Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, duke dalë nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

KPK shkarkon nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të hënën vendimin për shkarkimin nga detyra të kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Enkeledi Harjo.

Kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro, duke dalë nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA

Vendimi i KPK-së për shkarkimin e Hajros, vjen pas seancës dëgjimore të mbajtur një javë më parë, ku komisioni u shpreh se subjekti i rikualifikimit kishte mungesë burimesh financiare për disa vite gjatë karrierës, si edhe paqartësi në deklarimin e një kredie dhe kërkesën për shtesën e një prone.

Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Roland Ilia relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Enkeledi Hajro ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1997 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000. Ajo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës, ndërsa në vitin 2003 ka kaluar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë.

Në vitet 2006-2008, Hajro ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa në vitet 2008-2011 ka punuar si avokate shteti për çështjet e Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Para se të rikthehej në sistemin gjyqësor, Hajro ka mbajtur postin e Drejtorit të Kabinetit për ministrin e Drejtësisë (2011-2012) dhe ministrin e Brendshëm (2012-2013). Në vitin 2016, Hajro u zgjodh kryetare e Gjykatës së Tiranës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *