Salla e seancave dëgjimore të KPK në Pallati e Kongreseve. Foto:BIRN
KPK Lajme Veting

Prokurori Bledar Mustafaraj u dorëhoq pasi u njoh me rezultatet e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli në 7 nëntor vendimin për ndërprerjen e vetingut ndaj prokurorit të Elbasanit, Bledar Mustafaraj, pas dorëheqjes së tij nga detyra. Po ashtu, Mustafarajt i ndaluar emërimi i tij për 15 vjet në disa funksione në sistemin e drejtësisë.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se Mustafaraj është shortuar në dhjetor të vitit 2020 dhe në shtator të 2023-it është mbyllur hetimi administrativ në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Ai ka kërkuar shtyrje për të kthyer përgjigje, që është pranuar nga Komisioni dhe në vijim ka dorëzuar provat dhe shpjegimet e tij ndaj barrës së provës.

Njëkohësisht, ka njoftuar trupën e KPK se më 5 tetor kishte depozituar pranë Këshillit të Lartë të prokurorisë, KLP, kërkesën për mbarimin e statusit të magjistratit. Komisioni ka mësuar se KLP ka vendosur më 20 tetor deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për prokurorin Bledar Mustafaraj për shkak të dorëheqjes së tij.

Subjekti ka njoftuar trupën e KPK se nuk ka ushtruar ankim ndaj këtij vendimi të KLP dhe se nuk dëshiron të marrë pjesë në seancën dëgjimore.

Bazuar në këto rrethana dhe në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, Komisioni ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokurorin Bledar Mustafaraj dhe ti ndalojë atij emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Prej vitit 2021, Mustafaraj me kërkesë të tij, është komanduar si përgjegjës i Sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, në Ministrinë e Drejtësisë, detyrë që sipas ministrisë do ta ushtrojë deri më datën 30 nëntor, pasi ka kërkuar dorëheqjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *