Trupa e KPK gjatë shqyrtimit të kërkesës së ish-gjyqtarit Besnik Maho. Foto: Vladimir  Karaj.
KPK Lajme

KPK e gjen të pabazë kërkesën e ish-gjyqtarit për t’iu nënshtruar vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën një seancë dëgjimore në lidhje me kërkesën e ish-gjyqtarit Besnik Maho për t’iu nënshtruar vetingut. Trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtar Lulzim Hamitaj, vuri në dukje se kërkesa e Mahos i ishte nënshtruar fillimisht verifikimit për përmbushje të kritereve ligjore.

Çiftja lexoi një relatim të shkurtër dhe duke iu referuar kohës së fillimit të detyrës nga Maho dhe dorëheqjes së tij për të kaluar në Ministrinë e Drejtësisë, vuri në dukje se ai nuk kishte kryer tre vjet punë si gjyqtar. Afati 3 vjeçar ishte sipas KPK-së i nevojshëm që Maho të bëhej pjesë e procesit.

Çiftja tha se nisur nga ky rezultat i hetimit paraprak Mahos, i cili nuk qe i pranishëm në seancë dëgjimore, i ishin kërkuar shpjegime.

Relatorja lexoi sqarimet e ish-gjyqtarit, në të cilat ai këmbëngulte se kishte pasur statusin edhe pas fillimit të punës në Ministri të Drejtësisë. Maho kishte depozituar si provë vendimin e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe e cilësonte të padrejtë përfundimin e arritur nga KPK.

Komisioni bëri me dije se vendimi për këtë çështje do të shpallej më 15 nëntor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *