KPA dorëzon analizën e re financiare për gjyqtaren Alma Brati
Lajme

KPA dorëzon analizën e re financiare për gjyqtaren Alma Brati

Pas provave të dorëzuara nga gjyqtarja, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpërndau analizën e re financiare dhe e shtyu seancën për në datën 5 qershor.

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë nje seance dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

Në një seancë që zgjati 3 minuta, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dorëzoi analizën e re financiare për gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Alma Brati të mërkurën dhe vendosi ta shtyjë shqyrtimin për në datën 5 qershor.

Shtyrja e seancës u vendos pasi si gjyqtarja Brati ashtu edhe komisioneri publik, Darjel Sina kërkuan të njihen me dokumentin e ri që sapo morën në duar.

Shqyrtimi i ankimit në KPA për gjyqtaren Brati udhëhiqet nga Natasha Mulaj, dhe anëtarë të trupit gjykues janë gjyqtarët Luan Daci, Albana Shtylla, Ina Rama, dhe Rezarta Schuetz. Deri tani, Kolegji ka zhvilluar shtatë seanca gjykimi dhe ka shtyrë tre të tjera.

Në seancën e zhvilluar më 26 prill, KPA rrëzoi dy denoncime të dorëzuara në adresë të Bratit; njëra nga të cilat ishte bërë nga një ish-këshilltare e këtij institucioni. KPA pranoi gjithashtu prova të reja të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit lidhur me të ardhurat e të afërmve në Itali.

Alma Brati ka punuar si juriste dhe inspektore e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Karrierën si gjyqtare ajo e ka nisur në vitin 2007. Brati u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 5 korrik 2018. Por vendimi u apelua nga Komisioneri Publik, me pretendimin se KPK nuk kishte hetuar siç ligjshmërinë e të ardhurave të nënës së subjektit si dhe të ish-bashkëshortit të saj, i cili paguante detyrimet e pensionit ushqimor.

Ndonëse në qëndrime të kundërta, gjyqtarja Brati dhe Komisioneri Publik kërkuan përfundimin e procesit në seancën e zhvilluar më 26 prill, duke pohuar se ishin gati për konkluzionet përfundimtare.

Megjithatë, KPA vendosi që të bëjë analizën e re financiare pas provave të dorëzuara nga subjekti, qëndrimet mbi të cilën pritet të parashtrohen më 5 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *