyre. Trupa shkoi në një pushim 15 minutash dhe u kthye për të dëgjuar qëndrimin përfundimtar që palët thanë se e kishin gati.

Në tre fjali Komisioneri Publik Dariel Sina tha se provat e sjella sëfundmi nga disa kompani publike dhe private ishin të mjaftueshme dhe se provohej që Kolgjoka kishte bërë deklarim të saktë të pasurisë për të cilën ishte ankuar dhe se prindërit nuk ishin persona të lidhur. Përndryshe Sina kërkoi që vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kishte konfirmuar gjyqtaren duhej të qëndronte në fuqi.

“Kërkoj konfirmimin në detyrë të zonjës Alma Kolgjoka”, tha Sina.

Kolgjoka tha se ankimi ndaj saj kishte rënë dhe shtoi vetëm se provat e reja kishin dëshmuar katërcipërisht se ajo dhe babai nuk kishin lidhje interesi pasuror, duke kërkuar konfirmimin detyrë. Menjëherë pas kësaj trupa njoftoi se vendimi do të jepej më 25 qershor, por vendimmarrja nuk duket e vështirë.

Vetë provat që KPA dhe Komisioneri Publik kishin kërkuar konfirmuan pretendimet e Kolgjokës. Qoftë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, qoftë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, UKT dhe dy kompani private dhe noterja, konfirmuan në përgjigjet e tyre se Kolgjoka, nuk kishte lidhje me pasurinë në shqyrtim, një apartament 141 metra katrorë dhe blerja e tij ishte bërë siç ishte deklaruar prej babait të gjyqtares.

Kryetarja e Gjykatës së Krujës u konfirmua në detyrë në dhjetor të vitit 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi për konfirmimin e saj u ankimua nga Komisioneri Publik në janar të vitit 2019. Procesi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku Kolgjoka po gjykohet nga trupa e përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Ina Rama, Sokol Çomo dhe Natasha Mulaj anëtarë, filloi në shkurt të këtij viti, por u shty për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Në seancën e radhës më 25 qershor në ora 9.30, KPA pritet të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e KPK.

Lexo edhe:

KPA riçel hetim për Alma Kolgjokën, kërkon fatura uji dhe dritash

Komisioneri Publik apelon vendimin për gjyqtaren Alma Kolgjoka

Gjykatësja Alma Kolgjoka përballet pa probleme me vetingun

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *