Prokurori Elidon Hysenaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik ankimon vendimin e konfirmimit të prokurorit Elidon Hysenaj

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të martën më 14 nëntor vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Durrësit Elidon Hysenaj. Gjatë seancës dëgjimore më 5 tetor, Hysenaj u përball me pyetje për financat dhe disa çështje që kishte hetuar, që KPK i vlerësoi pa probleme penalizuese.

Por, Komisioneri Ballhysa parashtron në Kolegj për shqyrtim disa çështje të hetuara nga Hysenaj, duke argumentuar se referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara në fashikull, nuk vlerëson dot nëse subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë. Për rrjedhojë, Ballhysa i kërkon Kolegjit që pas shqyrtimit të shkaqeve të ankimit të vendosë në mënyrë alternative, ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Në ankim vërehet se ish-Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për figurën e prokurorit Hysenaj. Por, ka ndryshuar qëndrim në raportin e përditësuar bazuar në informacione të marra nga institucionet ligj zbatuese për dyshime të ngritura ndaj këtij subjekti rivlerësimi për favorizim të disa personave duke u përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.

Pasi Komisioni ka verifikuar këto informacione të DSIK-së, nuk ka gjetur probleme penalizuese.

Komisioneri Publik sjell në vëmendje të Kolegjit, që vetë ai si institucion, nuk ka akses mbi informacionin e disponuar prej institucionit informues burimor, për shkak të pretendimeve verbale nga ky institucion në lidhje me administrimin e informacionit të klasifikuar.

“Në këto rrethana, në kushtet kur nga shqyrtimi i vendimit të Komisionit, duket se pothuaj të gjitha problematikat e konstatuara në kriterin e kontrollit të figurës janë prezantuar nëpërmjet informacioneve të organeve ligj zbatuese, Komisioneri Publik, në mungesë të një njohje të mjaftueshme të tyre (informacioneve), vlerëson të rivendosë në vëmendje të Kolegjit dosjet penale të trajtuara në kuadër të vlerësimit të njëkohshëm të profesionalizmit lidhur me kontrollin e figurës nga Komisioni në këtë vendim, pasi mund të marrin kuptim e tjetër peshë në konsideratë të informacioneve që rezultojnë nga agjencitë ligjzbatuese”, shprehet Ballhysa në ankim.

Ai  thekson, se në gjendjen që janë aktet në dosje, pamundësohet vlerësimi nëse në vendimin e Komisionit gjenden mjaftueshëm elemente për të identifikuar dhe vlerësuar drejt rezultatet e hetimit administrativ, të cilat kanë çuar në konfirmimin e  Hysenajt, apo nëse në këto rezultate ka probleme që afektojnë kriterin e integritetit të subjektit.

Nisur edhe nga numri dhe periudha e shkurtër gjatë të cilës janë administruar informacionet nga agjencitë ligjzbatuese, Komisioneri Publik parashtron para Kolegjit nevojën për verifikimin në burim të përmbajtjes së këtyre informacioneve, trajtimin procedural të tyre dhe krahasimin eventualisht me praktikat e administruara. Sipas Ballhysës, kjo nevojitet pasi aktet në dosje nuk japin të dhëna që mund të analizoheshin dhe të mundësonin mbajtjen e një qëndrimi rreth këtij kriteri.

Shkaqet e ngritura Komisioneri i bazon në gjashtë praktikat e administruara si rezultat i informacionit të organeve ligjzbatuese, si dhe në dy denoncime nga publiku.

Për dy çështje të hetuara nga subjekti, Ballhysa vlerëson se pranimi i nevojës së ndryshimit të masave të sigurisë gjatë seancës gjyqësore, sipas kërkesave të palëve, duket e paargumentuar qartë. Në një procedim, evidentohet mungesë e ecurisë dhe veprimeve hetimore. Ai kërkon edhe verifikimin e një vendimi pushimi dhe të një çështje tjetër duke vërejtur se në mungesë të informacionit të plotë të organeve ligjzbatuese dhe arsyes të administrimit të kësaj çështje, nuk vlerëson dot nëse rasti konkret ngre dyshime për përfshirje të subjektit në një episod të papërshtatshëm në drejtim të ushtrimit të detyrës.

Në vijim Ballhysa kërkon që në Kolegj të verifikohen dy çështje të hetuara nga subjekti, që janë denoncuar pranë Komisionit. Sipas Komisionerit, duket se pretendimet e denoncuesve qëndrojnë dhe se moskryerja e veprimeve hetimore të nevojshme dhe arsyetimet e pabazuara të subjektit duket se afektojnë kriterin e aftësisë profesionale.

Në përfundim të ankimit, Komisioneri Ballhysa kërkon që pas verifikimit të shkaqeve të ankimit, Kolegji të vendosi në mënyrë alternative të ndryshojë ose lërë në fuqi vendimarrjen e Komisionit për prokurorin Elidon Hysenaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *