Prokurori Anton Martini duke folur në seancën e Kolegjit të Posacëm të Apelimit në Tiranë më 27 maj 2021. Foto: BIRN
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Vendi

“Nuk jam armik”: Prokurori Anton Martini revoltohet në KPA

Në përfundim të hetimit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, prokurori Anton Martini u shpreh i revoltuar për ato që i quajti “shpifje” pas akuzave se ka manipuluar shortin e çështjeve në Shkodër dhe se ka marrë para. Palët do të shprehin pretendimet përfundimtare më 1 qershor.

Prokurori Anton Martini duke folur në seancën e Kolegjit të Posacëm të Apelimit në Tiranë më 27 maj 2021. Foto: BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i dha fund hetimit gjyqësor të dy denoncimeve të reja ndaj prokurorit Anton Martini dhe përcaktoi datën për konkluzionet përfundimtare, në një seancë në të cilën Martini u shpreh i revoltuar ndaj denoncuesve dhe deklarimeve të Komisionerit Publik.

Martini kaloi procesin e rivlerësimit në prill 2020, por Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e tij në KPA mbi kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit, kjo e fundit e lidhur me periudhën kur ai ishte drejtues i Prokurorisë së Rrethit Shkodër. Sipas përshkrimit që Martini i bëri denoncimit, një i akuzuar për pjesëmarrje në manipulim bastesh sportive e ka denoncuar se i ka kërkuar para në mënyrë që ta transferojë çështjen nga Krimet e Rënda për në Prokurorinë e Shkodrës si dhe duke manipuluar shortin e ndarjes së çështjeve në këtë prokurori, aludohet për përcaktimin preferencial të prokurorit.

KPA iu drejtua Prokurorisë së Shkodrës si pjesë e hetimit gjyqësor. Përgjigjja e Prokurorisë Shkodër, e lexuar në mënyrë të përmbledhur në seancë nga komisioneri Florian Ballhysa, vuri në dukje se për rreth një mijë nga 1500 çështje të regjistruara, mungon dokumentacioni që të vërtetojë hedhjen e shortit për ndarjen e çështjeve mes prokurorëve.

Sipas përgjigjes, prokuroritë organizojnë shortin zakonisht përmes një sistemi elektronik të quajtur CAMS, i cili në raste të ndryshme pëson defekt dhe për rrjedhojë, prokuroritë organizojnë shorte manuale për ndarjen e çështjeve. Por prokuroria thotë se për shumicën e çështjeve të ndara në kohën kur Martini ishte drejtues i komanduar i kësaj prokurorie, mungojnë procesverbalet e hedhjes së këtyre shorteve dhe rrjedhimisht nuk është e mundur të vërtetohet ekzistenca apo jo e shortit.

Martini argumentoi se fakti që nuk ekziston dokumentacioni nuk do të thotë se nuk është hedhur shorti.

“Unë nuk jam armik,” deklaroi ai i revoltuar. Martini vijoi më tutje me shpalljen si “shpifës ordiner” të denoncuesve, ndërsa shënjoi një denoncues anonim në veçanti si një person që ka tentuar ta mbajë peng, duke e denoncuar tre herë gjatë procesit të vetingut.

Një përgjigje të ngjashme me mungesë dokumentacionesh, KPA duket se ka marrë edhe nga Prokuroria e Fierit, e cila iu përgjigj se dosjen e kërkuar ia kishte dorëzuar gjykatës.

Trupi gjykues përcaktoi datën 1 qershor ora 10 për pretendimet përfundimtare të palëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *